Policia e Tiranës ka parandaluar një ngjarje kriminale si dhe ka zbardhur dy ngjarje të tjera, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga një 37-vjeçar.
Në kudër të operacionit të koduar “Kontigjenti” u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit Perikli Doçi, banues në Paskuqan. Ai dyshohet se kishte siguruar për qëllime kriminale lëndë eksplozive, lëndë djegëse, armë zjarri dhe një motomjet pa targa, i dyshuar si i vjedhur.
Gjatë operacionit, i është bërë shenjë ndalimi motomjetit pa targa, me të cilin lëvizte Perikli Doçi. 37-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të Policisë, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, me motomjet. Si rezultat i ndjekjes policore, është bërë kapja dhe arrestimi i tij, në afërsi të liqenit të Paskuqanit.
Policia thote se në momentin e ndalimit, ai kishte vendosur një maskë silikoni për të fshehur identitetin.
Nga hetimet paraprake rezulton se i arrestuari dyshohet të jetë autor i dy ngjarjeve kriminale të ndodhura në muajin tetor 2025, në zonën e Paskuqanit. Konkretisht, më 3 tetor ai dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një banese në rrugën “Besim Cera” dhe më pas ka djegur automjetin e përdorur në afërsi të urës së Tapizës. Ndërsa më 17 tetor, në rrugën “Unaza e Madhe”, dyshohet se ka vendosur lëndë plasëse në një banesë, duke shkaktuar dëme materiale.
Njoftimi i policise
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, finalizuan operacionin policor të koduar “Kontigjenti”.
Gjatë operacionit, i është bërë shenjë ndalimi motomjetit pa targa, me të cilin lëvizte shtetasi P. D., 37 vjeç, banues në Paskuqan.
37-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të Policisë, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, me motomjet.
Si rezultat i ndjekjes policore, është bërë kapja dhe arrestimi i tij, në afërsi të liqenit të Paskuqanit.
Në momentin e ndalimit, është konstatuar se 37-vjeçari kishte vendosur maskë silikoni dhe gjatë kontrollit fizik dhe në motomjet, shërbimet e Policisë i gjetën sasi lënde eksplozive, gati për shpërthim, 10 litra lëndë djegëse dhe 1 armë zjarri (pistoletë) me municion.
Nga hetimet e mëtejshme dyshohet se shtetasi i arrestuar, P. D, më datë 03.10.2025, në rrugën “Besim Cera”, Paskuqan 1, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Q. K., dhe më pas ka djegur automjetin e përdorur gjatë kryerjes së krimit, në afërsi të urës së fshatit Tapizë, si dhe më datë 17.10.2025, në rrugën “Unaza e Madhe”, Paskuqan 2, ka hedhur një sasi lënde plasëse në banesën e shtetasit Rr. D., ngjarje nga e cila janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Më tej, dyshohet se motomjeti me të cilin 37-vjeçari u konstatua duke lëvizur gjatë natës, në rrugën “Mustafa Lita”, është i vjedhur.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të mundshëm të 37-vjeçarit, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale në të cilat mund të jetë përfshirë ai.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.










