Policia e Tiranës ka vënë në pranga në orët e fundit 4 punonjës të firmës që menaxhon landfillin e Sharrës në lidhje me vdekjen e një 17-vjeçari, trupi i pajetë i të cilit u gjet ditën e djeshme.
Lajmin e bëjnë të ditur burime policore zyrtare, sipas të cilave personat e arrestuar janë: Besnik Braha, përgjegjës firme; Edmond Kollari, drejtues ekskavatori; Bujar Daja, përgjegjës i punonjësve; dhe Defrim Hakrama, përgjegjës turni.
Sipas burimeve, 17-vjeçari me inicialet A.Gj rezulton se ishte punonjës sezonal në landfillin e Sharrës, por i paregjistruar tek firma e pastrimit. Ai dyshohet të jetë aksidentuar për vdekje nga një ekskavator gjatë punës.
Të arrestuarit akuzohen për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, ndërkohë që për drejtuesin e ekskavatorit rëndon edhe akuza e drejtimit të mjetit në mënyrë të parregullt.