Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në Global Positive Forum, organizuar në Paris me kujdes të presidentit Macron.
Nga podiumi kryeministri e nisi fjalën e tij me krahasimin e zgjedhjeve presidenciale franceze me ato parlamentare në Shqipëri për të sjellë ndryshimin e dy realiteteve.
“Ky vit ishte një vit zgjedhjesh, si në vendin tim ashtu dhe në tuajin. Tek ne, partia ime dhe unë fituam, në tuajin ishte bota që fitoi. Sa ndryshe do të ishin ndjerë miliona njerëz nëpër botë nëse kjo tokë e madhe e lirisë, vëllazërisë dhe barazisë do t’ia dorëzonte politikën të djathtës ekstreme?”, tha Rama.
Rama kërkoi ndihmën e partnerëve europianë për të ndryshuar imazhin e Shqipërisë, si një vend që përfaqëon kreativitetin dhe jo kriminalitetin, duke shprehur besimin se kjo është plotësisht e mundur.
“Shqipëria nuk duhet të përfaqësojë më korrupsionin e kriminalitetin, por kreativitetin dhe inovacionin. E pamundur? Atëherë le ta bëjmë! E di që mund ta bëjmë sepse ndryshimet po ndodhin që tani!
Është e qartë për të gjithë ata që vijnë në Shqipëri, por edhe për të tjerët, se ne kemi nevojë për ju që të na ndihmoni të orientohemi në pikat tona të forta, në mënyrë që imazhi i vjetër të zëvendësohet nga një imazh i ri dhe njerëzit të na shohin për atë që jemi dhe atë që ne e dimë që mund të bëhemi”, u shpreh Rama.
Nga forumi në të cilin u diskutua nxitja e ekonomimeve pozitive në vendet me zhvillim, Rama shpjegoi se si e koncepton ai ekonominë.
“Në pozicionin tim, në majën e qeverisë, me kaq shumë ambicie për vendin tim, me aq shumë dëshirë që ambiciet dhe talentet e popullit tonë të përmbushen, çfarë konsideroj unë si elementin më të rëndësishëm të ekonomisë moderne? – Është dija.
Në fund, nëse bëjmë sot e kurdoherë diferencat midis vendeve, vendet nuk ndahen midis atyre që kanë, por sa dinë të bëjnë dhe ekonomitë që dinë të bëjnë, ekonomitë e dijes janë ato më të arrirat, janë ato ekonomitë e së ardhmes”, vijoj Rama.