Teksti i këngës për bashkim tingëllon më së qarti serbisht.
Nga Veton Surroi
1.
Në vitin 2018 u legjitimua fjala “korrigjim” (eufemizëm për ndarje dhe këmbime territoresh në baza etnike), ndërsa sapo kemi hyrë në vitin, kur po legjitimohet edhe një fjalë tjetër që ishte pjesë e paketës ndërkombëtare të “vijave të kuqe”, fjala bashkim si në “bashkim kombëtar”. Nga pak u prek gjatë vitit të kaluar duke ravijëzuar një sekuencë logjike: Kosova dhe Serbia këmbejnë sa më shumë serbë e shqiptarë në shtetet e tyre respektive, së bashku me një pjesë të territorit ku banojnë, dhe meqë tash do të ishin në realitete të reja, Kosova e Serbia do të kishin të drejtë të bënin çka të donin me territorin e vet. Sapo filloi ky vit dhe kryeministri i Shqipërisë e thjeshtësoi tërë procesin negociator: Kosova të përfundojë ç’ka problem me Serbinë dhe pastaj Shqipëria e Kosova të bashkohen.
Mund të tingëllojë si muzikë për veshët e shqiptarëve të Kosovës, të frymëzuar nga metafora e mungesës historike në ngritjen e flamurit të Pavarësisë së Shqipërisë si mungesë e shtetit të përbashkët. Por, ndonëse muzika mund të tingëllojë e këndshme, duhet shikuar me shumë kujdes tekstin e këngës që ka brenda këtë formulë: një herë ndarje territoriale, pastaj bashkim. Varësisht ku këndohet, ajo do të tingëllojë tjetër, madje krejtësisht ndryshe prej këndimit paraprak.
2.
Këndimi në Prishtinë do të ballafaqohet me shpërputhje në tekst. Procesi negociator i tanishëm, thonë Delegacioni shtetëror dhe opozita që nuk është në këtë delegacion, duhet të prodhojë njohje të Pavarësisë së Kosovës në territorin e saj të tanishëm, duhet të prodhojë njohje të pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur dhe anëtarësim në OKB. Rrjedhimisht, duhet të krijojë mundësinë e integrimit në NATO e BE.
Por, nëse kënga po thotë se një herë duhet të bëhet “korrigjimi” e pastaj bashkimi kombëtar, atëherë qenka një proces tjetër negociator. Për Delegacionin shtetëror – dhe opozitën që nuk është pjesë e tij – nuk do të kishte ndonjë sens të negociohet për të zhdukurit e borxhet ndaj kursimeve të qytetarëve, për shkatërrime të shtëpive e për të drejtat minoritare brenda Republikës së Kosovës në mënyrë që të sigurohet njohja e Republikës së Kosovës nga Serbia, të gjitha shtetet e BE-së dhe anëtarësimi në OKB e NATO me këtë emër, nëse ekzistuaka një proces tjetër negociator, i cili siguron që njëherë të bëhet copëtimi i territorit të Kosovës e pastaj bashkimi i tij me Serbinë, gjegjësisht Shqipërinë.
Apo është fjalë për një këngë tjetër?
3.
Kjo këngë ka gjasa të tingëllojë mirë për veshët në Serbi. Një proces negociator që, siç u shpreh Presidenti i Serbisë, do të krijojë vijën ndarëse historike mes serbëve dhe shqiptarëve do të prodhonte një territor kompakt në Kosovë me sa më pak serbë në të dhe një territor në Serbi me sa më pak shqiptarë në të (pa përdorim të dhunës, por nëpërmjet të këmbimit paqësor territorial). Territori kompakt me shqiptarë do të kishte të drejtën e bashkimit me Republikën e Shqipërisë dhe meqë Republika e Serbisë e njeh këtë të Shqipërisë, Serbia do të përmbushte një nevojë dhe një premtim njëkohësisht. Do të përmbushte nevojën që të zgjidhë çështjen e Kosovës dhe njëkohësisht premtimin që kurrë të mos e njohë Pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Kënga serbisht, pastaj do të ishte me më shumë refrene sesa ajo në versionin shqip. Bashkimi i sa më shumë shqiptarëve në një shtet do të ishte ftesë që një gjë e tillë të ndodhte edhe me Serbinë, nëpërmjet të bashkimit të Republikës serbe në Bosnjë-Hercegovinë.
As varianti rus nuk do të tingëllonte keq. Nëse mund të bashkohen shqiptarët, pastaj serbët, çka kanë rusët që nuk mund të bashkohen?
4.
Kjo këngë nuk tingëllon mirë gjermanisht. Një lexues i vëmendshëm i lirikës së re ballkanike do të hetojë se këngës, e cila thotë “një herë ndarje, pastaj bashkim” i mungon njëri prej përcaktimeve thelbësore të shtetndërtimit, njohja. Procesi negociator që fillon me këmbime territoriale dhe kalon e përfundon me bashkim – njëherë spastrohen çështjet me Serbinë, pastaj Kosova bashkohet me Shqipërinë – anashkalon pikën më të lartë historike të Kosovës, barazinë e Kosovës me shtetet e tjera, përfshirë Serbinë, përfshirë Shqipërinë. Pra, anashkalon të drejtën e qytetarëve të Kosovës që nëse duan të krijojnë procesin dhe institucionet e bashkimit me Shqipërinë, në çfarëdo formati dhe me çfarëdo shpejtësie që të dëshirojnë – union doganor alla BE, bashkim konfederal, bashkim në një shtet. Sot, pas dhjetë, njëzet a pesëdhjetë vjetësh.
Andaj gjatë vitit të kaluar përgjatë legjitimimit të fjalës “korrigjim” u shmang vëmendja nga fjala “njohje”, si në njohje të ndërsjellë. Dhe andaj, gjatë këtij viti, me legjitimimin e fjalës “bashkim” do të shmanget vëmendja sërish nga fjala “njohje”. Kjo nuk është rastësi. Është pjesë e një përpjekjeje që me një proces “shpejt e shpejtë” të krijohet një marrëveshje që nuk do të trajtojë okupimin dhe luftën e Kosovës – parakushte për të arritur një marrëveshje paqeje – por do të zbresë tërë problemin shekullor në një emërtues të përbashkët, që shqiptarët të jetojnë me sa më pak serbë, dhe serbët me sa më pak shqiptarë, caqe këto të çdo ideologu serbomadh që nga themelimi i shtetit serb në shekullin XIX, caqe të manifestuara në luftën e fundit të Kosovës dhe dëbimin me dhunë të një milion shqiptarëve nga Kosova.
5.
“Bashkimi”, si në bashkim kombëtar, kështu, hyn në stadin e vet të tretë të jetës si koncept politik. Përgjatë shekullit XIX dhe një pjese të madhe të atij XX ishte synim i rilindësve, nacional-demokratëve, komunistëve, fashistëve, romantikëve, ëndërrimtarëve, poetëve, ekonomistëve e të tjerëve. Pas rënies së komunizmit deri më sot u shndërrua në kërcënim: o do të pavarësohet Kosova, o do të bëhet bashkimi kombëtar; o do të integrohet Shqipëria në BE, o do të integrohen të gjithë shqiptarët në një shtet, o do të fitojnë të drejtat e veta shqiptarët në Maqedoni, o do të bëhen pjesë e Shqipërisë.
Tash, në stadin e tretë merr kontura që nuk do të mundë të besoheshin gjatë njëqind vjetëve. Në vend të njohjes së ndërsjellë dhe të drejtës së qytetarëve të Kosovës të jenë të barabartë me qytetarët e shteteve të tjera, do t’u këndohet kënga e bashkimit. Në versionin serbisht, do t’u thuhet se mund të jenë të barabartë vetëm si shtetas të Shqipërisë. Në versionin shqip, do t’u thuhet se u gjet zgjidhja për të gjitha problemet e Kosovës (OKB, BE, NATO) e njëkohësisht u gjet formula se si të përmirësohet çdo gjë tek qeverisja e shqiptarëve; dy shtete të kapura me institucione të brishta e të sulmuara me sukses nga krimi i organizuar do të funksionojnë si një shtet funksional, ditën kur pranohet plani serb i deklamuar shqip: një herë ndarje, pastaj bashkim.
Njohja? Kush kërkoi këngën njohja?
/koha.net/