Personazhi në fjalë mban emrin Avni Ago. Është 76 vjeç me origjinë nga Tepelena. Prej gjysmë shekulli jeton në Elbasan. Në këtë qytet e njohin të gjithë. E sheh gjithmonë ngarkuar me dengje plot me letra. Gazetat janë fiksimi i tij, aq sa shpesh e identifikojnë si “Avniu i gazetave”.
Gjatë ditës e sheh nëpër rrugë, spitale apo institucione të ndryshme. Në mbrëmje ai gjen ndonjë strehë pallati apo lulishte ndërsa të vetmet shtroje për të janë rrobat e falura dhe gazetat që nuk ka mundur t’i shesë. Mbulojë ka qiellin e hapur ndërsa ndriçimi është vetëm ai që vjen nga dritat e rrugës ndërsa fqinjë janë kalimtarët e rastësishëm në rrugë.
I zhytur në mjerimin e tij, fjalëpak, i edukuar, por edhe i përgatitur që të japë çdo përgjigjje, kjo falë edhe leximit të përditshëm të gazetave. Por sipas tij, gazetat dhe politika sot janë krejt ndryshe nga e kaluara. Kursimet e jetës së tij ky njeri i ka humbur si shumica e shqiptarëve në çmendurinë e piramidave, ndërsa për shkak të të qenit i vetmuar dhe jashtë vëmendjes së shoqërisë, ai nuk ka mundur dot as të përfitojë nga ndihmat sociale apo banesat për të pastrehët në Bashkinë e Elbasanit.
“Këto që më kanë ndodhur mua, si kanë ndodhur kujt në botë! Shteti mua më la në mëshirë të fatit, më rrënoi, më shkatarroi të tërin si individ..!”– kështu e nis rrëfimin e tij Avniu Ago, 76-vjeçari që endet nëpër rrugicat e qytetit të Elbasanit i vetëm, pa familje, pa shtëpi dhe pa kurrfarë gjëje, i mbetur mes katër rrugësh fillikat.
Kushdo që ka kaluar pranë Komisariatit të Policisë në Elbasan, mbrëmjeve është ndeshur me Avniun i cili ka mbi 20 vjet që qëndron në rrugë pranë komisariatit me shpresën se një ditë, dikush do vërë dorën në zemër dhe do t’i ofrojë një ambient të përshtatshëm ku të qëndrojë, dhe shpreson që drejtësia do vihet në vend edhe për të. Qëndrimi i tij në atë cep (7 metra nga dera e komosariatit) ka edhe një moto të cilin e shoqëron: “Meqë sistemi komunist më shkatërroi si njeri mua, tani policia, qeveria le të më gjejë strehim, e të zbardhin të vërtetën”, shprehet plot mllef Avniu.
Ai çdo ditë vërtitet nëpër rrugët e qytetit prej më shumë se 50-të vitesh me një grumbull gazetash në dorë, që janë i vetmi burim financiar që ai të ushqehet. Jeta e tij është e mbushur plot sprova, vuajtje e dhimbje të mëdha, pa patur qoftë një mbështetje apo dhe një ambjent të ngrohtë për të futur kokën.
Streha e tij nuk është komode, aspak e ngrohtë dhe jashtë normave jetësore. Ai jeton i shtrirë mbi copëza kartoni i mbështjellë me mbetje plastike, të cilat shpesh herë i përdor edhe si dyshek. Ndërsa mbulojë përdor gjithmonë një copë të vjetër plasmasi e cila e mbron nga shiu, vapa, i ftohti madje edhe ngricat të cilat në dimër i kalojnë shpesh herë disa gradë nën zero.
“Jam rritur jetim gjithë jetën time, pa nënë pa baba, pa asnjë të afërm. U rrita si mos më keq, pa asnjë përkrahje, qoftë shpirtërore, morale apo financiare. Fillova të punoj që i ri. Shisja gazeta, punë që e bëj dhe sot. Bëja çdo lloj pune, nuk bëja “naze” dhe si shpërblim u thoja njerëzve më jepni sa të doni. Isha pa shtëpi, pa asnjë strehë ku të fusja kokën.
