Nga Ilir Ademaj
Në harkun kohor nga dhjetori 1944 deri në 2 dhjetor 1945 Partia Komuniste Shqiptare (PKSh) u angazhua me disa detyra. Një nga to ishte të eliminonte dhe neutralizonte të gjithë ata që ishin pengesë për planet e ardhme të komunistëve, pra kundërshtarët politikë. Pas zgjedhjeve të 1945 për të mbështetur regjimin totalitar, PKSh krijoi mekanizmat ku do të përndiqeshin dhe eliminoheshin kundërshtarët politikë, realë apo imagjinarë.
Qasja në arkivat e Autoritetit Për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit(AIDSSH) mundësoi një gjurmim më sistematik duke krahasuar e kombinuar, punime shkencore dhe artikuj me dokumentacionin e Sigurimit për të matur: a) krimet e regjimit ndaj intelektualëve nga Çamëria dhe b) nivelin e paragjykimeve institucionale, por edhe c) ndaj elitave të tjera intelektuale jashtë atdheut.
Përveç arkivës që na ndriçon një kuadër të pjesshëm të “armiqve” të sajuar të sistemit komunist,na duhet të studiojmë edhe karakterin e plotë njerëzor, ose anën humane, vuajtjet eviktimave të përndjekjeve të komunizmit – jashtë prizmit ideologjik e politik.Nga hulumtimi i botimeve dhe rrëfimeve të ndryshme në komunitetin shqiptar të Çamërisë në Shqipëri dhe në ShBAnarracioni për “Çamët e Pabesë” në masën më të madhe është artikuluar negativisht ndërsa tematika ndahet në tri ndarje: E para-me paraqitjen e çamëve si të pabesë.Ky konstrukt ndoshtaështë zanafillë më të hershme, para përzënies me dhunë të kësaj populllatenga Greqia në 1944.Për të luftuar kundra italianëve në vitin 1940 qindra burra nga Çamëria nën administrimin grek nga 14-80 vjeç pësuan dëbime, vrasje dhe internime në ishujt e Egjeut nga shteti grek. [3] E dyta- me trajtimin e çështjes së prejardhjes së popullit shqiptar të Çamërisë si popullatë e ardhur në fillim në vitet 1945 si elementë të padëshiruar në Shqipërinë e pasluftës. Ndërsa e treta ka të bëjë me paraqitjen e popullsisë çame nëpërmjet diskursitdhe proçeseve fiktive“të tradhëtarve”anti-komunistëqë supozohej se merrnin pjesë në grupin e Teme Sejkos.
Paragjykimetsociale dhe institucionale ndër shekuj
Frazën “Çam i pabesë me thikë në brez” e kam dëgjuar rëndom në vitet ’90 dhe nuk e kam ditur arsyen pse përdorej ky etiketim. Më vonë dëgjova se në në kohën e perandorisë osmane kishte shqiptarë kaçakë të cilët banonin në zona të ndryshme të Shqipërisë së Poshtme dhe Thesalisë dhe jetonin nëpërmjet aktiviteteve kriminale si vjedhjet dhe si pengmarrja. Një grupim i këtyre kaçakëve përfshinte dhe shqiptarët e Çamërisë të cilëve iu ngjit nofka.
Po të bëjmë një analizë historike, kjo frazë anekdotikesi persona që merreshin me aktivitete kriminale nuk përmban shumë vërtetësi. Sipas studiuesve të huaj, shqiptarëve të Sanxhakut Arvanid dhe Vajenetisë(siç quhej pjesa e Çamërisë së atëhershme) ose iu transferuan privilegje feudale nga bizantinët, ose iu akorduan timare pronësie me tranzicionin nga perandoria bizantine në atë osmane. [4][5] Përveç pjesës së Sulit, Meçovës, dhe malësorëve çamë, shqiptarët e Çamërisë i gjejmë në aktivitete të organizuara dhe pozita të fuqishme ekonomike, politike, dhe ushtarake në shekujt 15-17.[6] Duke qenë se në ato kohë identiteti lokal zinte vendin e identitetit nacional, termi i pabesë, pra, bie historikisht si i mospërputhshëm gjatë periudhave të sundimeve arbërore, bizantine, dhe osmane, të Çamërisë. Duke shkuar më pas në kohë në shekullin e 19, gjejmë se terminologjia stradiot, shndërrohet në kleft ose hajdut dhe martolloz (armatolos) ose person i armatosur, dhe i pabesë, fillon të përdoret nga grekët në letërsinë dhe periodikëte tyrese si arvanitët(lexo – shqiptarët e Greqisë) pa dallime fetare barazohen me plaçkitës dhe paraqiten si turq. Në shtypin grek dhe gazetat gjatë periudhës 1913-1945 janë botuar një sërë tekstesh që kanë sjellë një varg përfytyrimesh të ndryshme për popullsinë shqiptare të Çamërisë. Megjithatë kjo meriton një studim tjetër të veçantë.
