Vangjel Dule është deputet i Bregut apo i Himarës. Kështu e menduan shqiptarët e Qarkut të Vlorës se duhej bërë dhe ia dhanë besimin. Natyrisht, që shumë prej tyre i shkruajtën mesazhe urimi ligjvënësit të tyre, një pjesë të të cilave në gjuhën greke, meqë dhe familjariteti i Dules me shqipen është i ulët. Pasi e kryen këtë detyrë patriotike dhe e lanë Qarkun e Vlorës pa një përfaqësues të shqiptarëve të Çamërisë, do t’u ketë vajtur mendja për pushimet e verës. Ku ka më mirë se Riviera shqiptare për të kaluar dy ditë në paqe.
Këtë duhet ta dijë shumë mirë edhe ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri që nuk la çam pa i joshur me vende pune e para që mos të punonin apo votonin për PDIU-në. Bregun e shijon më së miri edhe numri gjashtë i listës, kryeministri Edi Rama, i cili nuk lëviz gishtin, teksa komisionerët socialistë po vjedhin një mandat deputeti çam në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Të gjithë e dinë se në Rivierë kalohet për bukuri, ndaj kanë bërë lajmërimet e duhura për të zënë një dhomë apo një çadër nën hijen e diellit përvëlues.
Edhe për këta pushues të përzgjedhur vjen në ndihmë bujaria dhe mikëpritja greke, e cila dallohet veçanërisht në tokat tona. Një anije ose shumë mjete lundruese të vendit fqinj edhe këtë vit e plotësuan traditën dhe e derdhën naftën në det, kështu që Deti Jon nga blu si qielli është bërë i zi si katrani me bojë që sajuan këta që përmendëm më lart dhe votuesit e tyre.
Tani është shtuar aradha e ankimtarëve, por harrojnë që duhet të qahen në greqisht tek Dulja, ose në shqip tek patriotët e mëdhenj kuqezi, Damiani dhe Edi.
Me siguri fjala e tyre do të dëgjohet, prandaj janë vënë në lëvizje, megjithë drejtorët e tyre të zgjidhin gjëmën.
Këta votuat, këta mbani.
Vrasësi i edukimit
Nga Luçiano Boçi Nuk e mendoja që tronditjes së opinionit publik për vrasjen e nxënësit 14-vjecar Martin Cani, do i...