Një dashamirës arti në Durrës pritet të hap së shpejti dyert e koleksionit të tij për publikun, por artdashës të tjerë durrsak ankohen se u detyruan t’i mbyllnin galeritë e tyre për shkak të barrës së padrejtë tatimore.
Nga Gëzim Kabashi
Një pasionant i arteve dhe në veçanti i pikturës po bëhet gati të hapë një galeri artesh në një nga rrugicat më të bukura të Durrësit.
Edi Shuka e ka selitur prej shumë vitesh pasionin e tij dhe vetëm rikthimi i një prone, shumë pranë Torrës veneciane i ka dhënë mundësinë të punojë fort për ta kthyer vilën 2-katëshe në një hapësirë me elemente artistike gjithfarëllojesh, e të rrethuar nga një oborr i vogël dhe i gjelbëruar.
Ceremoninë e përurimit, 64-vjeçari thotë se do ta bëjë kur të vijë kryeministri Edi Rama, duke qenë se i lidh së bashku edhe një farefisni e hershme.
“Këtë verë ka patur shumë turistë të interesuar për galerinë dhe mua më vjen keq që nuk kam arritur ta hap ende për publikun,” tregon Edi Shuka,
Në mjediset e saj artdashësit mund të shijojnë foto të Durrësit në fillimin e shekullit të kaluar, vegla pune të përdoruar deri në fund të viteve 1980, makete të qytetit në mesjetën e hershme apo tablo të këtij autori të pasionuar pas pikturës.
Ndërkohë në bulevardin “Epidamn” një autoveturë e zbukuruar prej tij mbetet objekti më i fotografuar i Durrësit gjatë këtij sezoni. Edi, që i ka kryer të gjitha punimet me duart e veta mezi pret tu bëjë guidë brenda mjediseve të galerisë së ardhshme të gjithë vizitorëve vendas dhe të huaj.
Por entuziasmi i tij bie në kontrast me eksperiencën e hidhur të artdashësve që kanë hapur më parë galeri arti në qytetin bregdetar, të cilët janë detyruar t’i mbyllin për shkak të barrës fiskale.
Vetëm 500 metra larg shtëpisë së Shukës, në shëtitoren “Taulantia” funksionoi për më shumë se 10 vjet galeria “Jozef”.
Mjediset e saj u shfrytëzuan që nga viti 2004 si ekspozita pikture dhe skulpture, si salla për përurimin e librave të rinj apo për mbrëmjet poetike e muzikore, etj.
Administratori i saj, Aurel Kaçulini, tha se ai u detyrua ta mbyllë galerinë pasi ajo trajtohej si çdo biznes i zakonshëm, me detyrime tatimore dhe taksa.
“Mendoni, disa vjet më parë unë bleva jashtë vendit një pianoforte për t’i shërbyer më mirë artistëve pjesmarrës dhe bashkë me çmimin pagova edhe detyrimin e TVSH-së,” dëshmon Aurel Kaçulini.
Barra e lartë fiskale për galeritë private çoi në mbylljen edhe të galerisë ‘Priftuli.”
Meri dhe Yllka, bijat e Gavril Priftulit, piktorit të ndjerë, e mbyllën galerinë me emrin e babait për shkak të detyrimeve tatimore. Ato nuk e organizuan këtë vit ekspozitën kushtuar kujtimit dhe veprimtarisë të të jatit dhe e përdorin sallën e vetme si një studio personale private.
Ndryshe nga Shqipëria në vendet e pasura si SHBA, taksat u ulen atyre që investojnë në art dhe nuk bëhet fjalë që të paguajnë më shumë.
Përkthyesi Pirro Dollani, që jeton në Las Vegas, tregon se një shkrimtar dhe skenarist amerikan para një viti e ktheu shtëpinë e tij në një bibliotekë të hapur për publikun dhe menjëherë taksat ndaj tij u ulën ndjeshëm. Shteti mundësoi në këtë mënyrë edhe mirëmbajtjen e saj.
Hart Vegner, siç quhet shkrimtari, para disa vitesh ishte i ftuar në veprimtarinë “Poeteka” në Durrës. Duke shëtitur në këto rrugica në qendrën historike të Durrësit ai u tha mikpritësve: “I ruani karakteristikat e qytetit, ato janë pasuria juaj!”.
Përveç galerive private, Durrësi ka edhe një galeri publike. Galeria publike “Nikolet Vasia” që u hap shumë pranë godinës së bashkisë u shfrytëzua për ekspozita të arteve pamore, por edhe për veprimtari me karakter historik nga e kaluara e qytetit në shekuj.
Megjithëse i mungon një sallë arkive për tablotë e punuara në vite nga artistët durrsakë, në mjediset e galerisë “Nikolet Vasia” janë organizuar dhjetra veprimtari.
Biznesmeni Aurel Kaçulini është kritik për hapjen e kësaj galerie, për të cilën ai shprehet se nuk ka kushte të përshtatshme.
“Mjafton që bashkia të mbështeste edhe hapjen e një galerie tjetër në pjesën veriore të qytetit, por përkundrazi në qendër u hap një galeri jashtë kushteve të ekspozimit,” u shpreh ai.
Galeria e Shukës ndodhet në të njejtën rrugicë me banesën 200-vjeçare ku kaloi disa vite të fëmijërisë aktori i shquar Aleksandër Moisiu. Pak më tej edhe Xhamia Fatih me një histori gati 500-vjeçare. Vetë rrugica mbështetet nga një krah në muret e periudhës bizantine, ndërsa shtëpitë e saj janë ndërtuar në fillim të shekullit të kaluar.
Tani që banesat e vjetra i janë rikthyer ish-pronarëve, ky është një shans më shumë që rrugica me emrin “Koloneli Tomson” të kthehet në një vend mjaft të vizituar, që nis pranë Torrës mesjetare dhë përfundon në arenën e Amfiteatrit antik.
Megjithë sfidën që përbën barra tatimore, Shuka mbetet entuziast për të ardhmen e galerisë së tij, për të cilën shprehet se i përket të gjithë qytetit.
“Kjo është e Durrësit dhe durrsakëve, për mua do të jetë thjesht një studio pune, ku do të vazhdoj të pikturoj,” tha ai.
/Birn/