Më tej, në shekullin 20-të, hasim filozofinë internacionaliste antishqiptare e anti-çame e regjimit të Enver Hoxhës e cila ushqehej edhe nga ndikimi grek i grekëvetë Byrosë që ishin pjesë e qeverisjes. Ishte Sigurimi i shtetit që bëhej pjesë e zbatimit të kësaj filozofie.Po sjellim shembull rastin e dëbimit të çamëve brenda për brenda në kamp internimi në vitin 1949. Në procesverbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të PPSH-së, mbajtur më 25 mars 1949, rezulton se nga pala greke i kish kërkuar shtetit shqiptar, për të rekrutuar djem dhe burra refugjatë çamë në Ushtrinë Demokratike Greke.[10]Liri Belishova, sekretare e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës dhe anëtare e Byrosë politike, Tuk Jakova, Beqir Balluku, Hysni Kapo, Mehmet Shehu marrin pjesë. Shqetësimi i Byrosë Politike qendronte edhe se elementët reaksionarë, çamët refugjatë në Shqipëri, flisnin keq për Partinë Komuniste Greke. Nisur nga ky qëndrim i emigrantëve çamë, Mehmet Shehu, anëtar i Byrosë, i del në mbrojtje Partisë Komuniste Greke dhe akuzonte se “po ti lëmë kështu çamët diskreditohet partia nga këta reaksionarë”.[11] Mehmet Shehu arriti në përfundimin se: “masën e çamëve nuk e kemi nën kontroll”, prandaj doli me propozimin:“Çamët që ishin anëtarë partie, të përjashtoheshin nga radhët e saj dhe të dërgoheshin në kampe përqëndrimi, ndërsa për elementët e tjerë, meqenëse nuk i merrnin dot me forcë, pasi ishte punë e vështirë sepse ishin shtetas të huaj nga pikëpamja ndërkombëtare, u dha mendimi që rekrutimi i çamëve të bëhej brenda natës. Pra, ndaj emigrantëve çamë që në atë kohë ende ishin shtetas grekë, nuk mund të bëhej rekrutimi me forcë, prandaj u porositën komitetet e partisë në rrethe, ta linin gjoja në heshtje çështjen dhe brenda një nate ti merrnin çamët dhe ti çonin në kufi. Përfundimisht, propozimet e Mehmet Shehut u pranuan prej anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike. U pranua gjithashtu edhe propozimi i Beqir Ballukut: “Këta (çamët) të arrestohen dhe të dërgohen të punojnë në Lozhan, ku është vendi shumë i përshtatshëm”. (AQSH, fq 14/AP, V.1949, D,16, fleta 14).[12][13][14][15]
Burrat dhe djemtë emigrantë çamë nuk pranuan rekrutimin dhe nuk shkuan të luftonin për llogari të forcave të majta greke për tu bërë “mish për top”. Si rrjedhojë, mbi 80 prej tyre u internuan në Lozhan, disa u dënuan dhe të tjerët u përjashtuan nga partia komuniste e Shqipërisë.Në mes të çamëve të internuar në Lozhan ishte edhe Hajri Fetahu nga fshati Grikë të Çamërisë i cili ishte i internuar nga italianët në vitin 1941 në Rexho-Emilia të Italisë, dhe pas rënies së Italisë, u internua edhe nga gjermanët në Dakao të Gjermanisë. Sipas Kujto.al – Fetahu u internua nga Vlora në fshatin Lozhan të Korçës për motive politike nga 15 maji i vitit 1949 deri më 30 dhjetor 1949.[16]
Armiqtë shqiptarë me shtetësi greke
Në vitin 1953 dhënia e shtetësisë shqiptare në bllok nga shteti shqiptar, të gjithë çamëveishte rezultat i marrëveshjeve të fshehta mes qeverive shqiptare dhe greke. Shteti grek ish në prag të amnistisë, ku do të faleshin të gjithë ish-shtetasit grekë të dëbuar dhe nuk donte që çamët e dëbuar të riktheheshin, dhe,të mos përfitonin nga amnistia greke, kërkoi nga qeveria shqiptare e kohës, që t’u jepej shtetësia shqiptare. Ashtu u veprua nga qeveria shqiptare.[17]Në këto kushte, meqënëse akordimi i shtetësisë shqiptare personave me kombësi Shqiptare nga Çamëria është bërë pa kërkesën dhe vullnetin e tyre, pasi edhe dekreti nuk është botuar në gazetën zyrtare dhe është zbuluar vetëm në vitin 2000, pasi bie në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, të garantuara me dispozitat kushtetuese ligjoresi dhe me aktet ndërkombëtare. Me atë akt, çamët u përjashtuan nga amnistia dhe nuk u kthyen në vatrat e tyre amëtare deri më sot.
Studiuesja Georgia Kretsi në një intervistë të saj nga një studim etnografik lidhur me përndjekjen dhe kujtesën post-socialiste në Shqipëri sjell një rrëfim nga një banor me origjinë çame. [18]
Duke qenë tregtarë të fuqishëm [çamët] kishin ndërtuar edhe shkolla. Në fillim u mbështetën çamët dhe arritën të merrnin pothuajse të gjitha nivelet e pushtetit…Këta që u dënuan me Teme Sejkon, po një pjesë e tyre kanë qenë disidentë.Këta nuk kanë qenë për krijim pluralizmi po kanë qenë për demokratizimin e jetës së partisë… po një pjesë e çamërve kanë qenë edhe viktima të sistemit. Kur u dënua grupi i Teme Sejkos, Enver Hoxha i është drejtuar Temes, i ka thënë ‘Ju çamët e pabesë’ kështu që historia e çamëve të pabesë ngeli pastaj si gojëdhënë në të gjitha. Mjaftonte të thoshte Enveri edhe kudo të thoshin ‘çam i pabesë’ .këtu fillonte pastaj edhe denigrimi ose lufta krahinore…ne të rinjtë e Çamërisë, filluam të denigroheshim thjesht si çamër.
