Ditën e djeshme banorët e lagjes ‘Brigada 10 Sulmuese’, në qytetin Shijakut, u ngritën në “kundërsulm” ndaj një lajmi të marrë brenda pak orësh. Planet për ndërtimin e një inceneratori për mbetjet, duke përfshirë ato mjekësore dhe të kafshëve, vuri në alarm banorët që e mësuan lajmin në mënyrë “klandestine”.
“Në dhjetor 2016 Bashkia Shijak ka miratuar planin ‘Për menaxhimin e integruar të mbetjeve’ dhe në asnjë pikë nuk e përmend incenerimin e mbetjeve”, shprehet për Citizens Channel, juristja pranë bashkisë së Shijakut, Albiona Mehmetaj.
Investitori është një subjekt privat, “Jamarbër group sh.p.k”, ku sipas ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, aksioneri kryesor është shtetasi Arlind Lala.
Lala figuron si posedues i një klinike stomatologjike në Shijak dhe një në Durrës, si edhe i një subjekti privat, “PROFALBA”, me objekt aktivitetin e import-eksportit, tregtimit me shumicë e pakicë për materialet dentare, medikamente, transport urban dhe ekstraurban, ndërtime civile, urash, tregtim të artikujve të ndryshëm industrial e ushqimor etj. Aktivitete këto që janë themeluar që në vitin 2007.
Ndërsa në 13 mars 2017, ky individ së bashku me ortakun e tij, Igli Jakovija, kanë themeluar subjektin “Jamarbër group sh.p.k”, me objekt; “Trajtim, sterilizim, asgjësim, incenerim, tregtim import-eksport mbetjesh spitalore”.
“Që nga marsi i këtij viti, vija re punimet shtesë që po bëheshin tek pika e mermerit dhe pyesja se çfarë ishin. Më thonin se po ndërtojnë një dhomë për dezifektimin e pajisjeve dentare. Sot zbuluam se këtu qenkan mbledhur mbetje spitalore”, shprehet për “Citizens Channel një nga banorët aty pranë.
Bazuar në VKM-në “Për informimin dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore”, ky subjekt privat që do të ndërtonte këtë pikë për trajtimin e mbetjeve spitalore në një zonë të banuar, njohur edhe si “Lagjia e (fisit) Keçve”, duhej të merrte mendimin e banorëve dhe të dëgjonte propozimet e tyre.
“Në mujain prill, Bashkia Shijak është lajmëruar nga Drejtoria Rajonale e Mjedisit Durrës, ditën që do të kryhej dëgjesa publike, duke mos krijuar mundësinë që specialistët e mjedisit në bashkinë Shijak të shkonin në terren”, shpjegoi për Citizens Channel, juristja e bashkisë së Shijakut, Albiona Mehmetaj.
Pyetur nga ana jonë, banorët pohuan ditën e djeshme se në muajin prill nuk është bërë asnjë dëgjesë publike me ta dhe nuk kishin informacion për ndërtimin e një autoklave për trajtimin e mbetjeve spitalore.
Tentativa e këtij subjekti privat për të ndërtuar një incenerator, zbuloi një tjetër abuzim. Autoklava (metoda presion-avull për trajtimin e mbetjeve spitalore) që supozohet se është ndërtuar brenda një subjekti privat që merret me trajtimin e mermerit, është shumë larg parametrave teknikë dhe asaj që firma është zotuar tek Agjencia Kombëtare e Mjedisit se do të përmbushte.
Në relacionin teknik të paraqitur nga ky subjekt privat, ndër të tjera shkruhet, “Gjatë fazës së zbatimit të projektit nuk do të ketë emetime të gazrave, lëngjeve, mbetje toksike, helme të ndryshme dhe substanca të tjera të dëmshme, të cilat mund të ndikojnë negativisht në shëndetin e punonjësve, banorëve dhe mjedisin përreth.”
Sipas raportit teknik për nënshtrimin ndaj procedurës së thelluar të vlerësimit të ndikimit në mjedis, shkruhet se “…duhet theksuar se aktualisht në këtë sipërfaqe ushtrohet veprimtaria e asgjësimit të mbetjeve spitalore me paisjen Autoklavë”.
Nga vëzhgimi në terren i Citizens Channel, rezulton se magazina kishte sasi të mëdha mbetjesh spitalore të magazinuara aty, e një pjesë tjetër gjendej në një ambient tërësisht të hapur.
