Nga Bjorn Kamberi
Ditëve të fundit vërehet një ngarthim i diskursit publik përqark një varieteje tematikash me rëndësi të qënësishme për trajektoren e vendit, duke përfshirë këtu reflektimin konstruktiv që me doemos duhet të precipitojë prej protestave studentore, si edhe rikthimin në rend të ditës të analizës se progresit të reformave në zbatim. Sidoqoftë, themelore është edhe analiza e atyre temave që, si pasojë e tymnajës së politikës së ditës dhe problemeve sociale, amullohet duke iu shmangur agjendës urgjente të institucioneve, thellimit akademik dhe ndërgjegjes qytetare. Është raportuar, gjithnjë e më tepër, pakça se diku kalimthi e me përqasje ngushtësisht informative, e diku me pathos alarmant, por klishe e jo të qëndrueshëm, një inflacion i importit të produkteve ushqimore bazë sikur mielli, prej vendeve të rajonit, që aludohet të jetë me prejardhje e cilësi të dyshimta. Risjellja mediatike e kësaj ndodhie në përmasat e fenomenit doemos lind një imperativë alarmante e të munguar për një studim të hollësishëm të incidencës, burimit, teknikaliteteve dhe impaktit social që, për nga karakteri, dukuria i bart gjithpërfshirëse.
Ky shkrim analitik mëton kësisoj që ta përsjellë këtë rast studimor eksluziv si lakmues të një analize më gjithpërfshirëse të integrimit midis Strategjise së Sigurisë Kombëtare në makro, ridefinimit të prioriteteve dhe procesve operacionale si dhe përballjes insitucionale me kësi problematikash sociale në mikro, po aq sa edhe e inkurajon penën e ekspertizës së mirfilltë shqiptare për t’u angazhuar në studime kuantitative që e ndriçojnë edhe më shumë temën.
Mund të duket kësisoj në kufinjtë e së mundshmes, por pashmangshmërisht duhet të evidentohet si në brendinë e të nëvojshmes, ky rikonfigurim a rimendim i kërcënimit që i kanoset sigurisë kombëtare e shëndetit publik prej papërgjegjshmërisë institucionale dhe tentativës mbase dhe qëllimtare të aktoreve të ndryshëm që dëmtimin e tërthortë ama të themeltë të sigurisë ushqimore brenda Shqipërisë e kanë pjesë të stazhonuar të manualëve të politikës së jashtme dhe interesit rajonal. I një rrafshi të përngjashëm është edhe problematika e kontrollit të barnave, e cila mëvetshëm do trajtuar po ashtu në mënyrë imediate, e që dëfton sensitivitetin e lakuriqtë që e vesh përqasjen tonë karshi shëndetit publik. Ndaj është detyrë e rëndësishme intelektuale përballja serioze e operacionale e këtij kërcënimi, po aq sa është prioritet përpjekja kapilare për ta frenuar ndikimin që kjo sfidë paraqet për të ardhmen tonë.
Për ta shmangur dialektikën ngushtësisht teknike, por duke u bazuar në ato raportime mediatike e komunikime të ekspertëve, vërehet se, përgjatë viteve të fundit ka pasur një nivel të lartë të importit të miellit dhe lëndëve të tjera bazë për prodhimin e bukës dhe nën-produkteve të përngjashme, i cili në skenarin më optimist, është i një cilësie të ulët, i destinuar gjetiu për përdorim blegtoral, sidomos sa i takon parametrave proteinikë. Duhet marrë parasysh që sipas statistikave të publikuara nga ISHP, që konsumi i bukës tek shqiptarët, edhe sikundër në vende të tjera me nivel homolog zhvillimor përbën bazën e dietës ditore, rreth 350 gram për frymë në ditë, duke qenë kësisoj i një sasie të konsiderueshme. Nën këtë kategori mund të përfshijmë një gamë më të larmishme produktesh, por edhe problematikash, duke filluar te mënyra e kultivimit e duke kulmuar te siguria e manualeve që përdoren dhe incentivat për ndërhyrje profane në proceset e modifikimit gjenetik. Në këto kushte, do të qe natyral aspirimi për vendosje të standarteve europiane sa i përket kontrollit të mallrave të importit dhe proceseve që fundojnë në tryezat e qytetarëve, të cilat reflektuar në bazën ushqimore jo vetëm metaforikisht do mundin të rrisin brenda nesh filizin e vlerave të bashkësisë tek e cila synojmë të aderojmë qysh në krye të herës.