Në një shkrim në blogun Peshku Pa Ujë një blogger, rrëfen për përvojën e tij me Xha Mezanin 88-vjeçar në një qytet të Shqipërisë.[19]
Unë i kisha inat kalamajtë e tjerë kur në shkollë tallnin një bashkëmoshatarin tonë me këngën “Çam i pabesë, i bie teneqesë, me lugën e kafesë”. Çamët nuk ishin të këqinj, ose ngaqë unë isha shumë i dhënë pas xha Mezanit nuk e duroja dot atë këngë. Ai asnjëherë nuk ulej në kafenenë e madhe të qytetit, as në bilardo a qebaptore. Qysh në mëngjes, sapo binte dielli në lulishte, xha Mezanin do ta shquaje së largu prej qeleshes borë të bardhë…Më kujtohet shprehja “çam i pabesë” pas gjyqit të Teme Sejkos si tradhtarë të Partisë pushtetit.
Më lartë vërejmë se si kjo popullatë u bë pre e etiketimeve dhe paragjykimeve shoqërore si pasojë e një fobie nga kasta qeverisëse, dhe u vu në praktikë në opinionin e gjërë publik nga gjyqet artificiale me protagonist admiralin Teme Sejko. Skenarët ndaj Hilmi Seitit, Teme Sejkos, Tahir Demit dhe pjesëtarëve të tjerë çamë me të të ashtuquajturit “grup armiqësor” kishin patur impakt të gjerë tek populli. Një pjesë e mirë e komunitetit çam sot është i vetëdijshëm se gjyqet ishin bazuar në dëshmi të rreme të nxjerra nëpërmjet torturave dhe fabrikimeve të Sigurimit. Indoktrinimi i fëmijëve në ato vite me rrëfime nga shkolla pati efektet e veta. Ajo që vërehet është se si populli nuk kursehet të krijojë fraza a shprehi që të përputhen me imazhin e krijuar e çamëve të pabesë deri në nivelin e talljes nga fëmijët e vegjël. Gjithashtu, shënojmë se në këto grupime armiqësore nuk kish vetëm çamë, kishte edhe etni të tjera si vllehë dhe minoritarë, por që Sigurimi duket se kish një qëllim të caktuar emërtohet si grupi çam.
Regjimi komunist përndjek intelektualënga Çamëria pa dallime politike
Haki Rushiti ish një kuadër me origjinë çame i cili pat kryershkollёn e oficerëve nё Itali ku u diplomua me gradёn toger pёr artileri. Ishte pёrkrahёs i Nolit dhe komandant i xhandarmёrisё nё Lushnjё. Kur erdhi Zogu nё fuqi, ai e pushoi nga puna. U bashkua me Barjam Curin, Luigj Gurakuqin, Fan Nolin, Hasan Prishtinёn etj. Dёnohet nga Zogu me 15 vjet burgim dhe pushtimi fashist e gjeti nё Konispol. Më 2 shkurt 1943 në fshatin Markat të rrethit të Sarandës, Haki Rushiti krijoi Çetën “Çamëria”, e cila ishte formacioni i parë luftarak kundër okupatorve italo-gjermanë që mbulonte gjithë Jugun e Shqipërisë. Mori pjesё nё disa luftime sidomos nё luftёn 55 ditore kundra gjermanёve, duke mbrojtur Konispolin dhe kufirin jugor, nga 5 gushti deri mё 30 shtator 1943. Kundёrshtoi urdhёrin e ndërrimit tё emrit tё batalionit nga “Çamёria” nё “Thoma Lulo” emri një minoritari grek. Haki Rushiti shkoi me 15 trima çamё ku dhe deklaroi hapur se nuk i zbatonte urdhrat e Hoxhës.Pas disa tentativave nga komunistët për ta eliminuar, Rushiti, në shtator të vitit 1944 largohet nga Shqipëria në Greqi më vonë për tu vendosur në SHBA, ku u njoh si një nga eksponentët kryesorë të Ballit Kombëtar me porosi të Mithat Frasherit.[20] Në vitin 1960 u akuzua nga Sigurimi i Shtetit si bashkëpunëtor i Teme Sejkos, por kjo ishte e pabazë, siç qenë edhe akuzat ndaj Teme Sejkos. Edhe pse këta të dy ishin ideologjikisht kundërshtarë me njëri tjetrin, ky narracion përshtatej me qëllimet e pushtetit pasi “ata ishin çamër, duhet të goditen to gjithë figurat intelektuale të Çamërisë!”. I spikatur është reagimi që Haki Rushiti kryen tek Gazeta Dielli në ShBA për të përgënjeshtruar alibinë se gjoja ai ishte pjesëmarrës i grupit armiqësor të Teme Sejkos.
