Nga Ruben Avxhiu
Al-Waleed bin Talal njihet ndryshe si “Warren Buffet i Arabisë”.
Ai dhe Donald Trump shkëmbyen fyerje në twitter gjatë fushatës së fundit presidenciale amerikane, por tani janë pajtuar.
“Ti je një turp jo vetëm për Partinë Republikane, por edhe për Amerikën. Tërhiqu nga gara, se nuk ke për ta fituar kurrë!”
Trump iu përgjigj se princi kujton që mund të blejë politikanët e Amerikës “me paret e babit”. “Kur të bëhem unë president nuk do të ndodhë më.”
Në fund, kur Trump u zgjodh President, princi saudit, i cili radhitet si njeriu i 45-të më i pasur i botës, u tërhoq dhe i zgjati një degë ulliri: “Presidenti i zgjedhur Donald Trump, pavarësisht nga përplasjet në të kaluarën, Amerika foli. Urime për fitoren dhe suksese në presidencë.”
Pas sulmeve të 11 Shtatorit, ku shumica e 19 terroristëve kishin qenë me origjinë saudite, Al-Waleed bin Talal ofroi 10 milionë dollarë ndihmë për qytetin Nju Jorkut. Kryebashkiaku i atëhershëm, Rudy Giuliani ia ktheu pas.
Vizita mund t’u paraprijë investimeve të mëdha saudite në Shqipëri. Bushati përmendi turizmin, po edhe bamirësitë, për të cilat është i njohur princi. Nga një anë Shqipëria ka nevojë për investime, nga ana tjetër paratë saudite mund të bëhen lehtë temë debatesh të forta.
Mirepo, në kontekstin saudit, Al-Waleed bin Talal shihet si liberal, sidomos me thirrjen e tij të koheve të fundit në favor të së drejtës të grave për t’i dhënë vetë makinës.
Pak ditë më parë, ai ishte për pushime në Turqi, ku thuhet se ka shpenzuar rreth gjysëm milioni dollarë (fotoja e dytë, këtu). Pasi mbaroi së ngrëni në një restorant, ishte kaq i kënaqur saqë la 4 500 dollare bakshish. (Vras mendjen, ku mund të ketë ngrenë sonte në Tiranë?)