Në një kohë kur tensionet janë më të larta se kurrë, çdo vit, yjet e popit koreano-jugor performojnë pranë zonës së demilitarizuar që ndan gadishullin korean, në një koncert paqeje.
Këtë vit, koncerti erdhi ndërsa Koreja e Veriut kërcënon se do të godasë me raketa territorin amerikan të Guamit, ndërsa presidenti amerikan e ka kërcënuar atë me “zjarr dhe tërbim”, siç bota nuk e ka parë kurrë më parë.
Koncerti zhvillohet në dy faza: të shtunën performojnë artistët e popit korean, ndërsa të dielën është radha e muzikës klasike.
Sidoqoftë, koncertet nuk mbahen ekzaktësisht në zonën e demilitarizuar, por shumë pranë saj, në një destinacion turistik të quajtur “Parku i paqes”, në qytetin koreano-jugor Pajus, në veri të Seulit.
Koncertet zhvillohen edhe me mbështetjen e Ministrisë së Unifikimit, që promovon dhe përgatitet për ribashkimin e mundshëm të dy Koreve.