“Ky Milan nuk është i aftë të fitojë 9-10 ndeshje në radhë”, ka thënë Mihajloviç, por humbja ndaj Sasuolos ka ardhur pikërisht atëherë kur nuk duhej. Baloteli duket se ka bërë shumë për t’i treguar trajnerit Mihajloviç që ka ndryshuar dhe është i gatshëm për të bërë titullarin, por dyshja me Karlos Baka nuk ka funksionuar përsëri. Ndoshta arsyeja është që kanë luajtur pak me njëri-tjetrin, por ka shumë mundësi që e kanë të pamundur të përshtaten. E vërteta është që kolumbiani e ka injoruar prezencën e tij më shumë se një herë dhe të dy nuk i kanë dëgjuar udhëzimet e trajnerit, i cili i donte në pozicione njëri pas tjetrit dhe jo në vijë të drejtë. Në pjesën e dytë Mario largohet sërish mes fërshëllimave, por as zëvendësuesi i tij Menez (dëshira e madhe e Berluskonit) nuk bëri shumë dhe me këtë humbje Milani i thotë lamtumirë zonës Champions. Ndërsa për Juventusin nuk ka mur të pakalueshëm. Goli i Andrea Barzalit, që mungonte prej katër vjetësh dhe një tjetër i Leminës, i dhanë mundësi skuadrës së Alegrit të kalojë edhe transfertën e Bergamos dhe të jetë sërish +3 nga Napoli i vendit të dytë.