Nga Armand Bajrami
Ky është Musa, balerin profesionist gjerman. Bir i dy prindërve të shurdhër. Në botën e internetit, identifikohej me emrin e artit “CODA”. Njeriu më interesant, që hasa gjatë pushimeve në Antalia.
Musa pranoi lutjen time për të ndjekur performancën e tij fantastike, teksa i jepte instruksione hip-hop dance-i mikut të tij turk Borrak. Edhe ky, jo më pak i talentuar, por që kërcimin e kishte pasion. Pista e tyre e ushtrimit ishte hapësira e mbetur lirë ne fushën me bar anë pishinës nga zhvendosja e dy shezlongëve.
I zhdërvjellët dhe harmonik. Çdo goditje ritmi e dalë nga një pajisje hi-tech (mrrokëll tip boksi që lidhet me wireless me telefonin, që s’ia di emrin) përkthehej në një lëvizje të trupit të tij.
Musa kishte grupin e tij të kërcimit dhe po ashtu jepte mësim për studentë të rinj. “Na prenotojnë për të marrë pjesë në shfaqe të ndryshme në Gjermani”, tha. “Ne bëjmë festën, ata japin paratë”.
Më kritikoi pse une nuk isha ushtruar më tepër për të mësuar ca nga ato teknikat e “brake dance”, aq të dëshiruara nga unë në adoleshencë, po kurrë të mësuara. “Mua nuk më pëlqen, por ti s’ke pse heq dorë. Nuk ka rendesi mosha”. Borrak, ndryshe nga unë që i ndiqja për kënaqësi, përpinte çdo lëvizje të tij.
I kalonin stafetën njëri-tjetrit. Unë shkëmbeja bisedë me atë që ishte në pushim.
CODA nuk ishte një emër i rastësishëm, por perifrazim në lidhje me fëmijët e shurdhër.
Misioni i Musas. I rritur nga dy të shurdhër ai ia dedikonte artin e tij fëmijëve të lindur me probleme me dëgjimin. Si? Me nje ide brilante. Musa kishte nisur të bënte klipe tepër argëtuese, ku ai, përveçse kërcente nën tingujt e këngëve të njohura, rrëfente me gjuhën e shenjave tekstin e këngëve.
Ishte aq krenar për këtë. Si mos ishte. Një 23-vjeçar i dhimbsur. I ndjeshëm për të mbushur zemra njerëzish ndryshe prej tij. I mbrujtur me dashurinë e prindërve që s’i kanë degjuar të qarën. I bënte pushimet me ta. Për ta.
Nuk donte, mund t’i lexoje në sy dritën që u fekste teksa komunikonin me shenja me të.
p.s. Në linkun poshtë është një nga superklipet e tij. I premtova se do i bëja një shënim dhe se do i jepja ca vieës nga Shqipëria.