Në një intervistë për revistën “CorD”, komisioneri Johannes Hahn deklaron se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është i padiskutueshëm.
“Perspektiva e BE-së për Ballkanin Perëndimor është e padiskutueshme dhe e vendosur” – shprehet Hahn që shton se ky është një vullnet politik konsensual i liderëve të unionit.
Ai ka dalë hapur me idenë e një Hapësire Ekonomike Rajonale, e cila është propozuar nga presidenti serb Vuçiç në kuadër të Procesit të Berlinit, duke nënvizuar se kundërshtitë e disa vendeve në rajon mund të provokojnë pakënaqësi me Berlinin.
“Në Trieste ne do të flasim për lidhjen ekonomike, si të thyejmë barrierat për tregëtinë, por edhe për investimet dhe biznesin. Koncepti i Hapësirës Ekonomike Rajonale do të japë shtysë të fortë për zhvillimin ekonomik të të gjithë rajonit dhe do ta përgatisë Ballkanin Perëndimor për tregun e brendshëm” – shprehet Hahn.
Më tej komisioneri ka shprehur mendimin se propozimi gjerman Berlin Plus, për fonde shtesë për investime infrastrukturore ndërnacionale, është i mirë por financime të tilla nuk mund të kenë efekt pa reforma strukturore.