Albin Kurti flet në lidhje me përplasjen që pati me Edi Ramën, zhvillimet në Kosovë dhe idenë e vazhdueshme të tij, për bashkimin kombëtar.
Z. Kurti, para disa ditësh ju reaguat ndaj deklaratës së Kryeministrit të Shqipërisë, z. Rama lidhur me qëndrimit e Kryeministrit të Kosovës për demarkacionin e kufirit Kosovë – Mali i Zi, çfarë ju shqetësoi aq shumë në atë deklaratë?
Mendoj se deklarata e z. Rama ka ardhur si pasojë e mungesës së informacionit të plotë mbi çështjen, ose si pasojë e ndonjë keqinformimi të porositur nga kanale të kontrolluara prej z. Thaçi, i cili është shumë i interesuar që të zbatohet marrëveshja e padrejtë për demarkacionin. Por ajo marrëveshje nuk do të zbatohet, për shkak se argumentet e ekspertëve, por edhe dokumentet tregojnë se ajo linjë demarkacioni është gabim. Sigurisht që do të ketë një marrëveshje tjetër për demarkacion, dhe do të vendoset linja e drejtë kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi. Është për t’u vlerësuar se pala malazeze nuk po këmbëngul në vijën kufitare që pretendon Thaçi, dhe është e hapur për diskutim.
Ne reaguam për të korrigjuar atë që neve na u duk qëndrim i gabueshëm. Por mendojmë se ky debat tashmë është i mbyllur, pasi vetë z. Rama e pranoi se ai është një person që nuk fal as det e as tokë, dhe kjo është pikërisht ajo çka ne presim prej tij e prej çdo politikani shqiptar. Deti e toka e shqiptarëve janë të dyja njësoj të rëndësishme, dhe janë çështje e sovranitetit të jashtëm kombëtar, dhe si të tilla, nuk i përkasin politikanëve, por popullit. Andaj mendoj se asnjë politikan nuk duhet të falë as det e as tokë.
Nga reagimet e autoriteteve të Malit të Zi dhe SHBA-ve e BE-së duket se nuk është temë e pëlqyeshme rihapja e përmbajtjes së marrëveshjes së demarkacionit. A besoni se komisioni që emëroi Kryeministri Haradinaj me ekspertët që e kundërshtonin demarkacionin, do të ketë kurajën ta mbrojë qëndrimin para partnerëve ndërkombëtarë?
Temë e pëlqyeshme për ta mund të mos jetë, sepse sigurisht që janë të interesuar ta mbyllin sa më shpejt këtë çështje. Por këtu bëhet fjalë për territor të Kosovës, dhe ne nuk mund të lejojmë që shpejtësia të jetë në kurriz të drejtësisë.
Po e përsëris që ne nuk jemi të interesuar në vonimin e marrëveshjes së demarkacionit, por veç në korrigjimin e saj. Kufiri duhet të jetë i drejtë, sipas dokumenteve e hartave historike.
Kam shpresë se ekspertët dhe shkencëtarët që kanë integritetin profesional do ta mbajnë qëndrimin e njëjtë. Po ashtu, mendoj se z. Haradinaj nuk do të lëshojë pe në këtë drejtim. Ai e ka pohuar këtë edhe vetë, në një përgjigje që ia ka dhënë z. Rama.
Si mendoni ju që do të zgjidhej drejtë dhe pa pasoja marrëveshja e paratifikuar nga Kuvendi i Kosovës për versionin Thaçi të demarkacionit?
Marrëveshja duhet të rinegociohet. Por versioni mbi të cilin duhet të nisë rinegocimi, duhet të jetë një version i punuar prej akademikëve dhe ekspertëve të hartografisë e gjeografisë historike.
Ky rinegocim nuk e pengon asnjë proces të rëndësishëm gjeopolitik. Tashmë Mali i Zi është në NATO, dhe Kosova është sigurisht aspirante për integrimet euroatlantike, pra parimisht ne jemi në të njëjtën anë gjeopolitike me Malin e Zi. Kjo situatë e favorizon mirëkuptimin mes Kosovës dhe Malit të Zi. Kosova nuk kërkon tokë të Malit të Zi, dhe Mali i Zi nuk besoj që kërkon tokë të Kosovës.
Në fakt, ajo që quhet marrëveshje e demarkacionin nuk është as marrëveshje dhe as e demarkacionit, sepse nuk mund të jetë marrëveshje përderisa nuk ratifikohet në Kuvendin e Kosovës dhe as e demarkacionit përderisa Komisioni paraprak ka bërë delimitim, përkatësisht ndryshim kufiri, e jo demarkacion. Ajo ‘marrëveshje e demarkacionit’ ngeli veçse një ujdi e ministrave të asokoshëm të jashtëm e të brendshëm, z. Hashim Thaçi dhe z. Skënder Hyseni, me homologët e tyre malazezë.
