Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori 5 ish-regjistrues dhe 2 nëpunës të zyrës vendore te regjistrimit të pasurive të paluajtshme Korçë, pasi i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 39.2 milionë lekë.
Sipas KLSH, të kallëzuarit i kanë shkaktuar dëmin shtetit duke kryer transaksione të paligjshme me pronat shtetërore dhe regjistruar privatizime, pa u paguar detyrimet ndaj Shtetit, duke tjetërsuar pronat “shtet” dhe kthyer prona nga lloji “shkëmb”në llojin“arë”, duke favorizuar persona të interesuar.
Për këto shkelje, KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë për SH.V, AK, DH.Ç, K.B dhe E.R, ish regjistrues të ZVRPP Korçë, si dhe për A.D dhe E.N, nëpunës të këtij institucioni, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal.
KLSH ka kallëzuar në prokurori edhe ish-drejtorin dhe 3 ish përgjegjës sektori të drejtorisë rajonale të ALUIZNI-T Korçë.
Sipas raportit të KLSH, ata kanë shkaktuar një mungesë të ardhurash për fondin e kompensimit të ish pronarëve në vlerën 57 milionë lekë dhe kanë kryer legalizime në zona të ndaluara nga ligji, pranë rrugëve kryesore, lumenjve, kanaleve kryesore, shtyllave të tensionit të lartë pa dokumentacion, me shmangie pagesash të detyrimeve financiare.