Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, thotë se qytetarët shqiptarë e paguajnë naftën më shtrenjtë në rajon dhe kjo sipas tij vjen për shkak të vjedhjes së kryeministrit Edi Rama dhe vartësve të tij.
“Qytetarët shqiptarë paguajnë më shtrenjtë se kushdo tjetër në rajon për çmimin e naftës. Nafta në Shqipëri shitet më shtrenjtë, sepse qeveria vjedh dhe grabit me taksat e larta, duke rënduar dhe varfëruar buxhetet familjare”, shkruan Meta.
Ai theksoi se në vend që të lehtësonte barrën fiskale, Edi Rama ka bërë të kundërtën duke krijuar “Bordin e Transparencës”, i cili sipas Metës me vendimet e tij po e rendit Shqipërinë ndër vendet e para në botë sa i takon çmimit të shtrenjtë të naftës.
“Në vend që të lehtësonte barrën fiskale, ashtu siç bënë vendet e rajonit dhe të Evropës, qeveria krijoi Bordin, vendimet e të cilit nuk bëjnë gjë tjetër veçse e klasifikojnë Shqipërinë ndër vendet e para në botë për çmimin më të shtrenjtë të naftës. Heqja e taksave në çmimin e naftës në këtë situatë krize globale është një shqetësim real i qytetarëve, për të cilin Partia e Lirisë ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për heqjen e taksës së karbonit dhe qarkullimit që do të lehtësonte ndjeshëm çmimin e naftës”, shkruan Meta.