Nga Alba Haruni
Ajo çfarë më ndihmon vërtetë në jetë për të kuptuar, perceptuar dhe interpretuar dukuri, sjellje apo dhe zhvillime, është pikërisht historia. Historia është shkenca që nuk të lë të gabosh apo të biesh në përsëritje. Ajo të ndihmon së tepërmi në analizimin e gjërave. Dhe këtë herë thirra në ndihmë historinë për të kuptuar saktë se çfarë po ndodh.
Ka Check Up fizik, por ka dhe Check Up politik, që i quajnë rëndom opinione.
Nuk do shkoj larg në kohë për të bërë këtë analizë të situatës. Në vitin 2013, pas një procesi zgjedhor, erdhi në pushtet Partia Socialiste me kryeministër Edi Ramën. Nuk dua të bëj asnjë koment për mënyrën e qeverisjes, për aleancat e të tjera gjëra, pasi nuk është tema e analizës sime. Edhe në projekt-programin e PS-së ishte vendosur interesimi për Çështjen Çame, gjë për të cilën u mbështet dhe nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila kërkoi nga Kuvendi i Shqipërisë të nxirrte nga sirtarët Rezolutën e Çështjes Çame. Kjo Rezolutë përmban 13 pika, të cilat mbështeten dhe marrin në konsideratë qëllimet dhe parimet e larta të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe legjislacionin shqiptar.
Pika 3
Kërkon shfuqizimin shprehimisht të Ligjit grek të Luftës nr. 2636 dhe 2637/1940i shpallur me dekret mbretëror në vitin 1940 akoma në fuqi, në veçanti pjesën e ligjit që mban sekuestron konservative të pasurive shqiptare.
Pika 6
Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, të dëbuar nga trojet e tyre amtare dhe të kërkojë njohjen e statusit të minoritetit etnik për ata.
Pika 8
Kërkon mundësinë e ngritjes apo përkujdesjes për varrezat e çamëve, ish-qytetarëve grekë, të vrarë gjatë gjenocidit grek.
Pika 9
Ngarkon Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës që të pasqyrojë, në mënyrë të përshtatshme dhe në proporcionalitet, historinë e kësaj pjese të popullsisë shqiptare në tekstet shkollore.
Pika 12
Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që këtë Rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe parlamenteve të shteteve anëtare të Bashkimit Europian, NATO-s, dhe institucioneve ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare.
Pika 13
I rezervon vetes të drejtën që në rast reagimi refuzues të palës greke, për ta konsideruar problemin në dritën e akteve ndërkombëtare mbi diskriminimin, lëvizjen e lirë, të drejtat themelore të njeriut në përgjithësi, ta paraqesë çështjen në instancat ndërkombëtare adeguate.
Citova këto pika, jo se të tjerat janë më pak të rëndësishme, por për t’ju rikujtuar vlerën e kësaj Rezolute si për popullsinë e shqiptarëve të Çamërisë, po aq dhe për ngritjen dhe vlerësimin e identitetit tonë kombëtar. Miratimi i kësaj Rezolute dhe nxjerrja në dritë e saj, solli aso kohe largimin e Vangjel Dules, kreut te PBDNJ-së nga Komisioni i Jashtëm duke thënë se: “Nuk mund të jem pjesë e kësaj mbledhjeje të Komisionit të Politikës së Jashtme, që po kthehet në ambient rrugaçërie.”
Kjo gjë nuk kaloi në heshtje dhe në Athinën zyrtare, e cila në faqet e gazetës Kathimerini shkruan: “Gjërat janë krejtësisht ndryshe tani. Erërat e nacionalizmit, që ka mbytur në gjak Ballkanin Perëndimor, po fryjnë në këtë vend. Aty po fitojnë terren partitë politike dhe organizatat që mbajnë lart flamurin kombëtar.”
Pra, për Greqinë respektimi i flamurit kombëtar është krim, ndaj dhe marrëdhëniet me qeverinë e Ramës filluan të kenë kontradita. Rama është i vetmi kryeministër i 27 viteve të demokracisë që nuk kreu asnjë vizitë zyrtare në Athinë dhe kjo nuk është e rastësishme.
Por çfarë ndodhi më pas?
Në vitin 2015, në zgjedhjet vendore PDIU u bë pjesë e koalicionit qeverisës si dhe Shpëtim Idrizi u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, gjë e cila shkaktoi largimin e Vangjel Dules nga posti i tij i nënkryetarit dhe të dalë nga koalicioni.
E vërteta është se përgjatë këtij mandati të qeverisë Rama, politika vërtet është trimëruar përballë presioneve të fqinjëve dhe një nga këto elementë trimërues është Çështja Çame.
Në kongresin e PDIU, Rama foli qartë se “Çështja e shqiptarëve të Çamërisë s’ka kthim mbrapa.”
Gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm të Greqisë Kotzias që u prit me protesta nga Shoqata “Çamëria” dhe komuniteti çam në Shqipëri, pati shumë diskutime si në qarqet shqiptare, ashtu dhe ato greke. Ajo që kryetari Idrizi kërkoi me forcë në këtë protestë ishte se “Kotzias duhet të ndajë një gjë, Shqipëria është një vend mik, apo është një vend armik. Çështja e shqiptarëve të Çamërisë është çështja e të gjithë shqiptarëve”. Kryefjala e këtij tubimi ishte “Hiqni Ligjin e Luftës!”, “ Çamëri nëna jonë na prit!”. Jo pak tensione pati në shtypin grek kjo vizitë. Vetë Kotzias në intervistën e tij dhënë medias greke për këtë vizitë ka thënë: “Kërkesa themelore e kësaj partie çame vdiq. Vdiq aty përpara meje. Vetë zoti Rama, kur u takova me të nuk e ngriti këtë çështje me mua, fare…”. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë tha katër herë publikisht se “Epiri çam dhe nonsense të tilla nuk ekzistojnë…”
Këto ishin disa pika kulmore në zhvillimet politike të qeverisjes Rama 2013-2017, ku Çëshja Çame u bë e zëshme, falë ndikimit të fortë të PDIU dhe Shpëtim Idrizit. Këto janë disa nga momentet, kur thamë me plot gojën se politika jonë u trimërua, falë Çështjes Çame.
Po sa zgjati kjo trimëri???
Pyetjet qe më vijnë në mendje, falë kësaj analize historike të shkurtër janë disa dhe të ndryshme:
1. Kaq e pati trimëria juaj??
2. Si parlamentarë të këtij vendi a do vazhdoni t’i bindeni Rezolutës Çame?
3. Sa është llokma e ofruar në këmbim të lënies jashtë të mandatit të Shpëtim Idrizit?
4. Edi Rama, nga do ju “presë timoni” këtë herë?