Në maj të këtij viti është zhvilluar në Tiranë një gjyq, kundër grupit komunist, një pjesë e të cilit ishin eksponentë. Gjyqi përfundoi në maj 1961, duke dënuar me vdekje Teme Sejkon, Tahir Demin, Abdyl Resulin, dhe Hajri Manen, të cilët janë ekzekutuar më 31 të atij muaji. Shkakun se pse u spastrua ky grup komunist e din Enver Hoxha me shokë. Në zhvillimin e gjyqit jam akuzuar edhe unë si agjent i grekut dhe i shërbimit sekret të Flotës së Gjashtë Amerikane, e gjoja kam patur kontakt me të dënuarit…Kam ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 25 Dhjetor 1955 dhe që nga ajo datë e deri sot nuk jam larguar asnjë ditë nga ky vend. Këtë gjë e din shumë njerëz edhe delegacioni i Shqipërisë që gjendet këtu në New York, i cili me siguri njoftohet dita ditës mbi lëvizjen dhe aktivitetin e shqiptarëve antikomunistë nga agjentët e tyre, të cilët më shohin dita ditës. Me Teme Sejkon, Tahir Demin, Abdyl Resulin, është e vërtetë se kam patur lidhje familjare, por që nga dhjetori 1943 kam qenë në kontakt dhe miqësi sa jam edhe me Enver Hoxhën.
Studiuesi Kastriot Dervishi na sjell një detaj kyç – se si gjyqi çam fillimisht nuk ishte synuar të bëhej publik, por me acarimin e marrëdhënieve midis partive komuniste të Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik doli se ishte një strategji më e volitshme. [23]. Sipas tij, Kadri Hazbiu e pranon më vonë se fillimisht donin ta arrestonin Teme Sejkon në mënyrë sekrete – pra, qëllimi i sajesës së grupit të Teme Sejkos ishte që duke goditur çamët me pozita shtetërore, përhapej në popull ideja se armiqtë e jashtëm ishin kurdoherë në punë për të përmbysur pushtetin popullor. [24]
Sigurimi si instrument përndjekjeje – Dosja Bilal Xhaferi
Skenari kurdisur që të hidhet baltë ndaj shkrimtarit Bilal Xhaferri që jetoi e vdiq si një kritik ndaj sistemit dhe dukurive dekadente të komunizmit nuk pati efekt në heshtjen e këtijshkrimtar guximtar i Çamërisë. Dosja voluminoze e Bilal Xhaferit e siguruar nga AIDSSh ka dy fashikuj.[25] Edhe pse sipas Rregullores së Ministrisë së Punëve të Brendshme të vitit 1987, dokumentet të arratisurve të vdekur duheshin të asgjësohen me procesverbal të miratuar nga titullari i Organit jemi falenderues se ende ekzistojnë këto materiale.[26]Fashikulli i parë fillon më 5 Dhjetor 1963 dhe vijon deri më 13 Maj1969. Kjo përputhet me kronologjinë e ndjekjes së Bilal Xhaferit sa ishte në Shqipëri.
Fashikulli i parë është 206 faqe dhe përmban këto detaje:
- Dhjetra Raporte Agjenturale
- Dhjetra Shënime Operative
- Dhjetra Ekstrate
- Proçes Kallzimi 22.7.1967
- Proçesverbal Kallzimi 26.5.1968
- Proçesverbal Kallzimi 14.6.1968
- 83 – lista e personave që implikohen në veprimtari me Bilal Xhaferin
- 2 – poezi
- 2 – fletë shënimesh për romanin Dasma
- 0 – fotografi
- 0 – Kopje të revistave Krahu i Shqiponjës
Ky studim do përqëndrohet vetëm tek gjetjet e Fashikullit të parë ku paraqitet aktiviteti “armiqësor” i Bilal Xhaferrit në Shqipëri nga këndvështrimi i organeve të Sigurimit dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Fashikulli i dytë nevojit më shumëstudim të burimeve nga botimet dhe vetë bashkohësit.
Për kohëzgjatjen 1963- 1969 janë angazhuar:
- 10 – punëtorë operativë nga 1963-1968
- 18 – bashkëpunëtorë (Lista e pseudonimeve)
- 2 – bashkëpunëtorë e kanë emrin Çajupi
- Çajupi u ngrit në detyrë nga informator në agjent.
Sa i përket nivelit të qëndrimeve politike, në dosjeSigurimi përdorte disa cilësime të qëndrimeve të personave të përfshirë në jetën e Bilal Xhaferrit. Pas një shikimi të Rregullores së Evidencës Operative të vitit 1987, ende nuk dihet a kishin punonjësit e Sigurimit ndonjë referencë për kategorizimin e pozitave apo lihej në dorë të vetë punonjësvea pushtetarëve.[27] Pra vihet në pyetje cilësia e informatave dhe nëse analizoheshin përpara se të protokolloheshin.
Qëndrimet politike
- të mira
2.indiferente
3.të këqija
4.shumëtë këqija
Llojet e Dosjeve
- Dosje e përpunimit aktiv 2A, për gjithë personat mbi 14 vjeç, shqiptarë ose të huaj për të cilët kishte të dhëna për veprimtari “armiqësore” (agjitacion e propagandë, orvatje për arratisje, diversion, spiunazh, etj.) ose keqbërëse (vjedhje, vrasje, etj).