Fillimisht arrita të strehohesha te spitali i Elbasanit. Flija në cepa, në dysheme, në korridore, ku të dilte, por të paktën nuk më lagte shiu dhe nuk rrija në të ftohtë. Mes shumë rropatjesh dhe punëve të ndershme që bëja doja të kurseja disa para, me to doja të blija një shtëpi (që se pata kurrë) ku të fus kokën, të ndihem dhe unë njeri. Por, ja ato para që fitoj s’më dalin as për të ngrënë. Doja të krijoja familjen time, të kisha djem e vajza, mbesa e nipër ku shtëpia të mbushej plot dashuri që mua ka një jetë që më mungon…
Mirëpo, teksa qëndroja te spitali, sistemi komunist i atëhershëm më dëboi nga ambientet spitalore ku qëndroja, pasi aty lija një imazh të keq të spitalit tek pacientët, sipas tyre. Më flakën ashtu tutje sikur të isha një copë letër e rrudhosur, e jo më se kishin të bënin me një njeri jetim. Më lanë në mes katër rrugësh, i vetëm, pa shpresë, pa të ardhme. Më poshtëruan si njeri, më shembën gjithçka që kisha ngritur me djersë, më kthyen përsëri nga e para, në rrugë. Nuk shtyhet jeta në rrugë edhe qeni që është qen e do një kasolle ”, tregon Avniu plot vuajtje e i mbuluar nga rrudhat që duken fare qartë në fytyrën e tij të lodhur nga jeta.
Jeta e tij vazhdon të zvarritet rrugëve të këtij qyteti me varfërinë ekstreme që e ka pushtuar dhe mes frikës për të jetuar. Përballë tij, shumë kush tregohet indiferent. Media, shoqëria, shteti…
Teksa i përmend fjalën “shtet”, ai revoltohet dhe me një gjuhë të ashpër urrejtje shprehet : “Dua t’ia pres mishin me gërshërë atyre që më katandisën në këtë pikë, dhe nuk kam të ngopur. Këtu s’ka shtet! Vdiq me kohë! Ka ardhur koha ku qeverisin kriminelat, hajdutët. Doktorë, policë, gjykatës, prokurorë, avokatë janë bërë një. Ata çdo ditë e më shumë e rrënojnë këtë vend. Mjerë ne, në dorë kujt kemi rënë!”.
Teksa bisedoj me të për një kohë të gjatë, nuk mungojnë edhe kureshtarët të cilët shikojnë me bisht të syrit, e nuk mungojnë dhe ata persona të cilët na shoqërojnë me një buzëqeshje ironike, mospërfillëse, sikur duan të na përpijnë, apo dhe të na shkelin nën këmbë. Duket absurde se në çfarë nivelesh ka arritur egoizmi njerëzor.
“I shikon ti këta njerëz që kalojnë?” – më thotë Avniu. “Askush sdo t’ia dijë se kush jam. Se çfarë kam. Me paragjykojnë, më injorojnë edhe pse nuk i kam kërkuar ndihmë. Ndoshta disa mund edhe të më quajnë të çmendur, por askush s’i di vuajtjet e mia, se pse unë jam këtu. Ta vendosin njëherë veten në vendin tim! Madje ka dhe nga ata që kur kalojnë më thonë “He s’paske vdekur akoma?!” Sikur unë po ha bukën e tyre! Gjithnjë në jetë doja të isha i ndershëm. Kisha bindjen time se me punë arrihet gjithçka, ashtu mendoja, pavarësisht që padrejtësia veproi mbi mua…”
Nuk nguroj ta pyes, nëse ka bërë ndonjëherë kërkese qeverisë për të patur një banesë sa për të futur kokën.
Ai përgjigjet shkurt duke thënë që nuk mund të kërkojë strehim prej hajdutëve, pasi prej tyre është në këtë gjendje të mjerueshme sot.
Pa hezitim me thotë se ligjet ekzistojnë, por duhen njerëzit e duhur për t’i zbatuar ato, ndërkohë ai ulet në karrigen e tij të lodhur dhe konsumon darkën. Ndryshe nga të tjerët ai nuk ha gjellë, por bukë thatë, nuk ulet në tavolinë por në pllakat e trotuarit. Nuk pi lëngje frutash por ujë të ndenjur. Ai s’di të bëjë asgjë tjetër, por mban kokën nga qielli dhe vetëm lutet.
Sa pranvera do kalojnë? Sa të ftohtë do bëjë? Sa shira do bien? Sa fjalë do ta vrasin Avniun? Por, ai do të qëndrojë po aty, çdo natë deri në fund të jetës së tij pranë policisë së Elbasanit, me shpresën se një ditë shteti, qeveria, politika, do të vendosin dorën në zemër e do t’i ofrojnë një vendstrehim duke ia bërë jetesën më të lehtë. Ai shpreson shumë…dhe do të vazhdojë të shpresojë!
/infoelbasani.al/