Informacione të tjera, edhe më rrënqethëse, kanë qarkulluar në media tek shihet një tranzicion prej lëndëve të para me mungesa të vlerave ushqimore tek lëndë të para, në rastin konkret mielli, me tendenca të deformimit të qëllimshëm dhe të pasura në antivlera të rrezikshme, shkaktarë edhe nëse vetëm të tërthortë, për një serë sëmundjesh kronike sikur diabeti, për të mos u endur edhe më shumë në listën e gjatë të diagnozave të kobjes. Aludohet se gjendja e sotme, që premton ta përndjekë mirëqënien sociale edhe në të ardhmen, është rezultat në mos qoftë stratagjemë e një kombinimi të mundshëm bizantin, por edhe të ngjasshëm antishqiptar ndërmjet agjendave shoviniste rajonale, interesave të paskrupullta të krimit të organizuar dhe praktikave oligarkike e korruptive që shërbejnë me gjasë sikur bedel e të parëve. Fatkeqësisht, një ndërkallje e tillë agjendash të mbrapshta s’ngjet krejt paradoksale. Kjo është një këmbanë e shurdhët alarmi, ngase jo vetëm paraqet rrezik real, por edhe zbulon të vërtetën e hidhur mbi gjendjen e gatishmërisë dhe mungësen e protokollit shtetëror në menaxhim risku. Për t’iu përqasur analitikisht çështjes do përdor një binom familjar ndërmjet aspektit institucional e akademik për të përshkruar një recetë të nevojshmë mjekimi me veprim të shpejtë, edhe pse doza e lëngimit prej sëmundjeve të shkaktuara nga dieta, në kuptimin mënyra e përditshme e rutinore e funksionimit të shoqërisë, janë më rezistentet karshi trajtimit.
Në rrafshin akademik nevoja për përditësim të strategjive të sigurisë është temë e lakuar prej zërave në pararojë të retorikës akademike e shkencorë në SHBA e Europë, ndërsa fatkeqësisht vihet re se të tilla tema nuk janë prioritizuar prej qarqeve tona akademike, të cilat në pamundësi konjukturale por edhe në apati shkencore, i dedikojnë kësaj sfide imediate vëmendje të flashkët. Rigjetja e fillit të duhur të kësaj narrative besoj se do t’i bëjë vendin e duhur ekskluzivitetit të shkencëtarit a kërkuesit në diskutimin publik.
Ky inkursion do t’i shërbëje gjithashtu urëndërtimit midis diskurseve akademike dhe realiteteve të vendit, sfidave analitike e atyre praktike, më qëllim që akademia të shërbejë si udhëheqëse e themel-ndërtuese e një realiteti të ri, të njëhapshëm me zhvillimin botëror dhe simbiozës ndërmjet kërkimit shkencor dhe progresit social. Kësisoj sistemi akademik do të rreshtë së importuari keqardhje e kritikë, së shëmbëllyeri pesimizëm studentor e formalitet shterp, për t’ja nisur së eksportuari në komunitet qëndrueshmëri dhe dinjitet vlerash. Një përqasje e tillë rishtare do t’i shërbente integrimit të instituteve akademike e rretheve studimore në zenitin e përpjekjes së vyer për të sygjeruar kushtet e favorshme për promovimin e paqes dhe virtyteve demokratike, çka përndryshe është edhe gurkreu i shkollimit liberal. Bash këtu vërehet nevoja për një reformim të metodikave të studimit statistikor, i munguar kur merret parasysh rëndësia që këto të dhëna shifrore paraqesin në procesin e formimit të politikave publike e që janë më së pari domen i prodhimtarisë shkencoro-akademike. Ky do të qe edhe një rikthim i munguar tek sensibilizimi i përgjegjshëm social që mbruhet përgjatë procesit të nxënies dhe që duhet të jetë prioritet yni dhe i formulimit të kurrikulave që e orientojnë të ardhmen karshi angazhimit qytetar dhe përqasjes së mprehtë pro aktive.