- Dosje e kontrollit operativ 2B, për gjithë personat mbi 14 vjeç, shqiptarë ose të huaj, me të kaluar “armiqësore”, por që nuk e ushtronin më këtë veprimtari.
Fragmente nga biografia e Bilal Xhaferr Hoxhës sipas Sigurimit
Ekzistojnë disa versione të ndryshme të biografisë së Bilal Xhaferrit të përbëra nga burime të ndryshme. Bilali, mbiemrin e familjes e kishte Hoxha. Mirëpo thuhet se përnderim për të atin, emrin e tij e bëri mbiemër të vetin: Bilal Xhaferri. Në tërësi të tekstit përdoren dy mbiemra edhe Xhaferi edhe Xhaferri. Versioni i dytë është theksimi që i bëhet emrave në dialektin tosk. Sipas të dhënave gojore nga komuniteti çam thuhet se për të siguruar jetën dhe për t’u shpëtuar ndjekjeve si bir nacionalisti, Xhaferri largohet prej vendlindjes në Ninat dhe punon korrier në Sarandë. Kryen një shkollë teknike për ndërtim, punon në Fushë Krujë në ndërmarrjen Rruga-Ura në ndërtimin e hidrocenteraleve në Veri. Jeton në Shijak tek të afërmit, dhe internohet në fshatin Hamallaj të Durrësit.Ajo që duhet vënë parasysh është cilësia e të dhënave në dosje e cila ka variacione. Kjo mund të jetë pasi bashkëpuntorët ose i mirrnin të dhënat nëpërmjet metodave të ndryshme prej ndërmjetësve ose nëpërmjet interrogimit të të afërmve të Bilal Xhaferrit.
Ashtë vërtetue se Bilal Hoxha asht i biri Xhaferrit i datëlindjes 1935, lindur në fshatin Ninat të Konispolit, me banim aktualisht në sektorin e Kullës së fermës 8 Nandori” në Sukth të lokalitetit sëShijakut, me profesion puntor në vneshtat e këtij sektorit, i pa organizue, i pa martue, i pa dënuenë gjyqet tona, me kombësi dhe shtetësi shqipëtare, me arsim të mesëm, ka krye shërbimin ushtarak, rrjedh prej nje familje shtresë e pasun fshatare. Qëndrimi politikë në kohën e regjimit të Zogut ka qenëpro atij regjimi. I ati i tij Xhaferri asht marr në atë kohë me bujqësi dhe kanë pasun shumë toka dhe blektori, Xhaferri hiqej si pari fshati dhe si i tillë i ndigjohej fjala, mbasi kishte influencë në njerzit e regjimit të atëhershëm. Në periudhën e okupacionit fashist në vendin tonë, qëndrimi politike i familjes së Bilalit nuk ka qenë i mirë. Ata kanë simpatizuedhendihmue okupatorët fashistë, babaj i Bilalit qysh me krijimin e organizatës sëBallit Kombëtar lidhet ngushtë me këtë organizate tradhëtare dhe lufton me armë në dorëlëvizjen N Çl. Në vitin 1945 Xhaferrit i janë gjetun në shtëpi shumë armë dhe për këtë arrestohet. Mbasi gjykohet, Xhaferri dënohet me pushkatim kriminel lufte për bashkëpunim me organizatën e Ballit Kombëtar, nga ku dhe ekzekutohet. Bilali në të kaluemen nuk ku pasun ndonji aktivitet politik se ka qenë në moshë tëmitur.[…]Mbas pushkatimit të të atit të tij, ai asht marr nga fshati nga gjyshi i tij dhe asht vendos në Sarandë, duke punue si shpërndarës poste. Prej andej asht largue dhe ka ardhë me punë në ndërmarrjen rruga në fushë Krujë, prej këndej në vitin 1962 ka shku me punue në Rrëshen si hekur-kthyes. Kur ka punue në fushë Krujë, Bilali ka pas shoqni me Xhavit Xhetanin, nga Burreli i cili asht goditun kohët e fundit nga ana jonë si agjent [fshirë]. Nga të dhanat e daluna, rezulton se Bilali ka ba pjesë në një grup armiqësor të përbashkët me Xhavit Xhetanin. Në Rrëshen Bilali ka pas shoqni të ngushtë me të dy vajzat e Izet Osmanit të cilat ishin të internuara atje. Në Rrëshen Bilali ka pas shoqni me Musine Kokalarin ish në burg për veprimtari armiqësore dhe tashti në kontroll 2-B, me Luan Malukun dhe Mehmet Isajnë, të cilët kanë qenë me tendencë arratisje. …Më datën 5-XII-1963 asht marr në përpunim 2-B si kontingjent armik. Mbas çmobilizimit nga ushtrija, ka shkue me punë në fush Krujë dhe në vitin 1966 ka ardhur me punë në fermën e Sukthit si puntor. Prej andej ka shkue me punë shtëpinë e kulturës në Shijak dhe së fundi prej këndej ka shkue dispeçer në parkun automobilistik dhe prej këtu, në muajinmaj 1968demaskohet dhe pushohet nga puna si element armik. …Aktualisht Bilali mban qëndrim të keq politikë. Më datën 24.IV.1968 Bilal Xhaferri ka folur në mënyrë armiqësore dhe hapur në mbledhjen e lidhjes së shkrimtarëve në Tiranë për diskutimin e romanit “Dasma” për kundër vijës së partisë tonë. Për këtë ai asht demasku publikisht dhe në shtyp në gazetën “Drita” të datës 28 prill 1968.