Specialistja e mjedisit pranë bashkisë Shijak, Merushe Çali, u shpreh për ne se, “Temperatura e ruajtjes së këtyre mbetjeve spitalore përpara trajtimit duhet të jetë 4-10 gradë celcius. Ndërkohë këto mbetje gjendeshin në temperaturën e ambientit dhe të vendosura në dhe, me shenja lagështire nga shirat e fundit, duke rrezikuar kontaminimin e tokës. Gjithashtu Bashkia Shijak nuk ka informacion se nga vijnë këto mbetje, që sipas ligjit duhen pasqyruar me regjistër hyrje-daljesh”.
Inceneratori, rrufe në qiell të hapur
Lajmi se aty mund të digjen mbetje spitalore dhe ato të kafshëve, përhapi panik tek banorët përreth, të cilët dëgjesën publike të firmës private, specialistëve të Drejtorisë së Mjedisit Durrës dhe atyre të Bashkisë Shijak, e kthyen në protestsë, me një ultimatum: Ndalimin me çdo kusht të ndërtimit të këtij inceneratori!
Drejtoria e Mjedisit Durrës, ashtu si në muajin mars, lajmërimin për dëgjesën me banorët, i’a dërgoi Bashkisë Shijak ditën që ajo do të zhvillohej. Megjithë shkeljen e afatit ligjor për lajmërimin e qeverisjes vendore, me të paktën 10 ditë më herët, specialistët e Bashkisë Shijak i’u bashkuan banorëve, me një qëndrim kundër ndërtimit të këtij inceneratori.
“Ky incenerator parashikohet që të ndërtohet brenda një pike përpunimi mermeri, ndërkohë që ligji dikton që të jetë në një zonë ku nuk ka aktivitete pranë dhe jo më në një zonë të banuar. Aty pranë, përgjatë muajve të dimrit krijohet një rrjedhë uji që vjen nga kodrat dhe derdhet në lumin Erzen. Ky ujë mund të përdoret nga banorët për vaditje dhe rrezikon të kontaminohet nga mbetjet spitalore që janë hedhur në ambientin e hapur aty pranë”, u shpreh për Citizens Channel, specialistja e mjedisit në Bashkinë Shijak, Merushe Çali.
Por në raportin teknik të paraqitur për ndërtimin e këtij inceneratori, shkruhet, “Vendi i përzgjedhur është i përshtatshëm pasi është mjaft larg zonave të banuara dhe nuk do të ketë probleme për banorët e zonës, gjithashtu në afërsi të projektit nuk ka burime ujore si lumenj, përrenj, kanale kulluese etj”.
Më tej në raportin teknik shkruhet se “kapaciteti trajtues i mbetjeve është 180 kg në ditë. Ndërsa inceneratori është një prodhim kinez, që nga kërkimet tona rezulton të kushtojë 28 mijë dollarë.
Djegia e pirolizës së gazuar që përdoret nga ky incenerator, ofron djegien e shumë llojeve të mbetjeve. Si mbeturinat spitalore mjekësore (fashë, letër/injeksion shishe me shiringë shishe, barna të skaduara etj.), trupa të kafshëve infektive të sëmura (lesh, flokë) të përdorur gjerësisht në kafshët e dëmtuara: derr, qen, mace, peshk, pulë, bagëti, etj., si edhe mbetjet e përditshme në shtëpi.
Më gjithë se brenda ambientit janë depozituar lëndë të rrezikshme dhe jo të rrezikshme spitalore, në hyrje të objektit nuk ka asnjë tabelë paralajmëruese për rrezikun, apo ndonjë informacion se aty ushtrohet veprimtaria e trajtimit të mbetjeve spitalore.
Për më tepër mungon tabela që njofton se nuk lejohet futja e personave të paautorizuar, duke marrë parasysh se në të njëjtin oborr punojnë punëtorët e mermerit, ku mund të paraqiten edhe klientët që kanë interes për këtë material.
Kështu nuk është transparente as se çfarë lloj mbetjesh do të djeg ky incenerator që do të ndërtohet në një sipërfaqe 100 metra katror, në një zonë të banuar dhe shumë të frekuentuar, pasi aty gjenden Varrezat e Reja të Shijakut.
Autor: Geri Emiri