Enkelejd Alibeaj dhe Sali Berisha janë bashkuar në këtë seancë parlamentare dhe të dy kërkojnë që të hapet debati ndërsa pritet të miratohen ndryshimet në qeveri.
“Është një vendim i cili merret në kuadrin e monizmit të plotë të vendosur nga mazhoranca e drogës dhe e krimit. Në këtë rast dua t’i them Edi Ramës se çdo lloj xhakete që të veshësh e zhveshësh, asgjë nuk të heq qyrkun e vjedhësit. Në rast se do flisnim, do u faktonim shqiptarëve se padrinoja i Arben Ahmetaj e ka emrin tender begu Edi Rama. Në emër të ligjit të këtij parlamenti, hap debate sic parashikon rregullorja dhe mos përdorni arbitraritetin”, tha Berisha.
Propozimet e Ramës për shkarkimin nga detyra e zv/Kryeministrit Arben Ahmetaj dhe emërimin ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në këtë detyrë, si dhe emërimi i Majlinda Dhukës si ministre shteti për Integrimin, që njëherazi do të jetë dhe kryenegociatore e Shqipërisë gjatë procesit të anëtarësimit në BE, mbërritën në zyrën e Begaj një ditë pasi ai mori detyrën, i cili një ditë më vonë nënshkroi dekretete e propozuara nga Rama.