Nga Arben Llalla
Me rastin e 5 vjetorit të ndërrimit jetë të politikanit dhe ideologut të njohur Arbër Xhaferi po ribotoj një shkrimin tim rreth vlerësimit të figurës së tij. Me z.Xhaferi jam njohur në vitin 2002, kemi patur disa takime, por në vitin 2009, ai më kërkojë që të këshillohet me mua rreth disa çështjeve politike greko-shqiptare-sllavo-maqedonase. Pata fatin të shkruaj në kompjuterin e tij, analizat dhe opinionet, kjo si pasojë e sëmundjes që e rëndonte viteve të fundit të jetës. Ruaj me fanatizëm disa letra që më dërgoi muajve të fundit para se të ndërronte jetë. Këto letra do jenë pjesë e historisë në një kohë më të përshtatshme, atëherë kur shumë figura politike të mos jenë më, me qëllimin e mirë që të mos keqkuptohen dhe keqpërdoren.
Gusht, 2012
Të gjithë, në ditët e zisë për vdekjen e parakohshme të Arben Xhaferit, nxituan të thonin fjalë të mira, por harrojmë që disa prej atyre që vajtonin, e izoluan atë politikisht duke sabotuar idetë dhe programet e tij kombëtare, duke u ulur me vasalitet në prehrin e kundërshtarit.
Arben Xhaferi, në dukje, duket se dështoi në fushën e politikës, por në të vërtetë ai arriti suksese duke mbrojtur themelimin e UT, krijoi kushtet për themelimin edhe të një universiteti tjetër shqiptar në Tetovë, atë të UEJL dhe është ideatori i themelimit të Institutit të Studimeve në Shkup “Pjetër Bogdani”.
Xhaferi denoncoi ndërkombëtarisht racizmin shtetëror të Maqedonisë të çdo gjëje shqiptare etj. Çdo kush ka patur mundësinë që të shohë deklaratën e z.Arben Xhaferi pas firmosjes së Marrëveshjes së Ohrit, kur ai foli në gjuhën shqipe dhe ky veprim diplomatik i tij i pengoi politikanët maqedonas, të cilët u distancuan zyrtarisht.
Deklarata në gjuhën shqipe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit ishte demaskim publik që Arben Xhaferi i bëri shtetit të Maqedonisë në sy të diplomatëve të huaj, të cilët u habitën nga veprimet distancuese të drejtuesve shtetëror maqedonas për gjënë më të thjeshtë, sepse Arben Xhaferi foli në gjuhën e tij kombëtare.
Arben Xhaferi ishte njeri modest dhe i kuptueshëm, që diti të lexonte mentalitetin dhe mendimet e popullsisë shqiptare në Maqedoni. Pata rastin të bashkëpunoj ngushtë disa kohë me të, të këshillohej me mua rreth çështjes politike midis Greqisë dhe Maqedonisë. Ai pajtohej për çështjen e emrit të Maqedonisë me çdo emër, përveç që kjo Republikë të mos të kishte përmbajtje të emrit SLLAVË.
Në fund të vitit 2008, si anëtar i Forumit Imazh dhe Media propozova që Arben Xhaferi të shpallej POLITIKANI I VITIT I TREVAVE SHQIPTARE nga ky Forum, një çmim që e meritonte, por që nuk mbërriti në dorën e tij ashtu siç e meritonte. Ai mu lut që mos të bëhej zhurmë për këtë vlerësim të madh që i bëhej.
Ai do mbetet njeriu që diti të bënte politikë me shqiptarët e Maqedonisë duke i njohur shumë mirë në kulturë dhe psikologji. Ishte nacionalist që e vuante në shpirt përçarjen e shqiptarëve. Asnjëherë nuk u mor me shkrime të politikës ditore, nuk botoi asnjë shkrim që të kritikonte politikanët shqiptarë andej dhe këtej kufirit edhe pse ata i meritonin kritikat për politikën e keqe që bënin.
Arben Xhaferi nuk besonte në religjione por në ZOT. Nuk ishte përkrahës i politikës nënshtruese të shqiptarëve ndaj Turqisë dhe Greqisë, por vështronte nga Perëndimi. Tek e fundit, Arben Xhaferi mendonte dhe vepronte si Rilindasit me parullën FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA. Ai ishte vazhduesi i linjës së politikës së Hasan Prishtinës.
Kush pati mend e kuptoi atë, kush nuk pati mend nuk e kuptoi dhe nuk ka për t’i kuptuar asnjëherë Rilindasit.
Familja, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë i bënë nderime dhe një varrim të thjeshtë ashtu siç ishte vetë Arben Xhaferi. Shumica e politikanëve të Tiranës dhe Prishtinës ishin atë të ditë për të përcjellë trupin e pajetë të njeriut vizionar që edhe i mundur nga sëmundja prej vitesh nuk e ndali kontributin për çështjen kombëtare.
Atë ditë në varrim munguan dy figurat qendrore të Tiranës, Sali Berisha dhe Fatos Nano të cilët i kanë disa borxhe të pashlyera politike Arben Xhaferit. Ai nuk e meritonte mos ardhjen e tyre për të hedhur një grusht dhe, nuk ka asnjë justifikim për këta dy politikanë që z.Xhaferi iu është gjendur në ditë të vështira atyre.
Foto: Zv.ministrja e Kulturës Suzana Turku duke i dhuruar të autorizuarit z.Arben Llalla, çmimin POLITIKANI I VITIT I TREVAVE SHQIPTARE, për z.Arbër Xhaferi i cili për arsye shëndetësore nuk mundi të vinte vetë të merrte këtë çmim.