“Për herë të parë në historinë 27-vjeçare post- komuniste të Shqipërisë, organi i akuzës i sekuestron pronat, një ish Prokurori të Përgjithshëm.” Kështu e nis raportimin rreth lajmit të bujshëm, media publike gjermane “Deutsche Welle”, pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda në Tiranë, për vendosjen e sekuestros preventive të një liste të gjatë pronash të vendosura në rrugë të dyshimta, të cilat figurojnë zyrtarisht në emër të Adriatik Llallës.
Sipas DW “hetimet filluan kur media (Alpenews.al) bëri transpartente për publikun fakte dhe dokumenta zyrtare që tregonin për shitblerje tokash, ullishtesh në sipërfaqje të mëdha. Formula e pastrimit të parave ishte: blej shumë lirë, bëj më pas rivlerësimin e tokave të blera dhe shiti 20-30 herë më shtrenjtë. Dokumentat zyrtare të botuara në median e Tiranës treguan edhe për transaksione financiare të ish Kryeprokurorit, me persona me precedentë penalë që lidhen me krime të rënda.”
Adriatik Llalla e ka shënuar emrin e tij në panteonin e zi të post- komunizmit, jo vetën si shqiptari i parë, por madje si zyrtari i parë në botë, të cilit Departamenti Amerikan i Shtetit i ndaloi në shkurt të këtij viti, hyrjen në SHBA, për shkak të përfshirjes së tij në raste të mëdha korrupsioni. Përpara kësaj mase, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, i kishte refuzuar Llallës, vizën e udhëtimit, sëbashku me një grup ish vartësish, bashkëpunëtor të tij shumë të afërt në sistemin e prokurorisë. Sekretari Rex Tillerson firmosi masën e ndalimit të hyrjës nsë Amerikë edhe për bashkëshorten Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe djalit, Adi Llalla që nuk e kanë shtetësinë amerikane.
Adriatik Llalla është i pari Kryeprokuror në historinë e post- komunizmit shqiptar që e përfundoi të plotë mandatin e tij si Kryeprokuror. Sikundër, ai është i pari drejtues i organit të akuzës për të cilin opozita shqiptare thirri mbështetësit jashtë Parlamentit dhe gati e dogjën sallën brenda, në përpjekjet për të mos lejuar zhvillimin normal të seancës për zëvendësimin e tij, nga një Kryeprokuror tjetër.
Adriatik Llalla është i pari kryeprokuror në historinë e post-komunizmit shqiptar që erdhi nga një post tjetër i lartë si ai i Kreut të Inspektoriatit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të zyrtarëve të lartë, duke luajtur shpeshherë në publik me kartën e ish të persekutuarit politik dhe të një njeriu të cilit i ishte dhënë vetëm në një moshë të madhe e drejta e vazhdimit të studimeve të larta për jurisprudence, për të dhënë edhe kështu kontributin e tij që më në fund “drejtësia të bëhej edhe në Shqipëri”.
Adriatik Llalla është i pari kryeprokuror në historinë e post- komunizmit shqiptar për të cilin mediat thonë se ka shkuar në shkollën e lartë, pa përfunduar shkollën e mesme. Ose e thënë ndryshe, është regjistruar në shkollën e lartë, nëpërmjet falsifikimit të dosjes së pranimit të studentit, ku ka depozituar një diplomë të falsifikuar të gjimnazit. Ditët e fundit, mediat raportuan se ky fakt po hetohet në terren, ndërkohë që vetë ish Kryeprokurori i Republikës, asnjëherë deri më sot, nuk e ka përgënjeshtruar një akuzë të tillë kaq të rëndë, apo të bënte publike dëftesën e shkollës së mesme, që siç ka deklaruar e ka ndjekur në rrethin e Gramshit.
Adriatik Llalla duke gëzuar statusin e ish-Kryeprokurorit të Shqipërisë, e shënoi emrin i pari nga të gjithë pjestarët e sistemit të drejtësisë së post- komunizmit, që iu shmang me procedurë procesit të vettingut, duke shfrytëzuar një ndryshim të diskutueshëm nga ana e Gjykatës Kushtetuese, në ligjin “themelor” të reformës në drejtësi. Por as kjo manovër, nuk e shpëtoi dot atë, nga hetimi penal në lidhje me pasuritë dhe pronat, të cilat sapo u sekuestruan nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Adriatik Llalla është i pari në historinë e post- komunizmit shqiptar, që e lidhi karrierën e tij gjatë ushtrimit të funksionit të Prokurorit të Përgjithshëm, në simbiozë të plotë me vartësen e tij të preferuar, ish Drejtoreshën e Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe të Dekriminalizimit, Rovena Gashi. E si dikur, kur të dy e bënin bashkë “shqiponjën” në drejtimin e organit të akuzës, edhe tani nuk i kanë shpëtuar dot fatit të përbashkët, për të qenë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria, me akuza pothuajse identike.
Ky është me sa duket, fundi i pashmangshëm i çdo modeli tranzicioni të ngjizur, katapultuar e pompuar në majat e drejtësisë së vjetër, për interesat e politikës së ditës, bazuar mbi histori, personazhe dhe karriera false.
https://alpenews.al/alfred-peza-adriatik-llalla-fundi-i-nje-modeli-fals