ARRSH i shtoi 23.6 mln euro, KPP rrëzon tenderin për aksin Kardhiq- Delvinë: Të rivlerësohen operatorët

0
184

Esmeralda Hida

Rruga Kardhiq-Delvinë ka shumë kohë që stërzgjatet si projekt dhe pavarësisht ankesave të shumta për tenderin, ARRSH jo vetëm që nuk ka marrë masa por ka vazhduar t’i shtojë fondin kompanisë që ka përsipër këtë projekt. Vetëm pak javë më parë Gijotina.com zbuloi me dokumente se si ARRSH ka hapur në shkelje të ligjit dy procedura të reja tenderuese për këtë aks, të cilat kapnin vlerën e 23.6 milionë eurove.

Për këtë procedurë është shpallur fitues bashkimi i kompanive “AGBES CONSTRUKSION” & “MELA” & “ALB SHPRESA”, të cilat kanë ofruar 1.35 miliard lekë. Sipas të dhënave në Agjencinë e Prokurimeve Publike për procedurën rezultojnë pjesëmarrëse 7 operatorë ekonomikë.5 kompani janë skualifikuar, pasi nuk kanë numrin e duhur të punonjësve, mjeteve dhe nuk plotësojnë kriterin që të kenë kryer punime të ngjashme. Në dokumentin zyrtar nuk ka asnjë argument se përse është skualifikuar dhe një kompani tjetër pjesëmarrëse në garë. Çka lë dyshime se tenderi nuk është dhënë sipas rregullave, por me shkelje dhe përfitime personale.

Këtë konstatim të Gijotina.com e vërteton sot ankesa që është bërë pranë KPP nga kompanitë që janë skualifikuar pa të drejtë dhe Komisioni i Prokurimeve ka pranuar kërkesën e tyre dhe duke i kërkuar ARRSH rivlerësimin e operatorëve. “Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) pranoi pjesërisht ankimimin e paraqitur nga bashkimi i dy operatorëve ekonomikë lidhur me tenderin që kishte në objekt “Ndërtim rruga Kardhiq – Delvinë, Loti 8 (Sinjalistikë dhe Siguri rrugore nga loti 1 deri ne lotin 6)””, thuhet në vendimin e KPP.

Më tutje në këtë vendim të Komisionit, konstatohet se, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) kishte shpallur fituese një tjetër kompani, ndërkohë që ankimuesit nuk ishin dakord me mënyrën sesi ishte bërë vlerësimi me pikë. KPP duke nënvizuar pranimin e pjesshëm të ankimimit ka kërkuar nga ARRSH të rivlerësojë operatorët ekonomikë pjesëmarrës në procedurën e prokurimit, referuar konstatimeve të vendimit.

Fondi limit për procedurën në fjalë ishte caktuar në 281 milionë lekë, ndërkohë që fituesi është shpallur me një ofertë ekonomike prej 220 milionë lekësh. Oferta e dytë ishte në vlerën 253 milionë lekë, kurse e treta sipas pikëve të marra dhe që përkon me ankimuesit ishte 240 milionë lekë. Mbetet i paqartë ndikimi apo renditja e re e kompanive me rishikimin që nënvizoi KPP.

Teksa ky është tenderi më i fundit i mbyllur mbi segmentin Kardhiq-Delvinë, ARRSH ka ende të hapur një tjetër procedurë që lidhet me lotin 8 të rrugës dhe që ka të bëjë me mbrojtjen dhe rivitalizimin e skarparave. Sipas kontratës, rruga duhet të përfundojë në gusht të këtij viti, por sikur duket  kompania që ka fituar deri më tani tenderin nuk mund të zbatoj afatin e kontratës, çka përbën drejtpërsëdrejti shkelje të saj. Ndërsa ARRSH deri më tani i ka mbuluar këto shkelje.