Nëse sërish ju vjen në Kuvendin e Kosovës në mospërputhje për çfarë janë kërkesat tuaja a do t’i shohim sërish skenat e dy viteve më parë?
Nuk besoj që do të vijë kjo marrëveshje në Kuvend. Qeveria aktuale është shumë e dobët dhe në çdo moment mund ta humbasë shumicën, ndaj nuk besoj se do të merren me çështje problematike si demarkacioni e “Zajednica”. Ne presim nga kjo qeveri të merret me zhvillimin ekonomik, vendosjen e drejtësisë, luftimin e korrupsionit. Nëse kjo qeveri dëshiron t’i hapë probleme vetes, atëherë do të jetë më keq për të.
Sa i përket protestave në Kuvend, nuk besoj se do të ketë nevojë më, për arsyet që përmenda më lart, por edhe për faktin se tashmë Lëvizja VETËVENDOSJE! është dyfishuar, ndërsa në koalicionin qeverisës ka deputetë që nuk do të pajtoheshin me atë demarkacion. Jemi në gjendje t’i ndalim pa patur nevojë për skena të tilla.
Ju e keni vënë në diskutim plotfuqishmërinë dhe legjitimitetin e qeverisë Haradinaj, së fundi edhe në kontestimin e ministrit serb Nenad Rikallo, pse mendoni që Haradinaj është i papërshtatshëm për Kryeministër?
Ministri Rikallo është akuzuar nga ish-fqinjët e vet për keqtrajtime e dhunime para e gjatë luftës. Një njeri i tillë është i papranueshëm, jo vetëm për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por edhe për mbarë shqiptarët e Kosovës. Ne nuk e kontestojmë atë për shkak se është serb, pasi ka shumë serbë të Kosovës, ndoshta shumica e tyre, që nuk janë përfshirë në krime e keqtrajtime ndaj shqiptarëve. Mirëpo, ne po kontestojmë personin, individin Rikallo, për të cilët shumë qytetarë të Kosovës kanë mbledhur dëshmi që e implikojnë në raste të tilla. Janë njëzet dëshmitarë që janë lajmëruar!
Kryeministri Haradinaj nuk duhet të fshihet prej përgjegjësisë duke thënë se e ka pyetur Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Policinë apo Prokurorinë e Kosovës. Përballë ka dëshmitë e mbledhura prej qytetarëve të vendit të tij, ai duhet të shkarkojë ministrin Rikallo në mënyrë që të nisin hetimet e pavarura. Mirëpo, po duket se Haradinaj nuk guxon të sfidojë Listën Serbe e cila ia garantoi qeverisjen.
Ju jeni politikani më i votuar në Kosovë, për disa muaj rresht, pas zgjedhjeve gjithkush priste që ju të formonit qeverinë, çfarë ndodhi? Çfarë nuk shkoi mirë me Isa Mustafën e Behgjet Pacollin?
Ne kemi qenë të hapur, madje të interesuar për bashkëpunim, dhe kemi kontaktuar vazhdimisht me partitë e tjera, LDK e AKR. Mirëpo nga z. Mustafa nuk ka pasur shumë interesim. Prej mesit të korrikut e deri në shtator ai nuk ka kontaktuar fare me ne. Mungesa e interesit nga z. Mustafa kontribuoi në largimin e z. Pacolli, i cili më pas u bashkua me qeverisjen Haradinaj.
Z.Mustafa nuk ka treguar seriozitetin e nevojshëm për ta dërguar PDK-në në opozitë, dhe kjo është hera e dytë. Hera e parë ka qenë në vitit 2014, kur nuk i rezistoi presionit dhe shkoi vetë në koalicion me PDK, hera e dytë është tani, kur u mënjanua, dhe e pamundësoi koalicionin mes Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe LDK.
Megjithatë, Lëvizja VETËVENDOSJE! po rritet, dhe do të vazhdojë të rritet. Tashmë jemi subjekti i parë parlamentar në Kosovë, dhe së shpejti do të fitojmë disa komuna të mëdha anembanë Kosovës. Nuk është këtu çështja se Albin Kurti është deputeti më i votuar, por çështja është se disa komuna do të mund t’i fitojmë pa balotazh dhe mbi dhjetë sosh gjithsej pas balotazhit.
Ju jeni të deklaruar si forcë e qendrës së majtë, si planifikoni ta ndërtoni koalicionin në zgjedhjet e ardhshme?
Ne jemi e vetmja forcë e majtë parlamentare në Kosovë, prandaj jemi të detyruar që koalicionet t’i bëjmë me forca që vijnë nga qendra e djathtë. Parimi jonë është që politikanët e përfshirë në krime ndaj kombit, ndaj shtetit e ndaj individit nuk duhet të jenë në qeverisje, andaj jemi kundër bashkëpunimit me PDK.
Kemi qenë dhe jemi të hapur për bashkëpunim me partitë e tjera, por jo në baza të ndarjes së posteve, por në baza të dakordimit programor, mbi detyrat dhe hapat e qeverisë.