Ajo që vërehet janë datat e nënvizuara që po ti rendisim në mënyrë kronologjike dalim në përfundiminse si “demaskimi” i shkrimtarit si armik ndodh menjëherë pas diskutimit të romanit “Dasma” të Ismail Kadaresëpor pikërisht pas ballafaqimit publik për këtë roman.
Metodat e Sigurimit
Nga analiza në tërësi e këtij volumi, rezulton se në ndjekjen e përpunimin shohim të meta dhe dobësi në metodat e punës, në zbatimin e udhëzimeve dhe veprime amatoreske administrative dhe operative. Për shembull, në një Plan të Përbashkët të datës 29.4.1968 nga kryetari i degës Durrës dhe Drejtori i Punëve të Brendshme Tiranë rekomandohet të bashkëpunohet me Degën e Lushnjes për të parë “nëse del gjë për Bilalin” nga lidhjet e tij në Lushnje nëpërmjet shkrimtarit nga Jugosllavia e atëhershme, Kapllan Resuli. Sigurimi ishte i vendosur të merrte masa të ndryshme dhe të krijonte çdo lloj makinacioni me çdo kusht. [28]
Përpunimi para dhe pas ballafaqimit tek Lidhja e Shkrimtarëve
Para diskutimit të romanit “Dasma”, autoritetet e Sigurimit duket se nuk e kanë trajtuar këtë çështje me syrin politik, dhe mosvlerësimi i rrezikshmërisë që paraqiste ky si nga prejardhja, nga veprimtaria armiqësore, nga niveli ku ai e ushtronte aktivitetin, diskutimin e hapur në klubin e shkrimtarëve, në Prill 1968, me rastin e diskutimit të romanit “Dasma”, ku u demaskua si armik. Pas kësaj kohe përpunimi filloi të lëvizë nga gjendja ku ishte dhe u morën disa të dhëna që tregonin pozitën e tij armiqsore, për probleme të letërsisë, emancipimit të gruas, etj. Në një relacion përmbledhës nga Hysen Gorica në vitin 1962, përmendet se “Bilali asht element armik duke u mbështetur në rrethin e tija shoqëror që, ka në të kaluarën e tija familjare, si dhe për takimet që ky ka bërë me njerëz të padëshiruar për pushtetin popullor, ky është tip i squtë dhe i rafinuarë, prandaj duhet që të kihet në kontroll të fortë agjenturial dhe të kontrollohet në imtësi lëvizjet e tija dhe takime që mund të bëhen në repartin ku ndodhet.”[29]Megjithatë, përpunimi nuk po ecte me ritmin e duhur dhe kishte zvarritje, nënvleftësim të objektit të përpunimit.
Pothuajse një muaj pas ballafaqimit tek lidhja e shkrimtarëve, më 29 Prill 1968 Drejtoria e parë nëTiranëhartoi një plan të përbashkët ku dhe u përcaktuan detyrat qe duhej të realizonte Dega e Durrësit per objektin e përpunimit dhe degët e Tiranës, Krujës e Mirditës për lidhjet e tij. Në mënyrë te veçantëu dhanë porosi që perpunimi i Bilal Xhaferit të ndiqej si i rendesishë, dhe për ndjekjen e realizimin e detyrave deri në arrestimin e tij, të angazhohej vetë udhëheqja e Degës së Durrësit.
Bilal Xhaferri me Musine Kokalarin dhe Motrat Osmani në Rrëshen
Në Fashikullin 1Fjalët çam dhe Çamëri përmenden për herë të parë në studimin e rrethit të tij shoqëror në Shijak pjesë e përbërjes së biografisë. Nuk është çudi se në krye të listës së personave të implikuar me Bilalin në dosje gjejmë të shoqen dhedy vajzat e Izet Osmanit, të treja me origjinë nga Çamëria, si dhe Musine Kokalarin nga Gjinokastra. Izet Osmani ishte cilësuar si person i arratisur në Greqi, por vetëm pas vitit 1990 deklarohetvdekurdhe i vrarë pa gjyq “për motive politike”më 19 qershor 1955, në Konispol.[30] Megjithëse këto vajza ishin në moshë të re, gjenden vetëm 2-3 referenca në fletët e dosjes, kurse Musine Kokalari referencohet në 5 fleta, (fq. 13, 20, 124, 154, 155). Sipas rrëfimit të një bashkohësi që e ka njohur nga afër Bilal Xhaferrin si edhe personat e mëposhtëm në Shqipëri tregon:[31]
Nga viti 1964 në dhomën e internimit të Musine Kokalarit në Rrëshen, përballë saj banonin në një dhomë tjetër dy motrat Ildishane dhe Muzejen Osmani, të internuara së bashku me nënën e tyre Selimenë në vitin 1960. [32] Ildishanja ishte motra e madhe dhe ishte në mbarim të vitit të fundit të Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë në vitin 1960. Fatkeqësisht diktatura ia preu ëndrrën dhe të ardhmen në mes, madje nuk kurseu as motrën e vogël Myzejenin. Ildishanja ishte një vajzë inteligjente dhe me horizont dhe gjithmonë bisedonte rreth temave të ndryshme. Që të dyja jetonin me nënën plakë pasi i kishin torturuar e rrahur, nëpër birucat e degës së Punëve të Brendshme në Mirditë. Ato ishin të kulturuara dhe lexonin libra të kohës si “Ata Nuk Ishin Vetëm” nga Sterjo Spasse, por edhe libra të ndaluar si “Doni i Qetë” nga Mihail Shollohov, “Ura e Psherëtimave” nga Mishel Xevako etj. Megjithëse të dyja ishin trup imëta, Ildishanja dhe Muzejeni ishin detyruara të punonin në ndërtim dhe bënin llaç ku dhe e mbartnin në tezgë. Atëherë, Bilali ishte në Rrëshen me punë si hekurkthyes dhe u njoh me to pasi ishin edhe çame por as që e njihnin politikën dhe as nuk diskutonin për të se ishin dhe të tmerruara nga torturat e xhelatit famëkeq, kryetarit të degës, Hysen Gorica.
