Lajmin e ndryshimeve që kryeministri Edi Rama bëri në kabinet, Lulzim Basha e mori në pritjen e fundvitit me gazetarët e terrenit. Pasi trokiti gotat me ta, nuk mungoi reagimi publik për riformatimin e qeverisë.
“Ndryshimet në qeveri janë një tallje e madhe me shqiptarët, duke treguar se ai vendos kë të dojë dhe nuk ka kush ta ndalojë. Edi Rama sot mund të kishte vendosur ministër shoferin e tij, parukieren e tij dhe nuk ka kush ta ndalë. Më lejoni ta theksoj fare qartë: ministrat e larguar janë njerëz të korruptuar dhe të inkriminuar! Largimi i tyre nuk mjafton, ata duhet të dalin para drejtësisë. Por, me aktin e sotëm Edi Rama dëshmoi se ai nuk ka nevojë për ministra. Ai qeveris direkt me oligarkët dhe me krimin. Me ta ai përcakton se si grabiten pasuritë dhe paratë e shqiptarëve, me ta ka qeverisur këto 5 vite, me ta do të vazhdojë të qeverisë”, deklaroi Basha.
Edhe pse mes ministrave të larguar janë edhe ata të cilët opozita i ka akuzuar për korrupsion, për Lulzim Bashën, i pari që duhet të largohej është kryeministri: “Asgjë nga këto nuk e fsheh dot një të vërtetë të thjeshtë që çdo shqiptar e ka kuptuar: peshku është qelbur nga koka. Ajo që i ka ofruar shqiptarëve është një përzierje njerëzish të paaftë, anonimë dhe disa, madje, thellësisht të korruptuar. Por, roli i këtyre njerëzve nuk është gjë tjetër veçse të shërbejnë si fasada e qeverisjes së Edi Ramës me oligarkët dhe me krimin, me përfaqësuesit e krimit të organizuar. Ndryshimet në qeverisje tregojnë gjendjen e rënduar psiqike të Edi Ramës: i degraduar nga veset, i paralizuar nga paaftësia totale, i mbushur me urrejtje për njerëzit dhe i krimbur nga paratë që ka vënë, ai po sillet siç sillen njerëzit e degraduar kur i vjen fundi, po bën aktet e një të marri”./Top Channel