Nisma e Veliajt u prezantua gjatë një aktiviteti me nxënës të shkollave
“Adopto një qen rruge” është nisma më e fundit e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, e prezantuar në Ditën Botërore të Kafshëve Endacake. Sipas tij nisma kontribuon për një qyteti më të mirë. “Ajo që ne bëjmë këtu, bashkë edhe me doktorët e kafshëve, është që kafshët që vijnë nga rruga i vaksinojmë, i sterilizojmë që ato mos të shumohen më shumë, por ama pastaj vazhdojnë jetën e tyre. Është shumë e rëndësishme që në qoftë se ka familje që duan të adoptojnë një qen që vjen nga rruga, që duan të vijnë këtu si vullnetarë, klinika është e hapur”, ka thënë Veliaj. Të pranishëm në prezantimin e nismës së Veliajt kanë qenë edhe fëmijë të shkollave 9-vjeçare të Tiranës, të cilët morën informacionin e duhur rreth mënyrës se si duhen trajtuar kafshët e rrugës.