“Ndërhyrjet e zotit Shyti” është libri më i ri i publicistit Ardian Vehbiu, botuar nga Dudaj, që nga mënyra se si është shkruar ngjan me ironinë e Konicës në “Dr.Gjilpëra”. Tematikat që ai trajton janë të ndryshme dhe enden mes emrash e çështjesh të ndryshme, duke nisur me: tabunë seksuale, gjestin e Nënë Terezës te varri i Enver Hoxhës, dijen dhe intelektin, çështjet e mbajtjes së trupit në formë dhe mëkatarëve, lindjen e kapitalizmit letrar dhe roleve të këmbyeshme mes shkrimtarit e lexuesit, një “debat” për një roman mbi një marrëdhënie incestuale, një koment për zhvillimet politike hipotetike, për këngëtaret që kanë zë të bukur (e që jo doemos duhet të jenë të bukura), ndalet te toleranca fetare e shqiptarëve, mandej inskenimet lebetitëse dhe një ndalesë te çështja LGBT, një vështrim mbi higjienën intime kombëtare, një qasje ndaj përgjimeve të shtetit apo të spiunazhit, për qortimet e bëra diku në inboks, diç e vogël për Luftën e Parë Botërore, në vijim janë: përgojimet, letërsia shqipe në Perëndim, një qasje ndaj lidhjeve të krimit dhe kulturës, shtetin e mbikëqyrjes dhe kamerave, një koment mbi/për ata që vranë të atinEnverin mbasi e kishin adhuruar, për sozitë në politikë, e jo vetëm”, shkruan Gazeta Shqiptare.
Autori në hapje të librit shkruan “Dy fjalë lexuesit”, ku sqaron zanafillën e këtij libri, ndërtimin e tij dhe më tej. “Qoftë edhe vetëm dhjetë vjet më parë, ky libër do të kish qenë për mua i pakonceptueshëm. Jo për nga ndërtimi, sepse letërsisë nuk i mungojnë personazhet burra në moshë të shtyrë, të rrethuar nga miq, nxënës e ndjekës, që flasin mbarë e mbrapsht për çështjet e ditës dhe ato të përjetshmet; së paku që nga Sokrati i dialogëve të Platonit e këtej”, thotë ai.
Pjesë nga libri;
Llojet e Inkompetentëve
- Inkompetenti që thjesht nuk di dhe e di që nuk di. Kjo lloj inkompetence nuk ndeshet shpesh, përveçse kur një post i bëhet dikujt dhuratë, edhe të gjithë e kanë të qartë, përfshi edhe atë person vetë, se ky emërim është pa kuptim, madje më keq akoma është fyerje për të gjithë. Ky lloj inkompetenti që e di se nuk di nuk rrezikon asgjë, pa pyetur të paktën vartësit.
- Inkompetenti që nuk di por që hiqet se di. Ky është më e rrezikshmi, sepse personi që nuk di ose di pak, por që hiqet se di ose di shumë, mund të bëjë dëme të mëdha. Ky është lloji më i përhapur i inkompetencës, që mbahet gjallë nga doktoraturat, specializimet, ëorkshopet, konferencat simpoziumet etj.
- Inkompetenti që nuk di, por që nuk e di që nuk di, madje ndonjëherë nuk e di dhe se çfarë duhej të dinte. Ky lëviz si në jerm, si në kllapi, ose si i verbëri në pazarin e gjësë së gjallë, duke u përplasur me të gjithë dhe duke u kërkuar pastaj të falur; sepse nuk kupton asgjë nga çfarë po i ndodh rreth e rrotull…
- Inkompetenti që di por nuk do. Ky përton të lodhë kokën, ose beson se duhej ta paguanin shumë më tepër, ose ta mbulonin me nderime, ose ngaqë e ka mendjen në punë a në qejfe të tjera. Ky lloj inkompetenti është pak megaloman por kur arrin të dëmtojë, dëmet i sjell katastrofike.
- Inkompetenti që di, por që kujton se nuk di, ose që nuk e di që di; sepse ndonjë shef a ministër do ta ketë tërrorizuar aq shumë, sa ky ta kalojë një pjesë të ditës me ideacione të vetëvrasjes, meqë i duket vetja parazit, gje e kotë, mashtrim që herët a vonë do t’i dalë boja; sepse ai që di por që kujton se nuk di jeton me frikën se një ditë do t’ia çjerrin maskën.
Skeda:
Ndërhyrjet e zotit Shyti