Një sherr i ndodhur mes disa të rinjve mbrëmjen e djeshme në Laç, ka bërë që të nxirren armët nga brezi dhe është dashur ndërhyrja e policisë që të shmangej një vrasje.
Burime nga policia thanë se mbrëmjen e djeshme është marrë njoftim se në një lokal në Laç , ka një konflikt , ku njëri nga shtetasit ka edhe armë zjarri.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore që kanë konstatuar se shtetasi Joel Gjergji, pas një konflikti për motive të dobëta me 20-vjeçarin me inicialet D. N., banues në Laç, brenda në lokal, e ka kanosur me armë zjarri pistoletë si dhe e ka goditur me pjesët metalike të saj.
Reagimi në kohë i policisë së Komisariatit të Kurbinit , ka bërë të mundur arrestimin në flagrancë të Joel Gjergjit, 19 vjeç, banues në Laç.
Në flagrancë iu sekuestrua edhe arma e zjarrit pistoletë e markës “Ekol Special 99”, e mbushur me fishek në fole, si dhe me 2 fishekë në krehër të cilat i mbante pa leje.
Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Kurbinit, akuzat e “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”.