Nga Arben Llalla
Gjatë takimi të kryetarit të Greqisë, Prokopis Pavlopulos me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Iliri Meta, Presidenti grek kërkoi ndërtimin e rreth 8.000 varreve të ushtarëve grekë të vrarë gjatë luftës italo-greke 1940-1941. Ilir Meta i premtoi Pavlopulosit se kjo gjë do të realizohet në bazë të komisioneve dy palëshe.
Çështja është se kush na vërteton që në Shqipëri janë vrarë rreth 8.000 grekë dhe ku gjenden eshtrat e tyre?
Në varrezat e Këlcyrës ka rreth 350 varre bosh që presin të mbushen me eshtrat e shqiptarëve që do vdesin.
Ndërtimi i varrezave kushtëzim dhe nënshtrim i Shqipërisë
Nënshkrimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndërtimin e dy varrezave të ushtarëve grekë në vendin tonë tregoi edhe njëherë se politikanët, ministrat, deputetët shqiptarë u gjunjëzuan përpara presioneve greke për disa varre. Sot, ndërtimi i këtyre varrezave na duket si diçka normale dhe e shenjtë, por grekët kanë arritur të ngrenë tezën për edukimin e brezave të ardhshëm se Shqipëria ka pushtuar Vorio Epirin (jugu i Shqipërisë) në luftën italo-greke. Të gjithë e dimë që po realizohen skenarë të tillë dhe heshtim, heshtim përpara tragjedisë që po na troket në derë.
Nënshkrimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndërtimin e dy varrezave të ushtarëve grekë në vendin tonë ishte vënë si kusht për ratifikimit nga ana e Kuvendit të Republikës Greke të MSA-së mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Kushtin për bllokimin e MSA-së, për shkak të ndërtimit të varrezave e deklaroi atë periudhë edhe nënkryetari i Kuvendit të Greqisë, Jorgos Surlas.
Lind pyetja: Çfarë kushti do të verë Greqia për pranimin e Shqipërisë në BE?
Rreth 10 mijë komunistë grekë mund të jenë vrarë në Malin Gramoz
Në vitin 1946-1949 u zhvillua lufta qytetare në Greqi për pushtet midis forcave të djathta (IDEA) që ndihmoheshin pa rezerva nga Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe forcave të majta të njohura Ushtria Demokratike Greke (DSE). Në përfundim të kësaj lufte civile (1946-1949), u vranë 41.970 ushtarë të Ushtrisë Demokratike Greke që udhëhiqej nga komunistët, u dorëzuan 24.300, u kapën rob 23.950, u larguan nga Greqia për në vendet e Europës, 70 mijë njerëz , pleq, gra dhe fëmijë.
Pra, duke parë që gjatë luftës civile greke 1946-1949 janë vrarë në tokën shqiptare qindra apo mijëra ushtarë grekë, atëhere pse qeveria greke nuk kërkon të ndërtohen varreza edhe për këta ushtarë që u vranë për ideologji dhe luftë për pushtet?!
Varrezat shqiptare të zhdukura në Selanik
Në shekuj Selaniku ka qenë i banuar nga shumë kombe njerëzish si grekë, shqiptarë, turq, hebrenj, sllavë e të tjerë. Të gjitha këto etni kishin edhe varrezat e tyre në këtë qytet. Ligji grek përcakton që të vdekurit duhet të kenë varr të paguar nga familjarët e tyre. Kështu bashkësia shqiptare që për shekuj kishte jetuar dhe punuar në qytetin e Selanikut kishte varrezat e veta në një kodër. Por, në vitet 1980 qeveria e asaj kohe urdhëroi që të zhdukeshin varrezat shqiptare dhe mbi ato varre të ndërtohej një lagje me banorë të gjallë. Sot, ajo lagje quhet “Triandria”. Për çudi, ende sot e kësaj dite nuk ka interesim nga qeveria shqiptare se ç’u bë me eshtrat e të vdekurve. Për përcaktimin e saktë të varrezave të shqiptarëve në Selanik më ndihmoi djali i motrës së atdhetarit Avni Rustemit, i cili në ato varreza kishte patur varrin e prindërve. Në varrezat shqiptare në Selanik ka patur varrin edhe ish-kryeministri i Shqipërisë Hasan Bej Prishtina, eshtrat e të cilit u kthyen në Shqipëri në vitin 1986. Janë të vetme eshtra që nuk i zhdukën grekët gjatë prishjes së varrezës shqiptare. Po kështu, një dokument për ekzistimin dikur të varrezës së shqiptarëve në lagjen Triandria është botuar në Gazeta e Athinës në shtator të vitit 2002. Shahin Qenan Mesareja, nipi i gjeneralit turk me kombësi shqiptare Hasan Tahsin Pasha ka deklaruar në këtë gazetë se varri i Hasan Tahsin Pashës ka qenë në varrezat shqiptare në Triandria në Selanik, të cilat janë zhdukur. Gjenerali Hasan Tahsin Pasha ka shërbyer komandat i ushtrisë turke në Greqinë e Veriut. Ai më 26 tetor të vitit 1912 u dhuroi grekëve qytetin e Selanikut midis pretendimeve edhe të ushtrisë bullgare. Shteti grek mund të zhdukë varrezat e çdo kombi jogrek, ndërsa Shqipëria duhet të nderojë ushtarët grekë që janë vrarë në Shqipëri si pushtues në luftën italo-greke të vitit 1941.
Varret e ushtarëve grekë shfrytëzohen për aneksimin e jugut të Shqipërisë
Në fillim të muajit shtator 2016 Shoqata e oficerë-ushtarakëve të qytetit të Ksanthit në Greqi, rreth 46 persona ishin për disa ditë në Shqipërinë e Jugut duke vizituar Përmetin, Himarën, Sarandën, Tepelenën, Gjirokastrën. Ata vizituan varret e ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke 1940-‘41
Interesant është fakti se këta grekë që kanë ardhur këtë herë në Shqipëri për propagandë janë nga Ksanthi, një qytet afër kufirit me Bullgarinë dhe Turqinë, të cilët nuk kanë shumë lidhje propagande kundër Shqipërisë.
Gjatë vizitës të këtyre mysafirëve që kanë grada ushtarake, ju ngritën flamurin e aneksimit të jugut të Shqipërisë-Autonomia e Vorio Epirit. Gjatë ekskursionit nëpër vendet ku janë zhvilluar lufta italo-greke ata vendosën edhe pllakata përkujtimore në gjuhën greke në territorin e Republikës së Shqipërisë.