Besojmë se edhe në partitë e tjera opozitare, sidomos tek LDK, duhet të marrë përgjegjësi një grup i ri politikanësh, të cilët do të jenë pak më aktivë dhe më këmbëngulës për largimin e PDK-së nga pushteti.
Ju folët këto ditë për modelin gjerman të bashkimit duke rikujtuar kauzën e bashkimit të shqiptarëve. Gensher në 1989 i korrigjoi gazetarët ndërkombëtarë duke saktësuar se nuk bëhej fjalë për “ribashkimin e Gjermanisë” por për “bashkimin gjerman”. A e kemi në Shqipëri një arkitekt, një Uilli Brand apo një Helmut Kol?
Ka dy qëndrime për këtë çështje. Britania, Franca, Italia e Polonia, të cilat ishin kundër bashkimit të Gjermanive për arsye vetjake, e quajtën “ribashkim”, pasi ishin të interesuar që kjo të tingëllonte si një ripërsëritje e historisë.
Ndërsa gjermanët, edhe në rastin e Gensherit që përmendni ju, por edhe në shumë raste të tjera, edhe sot e kësaj dite, e quajnë “bashkim”. Pasi është hera e parë që këto dy vende bashkohen, por edhe për shkak se nuk ka asnjë histori që do të përsëritet. Gjermania u bashkua demokratikisht, me një perspektive të progresit, të vlerave njerëzore, por edhe të evropianizmit. Këtë mund ta shohim edhe sot. Bashkimi i Gjermanive solli mirëqenie e zhvillim për gjermanët, por edhe një shtyllë të fortë për projektin evropian.
A e kemi ne një Vili Brand apo një Helmut Kol, unë këtë nuk e di, pasi mendoj se rasti i Shqipërisë dhe i Kosovës ka dallime të mëdha me rastin e Gjermanive. Në fakt e vetmja ngjashmëri është se kemi të bëjmë me kombe që dëshirojnë të bashkohen. Por Shqipëria e Kosova kanë përparësi të mëdhaja, për shkak se në historinë e tyre nuk e kanë ndonjë moment që i bën fajtor, siç e pati Gjermania momentin e Luftës së Dytë Botërore. Ne si shqiptarë nuk ka nevojë të kemi komplekse. Bashkimi jonë nuk rrezikon asnjë fqinj, dhe ne nuk kemi në historinë tonë “njolla”. Bashkimi jonë duhet të jetë dhe do të jetë demokratik, progresist, i fokusuar te zhvillimi ekonomik dhe institucional i shqiptarëve, në marrëdhënie korrekte me fqinjët, dhe evropianist.
Sot u bënë 17 vjet që prej rrëzimit të Milosheviçit në Serbi? Çfarë mund të thuhet sot për ndryshimet atje?
U rrëzua Milosheviqi, por jo edhe regjimi i tij. Rrjedhimisht, trashëgimia e tij politike dhe ideologjike gjallon. Meqë kanë ndryshuar rrethanat, kanë ndryshuar edhe mjetet e mënyrat, porse jo motivet e qëllimet, premisat e synimet. Mbase vrasja e ish kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, më 12 mars 2003, e fundosi potencialin demokratizues e progresist në Serbi. Sot, grupi më i madh i miqësisë në Kuvendin e Serbisë është ai i miqësisë parlamentare Serbi-Rusi me 131 deputetë nga gjithsej 250 sa ka Kuvendi atje! Jo vetëm që Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe mirëmban strukturat e saj paralele në çerekun e territorit të Kosovës të lëna aty nga Milosheviqi në vitin 1999, por ajo nuk ndjen kurrfarë pendese për krimet nga e kaluara. Për të qenë edhe më keq se kaq, me proces gjyqësor në Serbi është rehabilituar figura e kryeçetnikut Drazha Mihajloviq dhe kjo tash po bëhet edhe me kryeministrin e qeverisë pro-naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, Milan Nediq.
Së fundi, por jo për nga rëndësia, çfarë rezultati prisni për Vetëvendosjen në zgjedhjet lokale të 22 tetorit?
Kandidatët i kemi shumë të mirë, programin edhe më të mirë. Unë nuk jam i përfshirë në shtabet zgjedhore personalisht, shkoj vetëm në aktivitete ku jam i ftuar, por me sa po shoh ka entuziazëm të madh. Sondazhet na tregojnë se organizata jonë do të fitojë më shumë se gjysmën e komunave në Kosovë. Pasi që nga zgjedhjet e 11 qershorit u bëmë partia më e madhe në Kuvend, subjekti i parë në vend, pas zgjedhjeve të 22 tetorit, përkatësisht balotazhit të 19 nëntorit, në qeverisjen tonë lokale do të kemi shumë më tepër komuna se cilado parti tjetër. Fitorja jonë e 11 qershorit do të thellohet dhe zgjerohet.
/Tema/