Nga Mustafa Nano
Që Andrea ishte sëmurë rëndë, këtë e kisha marrë vesh prej muajsh. Fillimisht ma kish thënë Ilir Yzeiri, që ka qenë, në dijeninë time, më i afërti mik i Andreas në këto vitet e fundit. Më pas, ma tha vetë Andrea në një bisedë telefonike që patëm. Ne i kishim të rralla bisedat telefonike. Takimet, gjithashtu. Nuk frekuentoheshim, siç thuhet në raste të tilla. Por, kur takoheshim rastësisht, rrinim gjatë e flisnim për shqetësimet tona publike. Gjithnjë për ato. Edhe ajo bisedë telefonike e fundit rreth shqetësimeve të tilla u vërtit. Më mori, ngaqë kish lexuar një intervistë timen, në të cilën kritikoja mazhorancën, sidomos kryeministrin. “Jam dakord, këta e kanë hak t’u biesh, por ….”, më tha, dhe me “por”-in kishte parasysh gjëra që gjithkush që e ka ndjekur Andrean mund t’i marrë me mend. Ai mund t’u jetë dukur shumë vetëve irracional e emocional në qëndrimet që ka mbajtur, por thellë-thellë ka qenë më racional se të gjithë këta njerëz, që edhe e kritikonin. Ja, më thoni, ka gjë më racionale se sa të besosh që e keqja më e vogël është by default e mira më e madhe? Këtë gjë e mendoj edhe unë gjithë kohën, s’ka gjë se më ndodh tek-tuk të lodhem nga, e të veselitem me, betejat e përjetshme me të njëjtët armiq. Andrea nuk lodhej, e dukej sikur i pëlqente një si lojë nervash e garë energjish me ata që kish përballë. Dhe unë e kisha zili. Kam menduar gjithë kohën se shoqëria kish dobi më shumë prej tij se sa prej meje. Edhe nevojë, gjithashtu.
Përveç kësaj, Andrea më pëlqente ngaqë, në ndryshim nga shumë kolegë tanët, nuk kish kompleksin e të paanshmit. Nuk e keni vënë re që një pjesë gazetarësh ndihen gati të përndjekur nga ky kompleks? Duan t’u thonë të gjithëve se “unë nuk jam i blerë” dhe në një shoqëri si kjo shqiptarja, ku pas çdo opinioni a gjesti publik, njerëzit shohin një hesap a interes a poshtërsi, kjo është një kartë që funksionon, s’ka gjë se jo edhe aq, ngaqë në fund të fundit edhe për “të paanshmit” (edhe unë e kam këtë kompleks herë pas here) njerëzit e kanë gati hakmarrjen. “Duan të na hedhin hi syve; duan të duken si të ndershëm”, thonë. E shpesh nuk e kanë gabim. Ndërsa Andrea nuk e kishte këtë kompleks. Ose le të themi që e kish më pak se të tjerët. Ai llogaritë parapëlqente t’i bënte me bindjet e veta, më saktë me bindjen e vet, që fare mirë mund të përmblidhej ashtu si e thashë më sipër: e keqja më e vogël është rëndom e mira më e madhe. Të jepte përshtypjen se ishte i kënaqur që rrethanat ende e lejonin të zgjidhte të keqen më të vogël. Në ndonjë kohë tjetër, në të cilën do t’i duhej të zgjidhte mes dy të mirave, do të ishte më pak i kënaqur. Dhe me të drejtë, apo jo? Edhe kjo është një gjë logjike.
