Rastet e ngacmimit dhe abuzimit seksual në Kosovë po kapin shifra alarmante për shoqërinë. Një tjetër rast i ngacmimit seksual është raportuar së fundmi, ku “viktimë” ka qenë një alpiniste e identifikuar me emrin Mrika Nikiqi.
Nëse shumë kush zgjedh të heshtë në një rast të tillë, ajo e ka deklaruar me të madhe për të dënuar sulmin dhe për të ndërgjegjësuar shumë goca e gra që bien pre e abuzimeve seksuale.
Ajo ka publikuar videon, ku shihet fare qartë se si djali me inicialet personi F.B, anëtarë i një familje të njohur në qytetin e Pejës, e kap nga pas dhe tenton të puth. Nikiqi ka treguar se për fat të mirë personi është gjetur dhe çështja ka kaluar tashmë në gjykatë, por kjo ka ndikuar në gjendjen e saj emocionale.
“Shokë e shoqe, po ju njoftoj për një rast i cili me ka tmerruar plotësisht ! Me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B, anëtarë i një familje të njohur në qytetin e Pejës. Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt. Në videon e bashkangjitur, e gjykoni vetë këtë gjest të shëmtuar, viktimë e të cilit ka mundur të jetë çdo familjarë i juaji. Unë dhe familja u jemi mirënjohës organeve kompetente dhe qytetarëve të cilët me angazhimin e koordinuar, dhe shumë shpejtë, mundësuan identifikimin dhe arrestimin e sulmuesit i i cili ka lënë një vragë të shëmtuar në jetën time”, shkruan Nikiqi.