Komplikohet edhe më shumë situata e Mançester Junaitid, për sa i përket objektivit Champions. “Djajtë e Kuq” janë mundur 1-0 nga Uest Bromuiç në “The Hawthorns”. Skuadra e Van Gal është kaluar në klasifikim nga Uest Ham dhe ndodhet në vendin e gjashtë, -3 pikë nga Siti i vendit të katërt, por skuadra tjetër e Mançesterit ka luajtur një ndeshje më pak. Që nga minuta e 27-të, Junaitid ka mbetur me 10 futbollistë, si pasojë e kartonit të kuq të marë nga Huan Mata, ndërsa për golin e vendasve ka menduar Rondon në të 67’. Dhe gjithçka ndodhi në sytë e Aleks Ferguson, i cili ndodhej në shkallët e stadiumit.
Pikërisht -3 nga Mançester i Van Gal ka mbërritur Liverpul, pas një fitore të vuajtur dhe të kontestuar në “Selhurst Park”, ndaj Kristal Palas. Ekipi i drejtuar nga Jurgen Klop, pas golit të Lendlit dhe barazimit të Firminjos ka fituar një penallti në limitet e kohës së rregullt. Benteke është rëzuar në zonë dhe arbitri i garës e ka vlerësuar 11 metërsh, që është kthyer në gol po nga futbollisti belg. Edhe Liverpuli e ka avantazhin e një ndeshje më pak se dy skuadrat e tjera të zonës “Europa League”.