Në rrafshin insitucional, përfshirja e rreziqeve biologjike dhe të karakterit ushqimor nuk duhet të zerë hapësirë periferike në dokumentat që e ravijëzojnë strategjinë e sigurisë kombëtare, përkundrazi, duhet trajtuar me seriozitet e profesionalizëm, si pjesë e një shkoqitjeje të imtësishme, për t’u katapultuar në krye të listës së prioriteteve shkresore po aq sa edhe në kapërcyëll të vëmendjes dhe angazhimit të zyrtarëve e funksionarëve shtetërorë. Së bashku me një plan gjithpërfshirës kontigjence, i do lënë vendi një konsultimi me bazë të gjerë sa i takon financimit dhe krijimit te strukturave dhe delegimit të burimeve njerëzore e materiale të posaçme për ta trajtuar problematikën jo vetëm në rrafshin e kontrolleve sporadike të inspektoriateve të linjës, por si një rrezik imediat, që për nga kapaciteti dhe tipologjia i kanoset shoqërisë po aq sa edhe radikalizmi e terrorizmi në mos më tepër. Procesi i formulimit, konsultimit dhe avancimit te agjendës së strategjisë për siguri kombëtare bart rëndësi primare si në aspektin akademik e kornizues, në dinamikat institucionale e po ashtu edhe në spektrin e udhëheqjes së përsiatjeve kombëtare për të orientuar dhe promovuar vlerat e sigurisë dhe prosperitetit. Në këtë prizëm, ky kërcënim, i cili shpresoj të jetë deri diku i fryrë nga një kulturë mediatike paranojake që synon lajmin e bujshëm, sidoqoftë shërben për të qartësuar metodikat dhe siguresat që ruajnë kompaktësinë e interesave strategjikë të vendit duke përfshirë mirëqenien shoqërore, e renditur si prioritet në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, publikuar prej Ministrisë së Mbrojtjes më 2014.
Agjensitë e dedikuara për mbrojtjen e konsumatorit, deri më tani brenda juridiksionit të pushtetit vendor, mbase do të duhet të integrohen e riformatohen, për t’u përafruar në bashkëveprim e ansambël me agjensi të tjera ligjzbatuese, edhe pse kjo detyrë duhet t’u delegohet ekspertëve të administratës publike, gjith duke mbajtur në mendje trendet e formatimit të këtyre insitucioneve në Bashkimin Europian. Ky bashkim, përtej dimensionit ekonomik dhe politik, është më së pari një bashkësi vlerash, një familje aspiratash me rregulla të kthjellta që sigurojnë mbarëvatjen e parimeve dhe idealeve. Andaj, fokusi insitucional karshi kësaj problematike do të qe një investim serioz, i themeltë, gjilpërë e busullës reformuese që na e kujton veriun e nevojës për t’i mbjellë vlerat europiane në Shqipëri, përpara se ta mbjellim fidanin e Shqipërisë në Europë, duke filluar prej sigurisë ushqimore, për të mos u mjaftuar tek buka. Për më tepër që në pikpamje ekonomike, subvencionimi i industrisë ushqimore vendase për qëllim të konsumit të brendshëm por edhe për t’i shërbyer perspektivës tregtare rajonale dhe agro turizmit është themeltar dhe inovativ.
