Tre persona nga fshati Sukë i Përmetit rezultojnë të prekur nga sëmundja e antraksit dhe po marrin shërbimin mjekësor pranë spitalit rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër.
Kostandin Rapi, drejtori i Bujqësisë në Gjirokastër ka kërkuar bashkëpunimin e fermerëve pasi temperaturat e larta favorizojnë përkeqësimin e situatës.
“Mendoj se rastet e këtyre ditëve do të jenë një precedent për shfaqjen e rasteve të reja në ditët në vazhdim. Aktualisht rezultojnë 3 persona të prekur nga sëmundja e plasjes dhe kërkoj ndihmën e mediave dhe fermerëve për të njoftuar raste të reja dhe për të marrë masat mbrojtëse përkatëse. Më duhet të theksoj se sivjet kemi 4 vatra që nuk kanë qenë këto 10 vitet e fundit”, deklaron Rapi.
Nga ana e kësaj drejtorie disa herë është bërë thirrje që fermerët të vaksinojnë bagëtitë dhe të njoftojnë menjëherë specialistët sapo të shohin shenjat e para të sëmundjes, pasi rrezikohet edhe jeta e qytetarëve të tjerë.
Ky është një rast i përsëritur në këtë zonë, ku para disa vitesh u shënua një situatë e ngjashme.