Nga Blendi Salaj
Sot ishte dita e fundit e punës për Majlinda Bregun, e cila përkon me ditën e fundit të Shkollës Verore Europiane, një iniciativë e përbashkët e Kuvendit të Shqipërisë, Prezencës së Bashkimit Europian në Shqipëri, Fondacionit Soros dhe Fondacionit “Friedrich Ebert”.
Shkolla verore është një iniciativë që synon të aftësojë ekspertë të fushave të ndryshme për procesin e negociatave me Bashkimin Europian. Pritet që Shqipëria shumë shpejt t’i hapë negociatat, të cilat ndahen në shumë kapituj. Do negociohet për gjithçka dhe Shqipëria duhet të arrijë nivele europiane që nga liritë, drejtësia dhe rendi social, deri tek ushqimi i pulave, sasia e peshkut që do zihet çdo vit, kushtet në shkolla e të tjera gjëra boll të hollësishme. Negocitatat tona para hyrjes në BE janë të ngjashme me ato që pritet të bëjë Britania, në dalje. Shumë të komplikuara. Kanë zgjatur me vite për vende si Kroacia, Çekia apo Hungaria dhe e njëjta pritet edhe për Shqipërinë. Çfarë negociohet nuk rinegociohet më. Ndaj shkolla europiane kërkon të aftësojë sa më shumë individë për këtë proces.
Nga mënyra si e trajton Majlinda shkollën verore duket se është si “fëmija” i saj, të cilën i duhet ta lërë tani, duke uruar më të mirën, por pa qënë e sigurt për fatin e saj. Sepse, siç ju thashë, siç ajo vetë tha, sot ishte dita e fundit. Pas kësaj është “e papunë”. Tetë vjet si ministre e Integrimit dhe katër të tjerë si Kryetare e Këshillit të Integrimit në Kuvend, ndahen këtu me shtetin shqiptar. E gjithë përvoja dhe kujtesa institucionale e grumbulluar ikën. Krijohet një mungesë jo vetëm në PD, por edhe në institucionet që kanë të bëjnë me integrimin, të cilat tani marrin më shumë rëndësi se kurrë. (Ende nuk dihet se ç’do ndodhë tek ne tashmë që kryeministri vendosi ta shkrijë Ministrinë e Integrimit brenda Ministrisë së Jashtme.) Në fakt, përvoja dhe vlera e krijuar nuk humbet, sepse zonja Bregu mundet fare mirë ta shfrytëzojë këtë njohuri për të ofruar konsulencë private, por i humbet shtetit shqiptar. Është një fenomen që përsëritet në qindra raste. Ikën një palë, vjen një palë. Çfarë është nxënë deri këtu zhduket si kështjellë rëre.
Shkruaj, sepse shqetësohem nga ky fenomen, ku rasti i zonjës Bregu nuk është as më flagranti. Humbja e investimit në njerëz, fillimet dhe rifillimet nga e para, duke zeruar punën e shumë viteve nuk mund të vazhdojnë, – them unë -, por në Shqipëri vdesin të shtypin Erase & Rewind. Këtu njerëz të pashquar në profesione ende katapultohen, të aftët largohen. Në administratë nuk ka vend për profesionistë karriere. S’ka karrierë. Je në mëshirë të humorit të drejtorit të rradhës. Në tatime, në dogana, spitale… Shiriti fishihet. Memorja aq e çmuar flaket. Perla derrave. Tani për vendin nis një periudhë shumë e rëndësishme negociatash financiare dhe ekonomike shumë të forta. Është gjithashtu një kohë me mundësi investimesh, për ato vende që kanë aftsinë të thithin fondet e BE-së. Shqipëria këtu nuk e shtyn dot, as me shkelje syri, as me kërcënime, as me përgjërime. Këtu, o di, o s’di, dhe në traditën institucionale shqiptare, ne nuk mbajmë mend asgjë nga dje. Një kosto që ne si qytetarë ia paguajmë politikës shumë shtrenjtë prej shumë vitesh.
https://peshkupauje.com/t/dita-e-fundit-e-punes-per-majlinda-bregun/3335