Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Çdo shqiptar e ka një mandat për të djegur

Nga 27.al 0

Nga Elona Caslli

“Kanë ardhur kohë të mbrapshta…” -, thonë njerëzit. A thua se kohën nuk e bëjmë ne?! Thua se koha është një konservë peshku, e prodhuar diku gjetkë dhe e tërheqim nga rafti i një supermarketi, kalojmë në kasë, presim faturën, e paguajmë, shkojmë në shtëpi e hapim dhe e hamë.

Koha nuk matet. Ne i kemi krijuar njësitë matëse të saj.
Koha nuk ikën. Ikim ne. Koha ka gjithmonë kohë dhe nuk ka asnjë kuptim. Jemi ne që i japim një kuptim, përmes fjalës apo përmes heshtjes, përmes veprimit apo mosveprimit, përmes qëndrimit apo largimit.

Në këto kohë duket se fjala “mandat” ka marrë një rëndësi të veçantë në fjalorin përbërës të bisedave të ndryshme.

Në kujtesën kolektive të së shkuarës, të sjell ndërmend një individ që hyn në parlament për të përfaqësuar një zonë të caktuar.

Në të tashmen, të kujton një individ që largohet nga parlamenti për të mos ta përfaqësuar një zonë të caktuar.

Vallë vetëm deputetët kanë të drejtën të djegin mandatet?!

A nuk e ka çdo shqiptar një mandat në duart e tij?!

Unë besoj se po. Dikush ka mandatin e heshtjes. Dikush ka mandatin e nënshtrimit. Dikush ka mandatin e mosveprimit. Dikush ka mandatin e pabesisë.

Është pikërisht kjo bashkësi mandatesh të padjegur, që na përball me një imazh, ku kreu i vendit i nxjerr gjuhën Kombit.

Nuk më shqetësojnë ata individë, që kanë zëvendësuar opozitën në Parlament. Ata janë veçse një mandat i padjegur pabesie.

Ajo çka vërtetë të shqetëson, është ai mandat që e shtrëngon fort pjesa më e madhe e shqiptarëve dhe nuk e djeg; dhe ky është mandati i marrëveshjes me pushtetin. Ky mandat duket se ka vlerën e librave të shenjtë dhe nuk preket.

Ruhet me fanatizëm në një sënduk, të cilin e hapim rrallë dhe me kujdes, thjesht për t’u siguruar që mandati është atje, nuk e ka ngrënë mola dhe është krejt i paprekur.

Për sa kohë, “Mandatin e Marrëveshjes me Pushtetin” do ta konsiderojmë si Bibël apo Kuran, gjuha e kryeministri do të vërtitet mbi kafkën tonë çdo çast, si një lavjerrës që përplaset nga njëra padrejtësi në tjetrën.

Post Scriptum: Dhe herët ose vonë, ky mandat i padjegur individual, do të shndërrohet në një përvëlim të madh kombëtar, ku do të shkrumbohemi të gjithë.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej