Bashkia e Tiranës ka hartuar një projektvendim që parashikon gjoba për lypësit, të pastrehët apo për ata që fshijnë e pastrojnë xhamat e makinave në semafor.
Disa organizata të shoqërisë civile i kanë drejtuar një thirrje anëtarëve të Këshillit Bashkiak Tiranë, ku kërkojnë të mos miratohen disa pika të projektvendimit.
“Varfëria dhe të qënit i pastrehë nuk janë zgjedhje që njerëzit i bëjnë me dëshirë dhe askush nuk duhet të dënohet për këtë, qoftë edhe me gjobë”, thuhet në deklaratën e tyre, ndërsa i kujtojnë bashkisë se duhet të ofrojë të tjera alternativa.
“Zgjidhje është të investosh në strehimin dhe mbështetjen sociale të këtyre personave, jo t’i dënosh sepse janë të varfër, jetojnë në rrugë dhe i vetmi burim i të ardhurave të tyre është kërkimi i lëmoshës”, thuhet në deklaratë.
Sipas këtij projektvendimi konsiderohen si kundravajtje që cënojnë moralin publik në të njëjtën mënyrë kërkimi i lëmoshës në mjedise publike dhe fshirja ose pastrimi i xhamave të makinave në semafor, si: Urinimi, defekimi apo të pështyrja në mjedise publike; Të bërtiturit me fjalë dhe shprehje vulgare apo kryerja e veprimeve me gjeste vulgare në mjedise publike; Veprimet apo sjelljet e çdo natyre që kanë për qëllim ngacmimin, fyerjen apo talljen ndaj njerëzve më aftësi të kufizuara, të moshuarve dhe të pambrojturve.
Pra, një person që kërkon lëmoshë në rrugë për të mbijetuar, e cënon njëlloj moralin publik në qytetin e Tiranës si një person që tall dhe fyen një të moshuar apo një person me aftësi të kufizuara, apo që urinon në ambiente publike.
Deklarata e plotë:
Thirrje drejtuar anëtarëve të Këshillit Bashkiak Tiranë të mos miratohen disa pika të projektvendimit mbi “Kontrollin e Territorit dhe përcaktimin e disa kundravajtjeve administrative dhe sanksionin që vendoset për to në Bashkinë e Tiranës.”
Të nderuar Zonja/ Zotërinj Këshilltarë të Këshillit Bashkiak Tiranë,
Ju drejtohemi publikisht dhe me urgjencë për t’ju shprehur shqetësimin tonë në lidhje me disa pika të neneve të propozuara në projekvendimin “Për Kontrollin e Territorit dhe përcaktimin e disa kundravajtjeve administrative dhe sanksionin që vendoset për to në Bashkinë e Tiranës.” Ne si organizata të shoqërisë civile jemi të mendimit se megjithë qëllimin e mirë që mund të kenë patur propozuesit e këtij projektvendimi, për të përmirësuar aspekte te jetësës në kryeqytet, disa amendamente bien në kundërshtim me standartet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut dhe ju kërkojmë të mos i miratoni ato.
Në lidhje me pikën 1 F të nenit 10 për ndalimin e lëmoshës:
Në projektvendim, Neni 10 ‘’Kundërvajtjet administrative kundër moralit publik’’, në pikën 1, f thuhet: “Kërkimi i lëmoshës në mjedise publike dhe fshirja ose pastrimi i xhamave të makinave në semafor” përbën kundravajtje administrative.
Sipas këtij projektvendimi konsiderohen si kundravajtje që cënojnë moralin publik në të njëjtën mënyrë kërkimi i lëmoshës në mjedise publike dhe fshirja ose pastrimi i xhamave të makinave në semafor, si: Urinimi, defekimi apo të pështyrja në mjedise publike; Të bërtiturit me fjalë dhe shprehje vulgare apo kryerja e veprimeve me gjeste vulgare në mjedise publike; Veprimet apo sjelljet e çdo natyre që kanë për qëllim ngacmimin, fyerjen apo talljen ndaj njerëzve më aftësi të kufizuara, të moshuarve dhe të pambrojturve. Pra, një person që kërkon lëmoshë në rrugë për të mbijetuar, e cënon njëlloj moralin publik në qytetin e Tiranës si një person që tall dhe fyen një të moshuar apo një person me aftësi të kufizuara, apo që urinon në ambiente publike. Këta persona janë njëlloj kundravajtës dhe gjobiten njëlloj. Pyetja që shtrojmë është: Si cënohet morali publik nga një person që kërkon lëmoshë?
Duke dënuar lypjen dënohet varfëria dhe rrezikohen të diskriminohen disa pakica të caktuara në shoqërinë shqiptare dhe për arsyet e mëposhtme ju kërkojmë që të mos e miratoni atë:
Kjo masë është diskriminuese, cënon lirinë e shprehjes dhe lirinë personale (të drejta kushtetuese) dhe nuk është proporcionale (parim kushtetues).
Kërkimi i lëmoshës mund të jetë burimi i vetëm i të ardhurave për disa persona. A e kalon testin e proporcionalitetit kjo masë nëse e drejta e kalimtarëve për të mos u shqetësuar në rrugë vendoset përballë të drejtës për të siguruar mbijetesën e personit që kërkon lëmoshë?
Nga një masë e tillë preken në mënyrë të ndjeshme komuniteti Rom, Egjyptian dhe të pastrehët. Edhe pse masa është e përgjithshme dhe aplikohet ndaj të gjithëve, të prekurit i përkasin kryesisht këtyre komuniteteve dhe kjo e bën këtë masë diskriminuese në mënyrë indirekte ndaj këtyre personave.
Për mendimin tonë, ky ndalim është absolut dhe atij i mungon detajimi i rrethanave në të cilat ndalohet kërkimi i lëmoshës në mjedise publike (p.sh kërkimi i lëmoshës nga ana e fëmijëve; kërkimi i lëmoshës në mënyrë agresive apo kërcënuese). Studime të thelluara mbi praktikën e Bashkimit Evropian tregojnë se megjithëse ka patur përpjekje për të marrë masa për ndalimin e kërkimit lëmoshë (jo domosdoshmërisht shpalljen e saj kundravajtje) ato janë rrëzuar të cilësuara edhe kundra moralit apo ligjeve themelore të shteteve.
P.sh edhe në vende si Francë, Gjermani, Itali, Skoci, ku u bënë përpjekje për ta dënuar kërkimin e lëmoshës gjykatat vendosur që ndalimi i lypjes është anti- kushtetues.1
Varfëria dhe të qënit i pastrehë nuk janë zgjedhje që njerëzit i bëjnë me dëshirë dhe askush nuk duhet të dënohen për këtë, qoftë edhe me gjobë. Implementimi i ndalimeve absolute apo vendosja e sanksioneve nuk janë zgjidhje. Zgjidhje është të investosh në strehimin dhe mbështetjen sociale të këtyre personave, jo t’i dënosh sepse janë të varfër, jetojnë në rrugë dhe i vetmi burim i të ardhurave të tyre është kërkimi i lëmoshës. Sigurisht që nuk është mirë që njerëzit të jetojnë në rrugë dhe të kërkojnë lëmoshë për të mbijetuar. Duke larguar njerëzit që jetojnë në rrugë e duke i ndaluar të kërkojnë lëmoshë, i bën ata të padukshëm dhe e fsheh problemin. Problemit duhet t’i jepet zgjidhje me masa parandaluese dhe që luftojnë shkaqet e problemit, varfërinë dhe jo paraqitjen apo dukjen e tij.
Lidhur me nenin 12 Kundërvajtjet administrative në fushën e infrastrukturës publike
Në nenin 12 thuhet: “Për aq sa nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative në fushën e infrastrukturës publike, këto veprime: … Pika 1, c Vendosje tabelash, pankartash, banderola pa leje. “
Ne kundërshtojmë pikën c, pasi bie në kundërshtim dhe njëkohësisht cënon legjislacionin për tubimet si edhe lirinë shprehjes. Mbajtja e banderolave, pankartave dhe tabelave përkohësisht, kur nuk shkakton shqetësime edhe pa marrë leje janë gjeste të mirëpranuara të kuadër të protestave paqësore edhe spontane.
Lidhur me pikën 5 të nenit 7 në fushën e hapësirës publike
Në lidhje me problemin shitësve ambulantë, ne si organizata të shoqërisë civile vazhdojmë të mos jemi dakort me masat administrative që janë tashmë në fuqi në lidhje me shitësit ambulantë. Pra qëndrimi ynë është kundër sanksioneve në vetvete. Ne rekomandojmë që:
• Bashkia Tiranë, para se të ndërrmarrë masa administrative ndaj shitësve ambulantë, duhet që të marrë parasysh situatën sociale dhe ekonomike të personit shitës ambulant dhe të familjes së tij/saj.
• Bashkia duhet të përpiqet të rregullojë situatën ekonomike të këtyre familjeve duke punësuar këto persona që përpiqen të fitojnë bukën e gojës për familjen e tyre dhe jo t’i gjobisë e t’u sekuestrojë mallin pa u interesuar për fatin e mjerë të banorëve të kësaj bashkie.
• Bashkia duhet të përkrahë dhe të mbështesë iniciativat e këtyre individëve për tu bërë pjesë e tregut, duke i lehtësuar në aspektin e taksave dhe tarifave deri në momentin e forcimit të sipërmarrjes së tyre të vogël, duke i lejuar të përdorin tregjet pa u detyruar të paguajnë tarifën fikse të bashkisë.
Lidhur me nenin 11 për kundërvajtjet administrative në fushën sigurisë
Pika e. e këtij neni thotë: Cënimi nëpërmjet bërjes së grafiteve ose shkrimeve, ndotjes me substanca të ndryshme apo me gërvishtja e ndërtesave private e publike apo objekteve të tjera publike, përveç rasteve kur kryhet në kuadër të veprimtarive artistike dhe me miratimin e strukturës përgjegjëse;
Si e cënon sigurinë publike “bërja e grafiteve ose shkrimeve” ? Gjykojmë se ky aspekt i nenit është i disproporcional dhe kufizon lirinë e shprehjes.
1 Criminalising homeless people – banning begging in the EU, European Association Working with the Homeless, Brussels, 2005
Lidhur me Nenin 11 për kundërvajtjet administrative në fushën e mjedisit
Pika 1, m “Kryerja e selektimit manual, kërkimit apo marrjes së mbetjeve të dorëzuara në kontejnerë,.”
Nga një masë e tillë do të preken në mënyrë të ndjeshme anëtarë të pakicave të komunitetit Rom, dhe Egjyptian dhe të varfër e të pastrehët të cilët nxjerrin të ardhura duke mbledhur materiale te riciklueshme. Edhe pse masa është e përgjithshme dhe aplikohet ndaj të gjithëve, të prekurit i përkasin kryesisht këtyre komuniteteve dhe kjo e bën këtë masë diskriminuese në mënyrë indirekte ndaj këtyre personave.
Për një çështje të ngjashme është shprehur edhe komisioneri për Mbrotjen nga Diskriminimi si edhe nga Avokati i Popullit. Praktikat e shkuara të ndjekura nga Bashkia e Tiranës kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës së përgjithsme dhe kushteve të jetesës së komuniteteve Rom dhe Egjiptian në kushtet kur nuk u sigurohen dhe ofrohen programe punësimi të përhershme dhe punohet me ta për të shtuar përfshirjen sociale. Për më shumë ju lutemi t’i referoheni shqyrtimit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit drejtuar Komisionit Evropian Kundër Racizmit dhe Intolerancës ku përmblidhen aktet dhe çeshtja e sipërpërmendur.
http://www.ahc.org.al/wp-content/uploads/2017/09/20170912163630881.pdf
Duke shpresuar dhe besuar në mirëkuptimin tuaj, ju kërkojmë të mos i miratoni këto pika të këtyre neneve.
Për më shumë informacion ju lutemi të kontaktoni përfaqësues të organizatave të listës së mëposhtëme.
_________________
Kjo deklaratë mbështetet nga organizatat: Qendra T’Reja, Levizja Rinore Egjiptiane Rome, Civil Rights Defenders, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, Qendra për Nisma Ligjore Qytetare, Qendra për Arsim Cilësor, Shërbimi Ligjor Falas Tirane – TLAS, Res Publica, Rromano Kham, Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri-AWEN.