Por, po kthehem te biseda e fundit që patëm, në fund të së cilës e pyeta për shëndetin. Duhet të ketë qenë ndonjë moment, në të cilin ai ka pasur iluzionin se po e mundte sëmundjen. Ose ndoshta kjo ishte mënyra që ai kish zgjedhur për t’u përballur me sëmundjen. Nuk donte ta pranonte që ishte sëmurë. Këtë e thosh edhe Moikom Zeqo në një shkrim të tijin, teksa kujtonte një takim rastësor të tijin me Andrean që kish ca kohë që bënte kimioterapi. Dhe duhet besuar kjo situatë. Edhe në ditët e veta më të rënda, ai nuk hoqi dorë së shkruari artikuj dhe demonstronte të njëjtin pasion luftarak e të njëjtin zell për t’u përballur (një nga polemikat e fundit e ka bërë me mua, pas asaj telefonate, për të cilën ju fola në krye). “Pasioni për të vijuar me betejat e veta e mban gjallë”, më tha dikush e unë nuk mora vesh, nëse këtë gjë e kish nga koka e tij apo ia kish thënë Andrea vetë. Kjo është forcë karakteri. Do ishin të shumtë ata që do bënim një pauzë, një tërheqje, një paqe me shpirtin e tyre të trazuar, një paqe edhe me botën, në rast se do ishin mbërthyer nga një sëmundje e rëndë. Ndërsa Andrea nuk i vari armët në mur për asnjë çast.
Dhe të mendosh se nuk janë të paktë ata që nuk ia pëlqenin qëndrimet apo mënyrën se si këto qëndrime i shprehte e i mbronte. Për ta ulur në peshë, këto qëndrime ia merrnin thjesht si qëndrime “kundër Berishës”. Këtë gjë kishin bërë edhe dje nja dy syresh. Edhe Berisha vetë që kurrë nuk mësoi qyqari të heshtë, atëherë kur duhet të heshtë.
Por, nuk është vetëm Andrea viktimë e këtij lloj leximi. Jemi, kush më shumë e kush më pak, të gjithë. Lexohemi si pro apo kundër dikujt me pushtet. Ky është leximi më i përciptë e më përtac që mund t’i bëhet dikujt që shkruan. Alibinë e kanë të gatshme: të gjithë ne jemi, me dashje apo pa dashje, pro a kundër dikujt me pushtet. Por kjo në shumë raste është e vetmja mënyrë ose le të themi mënyra më e mirë, për të shprehur shqetësimet tona publike, në mos për t’ju bërë me dije të tjerëve vizionin tonë për botën. Të refuzosh dikë është mënyra më e mirë për të pohuar një gjë. Dhe prandaj, nuk është refuzimi i dikujt që duhet të shohim. Por pohimi i diçkaje.
Post Scriptum: Po ju tregoj një ngjarje që ka lidhje po me Andrean. Dhe me paaftësinë time për të ngushëlluar dikë që duket se është duke jetuar ditët e fundit. Isha në spitalin “Nënë Tereza”. Isha tok me nënën time që kish një problem me tensionin. Ndërsa një nga mjekët po i bënte një kontroll, unë dola në holl. Kokulur, po merresha me celularin, kur ndiej që m’u afruan dy vetë. “Andrea Stefani është sëmurë?”, më pyeti njëri prej tyre. “Nga e di që është sëmurë?” “Sapo hyri. Ishte i prishur në fytyrë. Dukej që s’ishte mirë”, vijuan ata. Bëra andej nga më thanë se kishin çuar Andrean dhe te dera pashë se e kishin vënë në një dhomë ngjitur me time ‘më, e cila nuk e kish vënë re. Ndryshe do ish’ e para gjë që do më kish thënë, siç bën gjithnjë, kur i qëllon të shohë njerëz publikë. Të gjithë njerëzit publikë i duken si miq të mi. Andreas, nga pragu i derës ku isha unë, i dukeshin këmbët. I njoha këpucët, të cilat edhe po t’i kish një mijë palë të ndryshme, i ngjanin njësoj. Kjo është pjesë e stilit të njeriut. Në këtë rast, e stilit të Andreas.
Por, unë mbeta te dera. Nuk më bënë këmbët të shkoja më tutje. Mund ta kisha parë për herë të fundit, por nuk e pashë. Më ka mbetur në mendje fakti që s’munda të çapitesha deri te Andrea. Dhe nuk di, pse mendoj që më vjen mirë që nuk pata fuqi t’i bëja ato pesë hapa.
/mapo.al/