Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga atentati që ndodhi mbrëmjen e djeshme në fshatin Larushkë, pranë Niklës në Fushë-Krujë, ku Gentjan Bejtja dhe Klodian Stafuka u paraqitën pranë spitalit të Traumës të plagosur.
Ngjarja ndodhi pranë një karburanti, ndërsa të dy ata ndodheshin duke lëvizur me makinë, në momentin që janë qëlluar. Para trupit hetues, ata janë shprehur se nuk i kanë parë autorët.
“Ishim në Fushë-Krujë e po ktheheshim në shtëpi. Na doli në rrugë një makinë e zeze që qëlloi në drejtimin tonë. I dhamë makinës gaz që të shpëtonim nga plumbat. Nuk e pamë kush na qëlloi, vetëm dëgjuam breshërinë e plumbave. U shmangëm sa mundëm për të shpëtuar. Nuk i pame kush ishin se dolën nga errësira e na qëlluan,” mësohet se ka bërë me dije ish-polici.
Ata kanë deklaruar po ashtu se papritur janë gjendur në befasi nga plumbat dhe kanë humbur kontrollin e mjetit, duke përfunduar në anë të rrugës. Asnjë prej tyre nuk është lënduar nga plumbi. Bejtja është dëmtuar në krah, po plaga nuk është nga plumbi por nga xhami.
Ky i fundit nuk është i panjohur për policinë. Në vitin 2016, Bejtja i ka shpëtuar një atentati me eksploziv në makinë. Emri i Bejtjas është lidhur edhe me ngjarjen e vitit 2013, ku ai u akuzua bashkë me Enver Stafukën se vodhën makinën e përdorur në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt. Nga ana tjetër, policia ka nisur shoqërimet e para, por ende nuk ka asnjë të arrestuar për atentatin .