Tentativat e Sigurimit dolën të pafrytshme me këta persona. Sipas një ekstrati të datës 27 Qershor 1968në faqen 124, del se Dega e Punëve të Brendshme në Rrëshen konstaton se: “Musine Kokalari asht në kontroll në 2-B, ndërsa vajzat e të arratisunit Izet Osmani nuk përpunohen, kanë fashikull.” Po ashtu, shkruhet se nga materialet e tyre nuk implikohet Bilal Xhaferri se edhe pse takohej me Musine Kokalarin, nuk kishin të dhëna nga burimet agjenturale rreth tyre. Për Musinenë shënohet se ishte hartuar një plan masash agjenturale-operative për tëzbuluar veprimtarinë e supozuar armiqësore.
Dosja e Bilal Xhaferrit ka shumë kontradita që e bëjnë këtë studim edhe më kompleks. Edhe pse në një letër (me autorësi të dyshimtë) që shkruan shkrimtari para se të arratiset ai thotë se ndihet fjtor për një gabim taktik të tij. Çfarë vallë mund të jetë ky gabim taktik? Çfarë nënkupton shkrimtari këtu? Raportet nga bashkëpunëtorët janë ato që mund të na hedhin dritë mbi motivet e Bilalit për të kritikuar publikisht Ismail Kadarenë. Le të shqyrtojmë qëndrimet e shkrimtarit dhe veprimtaritë e Sigurimit që vijojnë në tabelën e mëposhtme.
I vetmi gabim taktik i shkrimtarit mund të ketë qenë se i besoi shokët e tij të ngushtë që ishin fatkeqësisht për të, njëkohësisht edhe bashkëpunëtorë të Sigurimit. Shohim se veprimtaria e Sigurimit në drejtim të Bilal Xhaferrit në përpjekjen për të gjetur motivet e shkrimtarit në lidhje me kritikën e romanit ‘Dasma’ intensifikohet. Masat e ndryshme për të mësuar më shumë rreth këtij individi shtohen edhe më tej edhe pse shkrimtari ka qenë në përpunim disa vite më parë ballafaqimit. Me interes është roli i bashkëpunëtorëve që Sigurimi rekrutoi nga rradhët e miqve të ngushtë e të largët të Bilal Xhaferrit për të nxjerrë në pah veprimtarinë e tij ‘armiqësore’. Padyshim që roli i prejardhjes së tij qoftë atërore, qoftë etnike ishte vendimtar për të ndihmuar Sigurimin të krijonte akuza të forta kundra këtij armiku të komunizmit dhe dashamirësi të lirisë së fjalës dhe mendimit.Edhe pse vite më vonë kupola komuniste ka bërë analizë rreth dukurisë Bilal Xhaferri, dilet në konkluzion se përndjekja e tij ishte frut i një ndikimi politik nga lartë që preferonte të kishte heronj në arenën e shkrimtarëve dhe raste ku armiqtë munden nga këta heronj.
Profilii disidentit “armik i popullit”
Sipas rrëfimit të një personi që e ka njohur personalisht Bilal Xhaferrin, ai na sjell një detaj të rëndësishëm për aktivitetin e tij si krijues por edhe si ikonoklast ikohës së vet.[33]
Bilal Xhaferi nuk ishte vetëm një shkrimtar i afirmuar, por edhe një talent i poezive të cilat edhe poetë të mirënjohur e kishin vlerësuar. Për shembull- Poezia “Ti je një Pardesy”paraqiste motive kritike për trendin e krijuar në vitet 1960 në vendin tonë ku personat e privilegjuar nga sistemi komunist vishnin këto veshje për të treguar statusin shoqëror. Bilali ishte një njeri i thjeshtë dhe popullor që komunikonte qoftë me njerëzit e thjeshtë por edhe me disidentë të njohur si Musine Kokalari që vetë Enver Hoxha mendohet të ketë ndërhyrë ose ndikuar në përndjekjen e saj.
