Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në kryeqytet, ku një i ri është qëlluar me armë në zonën e rrugës së Dibrës.
Burime nga policia thanë se rreth orës 09:30 është marrë një telefonatë për të shtëna me armë, në rrugën e Dibrës. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca.
Nga hetimet dhe verifikimet paraprake është plagosur me armë zjarri 28-vjeçari me inicialet V. K.
Sipas të dhënave paraprake 28-vjeçari është qëlluar nga një person i paidentifikuar i veshur me të bardha, rreth 1 e 60 i gjatë, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
I plagosuri është transportuar në spital ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale gëzhoja nga një armë e llojit pistoletë.