Duke rrëmuar në lëmin e përsiatjeve tona, vërehet se menyja e traditës sonë konspirative do vinte në pozitë edhe një kuzhinier të sprovuar, po aq sa edhe mezet me spiunë, tradhëtarë e heronj, kampionë të interesit kombëtar, dëshmorë të kauzës dhe kolaboracionistë gjithfarë nuk mungojnë, të shumtë sikur në rrëfim të Graham Greene, ama druaj se kjo çorbë përzihet prej alergjisë që e kemi dëshmuar me vakt, që gjellët e zhvillimit të qëndrueshëm dhe përgjegjësisë sociale i kemi pasur tejet të vështira për t’i bluar prej stomakut tonë shtetformues. Këtu e midis kësaj mijshele duhet të veçojmë ato grimca të vlefshme bio, pra grurin objektiv mes subjektivizmit, për t’i përthithur e rekrutuar në sistemin tonë imunitar. Mbase do të duhet të pranojmë që metafora tashmë e dalë boje me armiq të brendshëm e të jashtëm që veprojnë në mënyra epike për ta minuar Shqipërinë, në fakt mund të thjeshtëzohet trishtueshëm, por dy herë më rrezikshëm, në këto krunde që e kanë zanafillën e armiqsores e antikombëtares, tek sapuni bishtnues, që na shitet për djathë.
Tryezave të konsumatorëve, dinamikat ekonomike ua kanë kushtëzuar varietenë e zgjedhjes brenda qërthullit të shprehjes së vjetër që vaktin, e drekës a të darkës, e barazon me bukën, duke e futur kështu sikur sinonim në semiotikë, ftesën për të konsumuar vaktin, me shprehjen “a do hamë bukë”. Është bash kështu buka, e cila gjithnjë e më tëper bie pre e makutërisë së kapitalizmit të parregulluar e agjendave të oligarkisë së paskrupullt, indiferencës, korrupsionit dhe apatisë insituticionale. Këto, të marra së bashku, paçka se fatkeqsisht nuk arrijnë ta largojnë konsumatorin nga çmimi i ulët e pamundësia, e largojnë qytetarin nga shëndeti, tavolinën nga kualiteti, sofrën nga lezeti, të ardhmen nga qëndrushmëria, dhe prindërit nga siguria, që fëmijët e tyre edhe në tabanin e thjeshtësisë ushqimore, iu cënohet siguria e nevojës për rritje, qoftë edhe fizike, por edhe shpirtërore e të vlerave, nën garancinë që iu ofrohet nga shoqëria. Përdhoset kështu edhe aksioma më e vjetër, lutja më e epërme që besimtarët ia drejtojnë hyut sikur qytetarët ja delegojnë shtetit, garancinë e pranisë dhe cilësisë së bukës, metaforës së vazhdimësisë. A s’kemi gjithë të drejtën e mundshme të druhemi edhe kur urojmë, për bukën tonë të përditshme, që nuk kërkojmë t’na e japin, por që të paktën të garantohet, se kur ta blejmë, të mund ta shijojmë në vatrën familjare pa frikën, se do ushqejë brenda nesh vrasi.
Një shprehje latine kumton: “Vox Populi, Vox Dei”(Zëri i popullit, zëri i Perëndisë) , e si kjo duhet të vlejë si e para fjalë, gurkre demokratik drejt së ardhmes e jo si dallaver i thënë nëpër dhëmbë prej zinxhirit të nëpërkëmbur të kontrollit e interesit të gjithfarë, që më pas përkthehet në damkë të kobshme dëmi social, ashtu siç s’mund të jetë zëri i kësaj padrejtësie e perversioni, zëri i zotit që kumbon pandryshueshëm fatin e gjykimit të shqiptarëve ndër sëmundje e vdekje.
Kujtesë e hershme e kohës së mbrame të kështjellave na përshkëndit sesi shahu i helmatisjes së burimeve e puseve shpesh e nxirrte të panevojshëm gjakimin mbi bedena. Nuk dihet në do jetë prapë e nevojshme, tashmë kur ky sport kalorsiak ngjet i shkuar e harruar, të pyesim: “Is there something in the water”?
*Autori i këtij shkrimi vazhdon studimet Mastër për Marrëdhenie Ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
27.al