Ti Je Një Pardesy
Ti je një pardesy.
Tek ti fëshfërijnë të gjitha:
mendimet, pardesyja, zemra.
Ti je një pardesy
dhe bota të duket si një sallon mode,
ku parakalon si pardesy e dalë prej garderobe.
Ti je njeri – pardesy.
Të shoh tek zhdukesh përtej – fëshfërimë – nëpër erë,
sikur të mos kesh qenë asnjëherë.
Në këto vargje shikojmë se si autori shprehet për një dukuri shoqërore me motive të ndryshme letrare por dhe deledhekundër rrymës e konjukturës. Pardesyja vazhdon të vishet edhe sot, por atëherë më tepër lidhej me personat që kishin pushtet dhe një rol të caktuar në shoqëri.
Letra e Arratisjes
Një material interesant në analizimin e kësaj dosjeje është një kopje e një letre që supozohet se është shkruar nga vetë Bilal Xhaferi. Ajo daton 30 gusht 1969 dhe i drejtohet Komitetit Qëndror të PPSH Tiranë. Autenticiteti i kësaj letre nuk mund të provohet, por ia vlen që studiuesit në të ardhmen për të vërtetuar nëse përmbajtja është e njëjta me atë që shkroiobjekti në përpunim. Pikaset fakti që letra ka një ton apologjetik dhe të dëshpëruar ku vetë Xhaferi nuk pranon të ketë qenë pjesëtar i ndonjë organizate politike.[34]
“Nuk jamë i implikuar në asnjë çështje politike, me asnjë lloj fuqie të huaj, me asnjë lloj organizate, me asnjë lloj personi. Po ndjek vetëm fatin tim të hidhur.”
Nëse kjo letër është faksimile e vërtetë nga origjinali, këtu nuk kemi të bëjmë me një armik të përbetuar që synonte ta dëmtonte a rrëzonte regjimin dhe shtetin socialist në Shqipëri. Këtu kemi një person që tregon haptazi nëpërmjet shkrimit se nuk është fajtor për ato çka akuzohet dhe përndiqet. Më tej në letër hasim se autori i supozuar shprehet për një gabim të tij taktik dhe përgjegjshmërinë që mban përsipër.
“Unë jam një njeri që kam dhënë prova se e dua këtë vënd, e dua këtë popull dhe u përpoqa dhe të bëj në jetë, duke u përpjekur në fushën letrare, në kushtet më të vështira, sa për një gabim timin taktik po pa qëllim të keq, ju më privuat plotësisht, më mohuat, më zhdukët për së gjalli si letrar. Sidoqoftë, përsëri unë do të mbetem ai që isha, një njeri që e do deri në fund popullin dhe atdheun e vet dhe nuk e tradhëton kurrë këtë popull dhe këtë atdheun e vet, edhe pse […] të emigrojë larg. Kuptohet, për veprimin tim përgjigjem vetëm unë. Asnjeri tjetër nga njerëzit e mij, nga farefisi im, nga miqt dhe shokët e mij nuk ka dieni dhe nuk mund ti bëni fajtor për çështjen time.”
Dihet se veprimtaria në fushën kombëtare e Bilal Xhaferrit vazhdoi edhe në Amerikë por me forma të tjera. Sigurimi e ndoqi këtë dhe punoi makinacione të ndryshme deri sa ai vdiq në 1986. Fashikulli i dytë mund të na ndihmojë të gjejmë më tepër detaje rreth kësaj veprimtarie, gjithmonë nga syri i Sigurimit.
Rekomandime për kërkime të mëtejshme
Megjithëse ky studim nuk është konkluziv për arsye kohore dhe logjistike rekomandohet që të zhvillohet edhe më tej një punë kërkimore në drejtim të dokumentimit të jetëshkrimit të disidentëve politikë të asaj periudhe.
- Studimi i fashikullit numër 2 të dosjes Bilal Xhaferri për një ndriçim më të qartë të aktivitetit të Sigurimit kundra tij në Amerikë.
- Rishikim i qëndrimeve të artistëve dhe shkrimtarëve gjatë komunizmit nga bashkëpunëtorë të Sigurimit dhe në shërbim të Sigurimit.
- Hartimi i një studimi të plotë do shërbejë si bazë dokumentare dhe narrative në mënyrë që të përfshihet në programet mësimore të niveleve të ndryshme jo vetëm në Ministrinë e Arsimit në Shqipëri por edhe në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore.
- Ekziston dhe një problem se si dokumentacioni arkivor ende shihet me dyshim nga ish-të përndjekurit politikë pasi dëshmitë e marra nga viktimat e përndjekur ose janë të fabrikuara ose janë “marrë nga hetuesia me forcë. [35]mund të hedhë dritë mbi tentativat e manipulimit të informacionit dhe pavërtetësive rreth objekteve të përndjekur nga vetë ish-Sigurimi. Duhet konfirmuar vërtetësia dhe autencitetii dokumentacionit që përfshihet në dosje pasi që në periudhën e 1997 ka pasur ndërhyrje fizike si shkatërrim, e djegje të dosjeve[36]. Në të ardhmen kjo analizë mund të kryhet nëpërmjet kontrollimit forenzik shkencor nga ekspertë të grafologjisë.