Numri i lejeve të ndërtimit të dhënë në të gjithë vendin është 101 në tremujorin e parë të vitit me një rënie vjetore 4.7 për qind, por ne kryeqytet numri i ka pësuar një rritje vjetore 138 për qind.
Sipas të dhënave nga INSTAT në janar-mars në Tiranë janë dhenë gjithsej 43 leje ndërtimi nga 18 leje që ishin dhënë vitin e kaluar. Gjithashtu lejet për të ndërtuar në kryeqytet ishin edhe më të larta se në tremujorin e fundit të 2016 ku u dhanë 41 të tilla. Nga janari i 2016 deri në fund të marsit 2017 u dhanë 149 leke në kryeqytet. Numri i lejeve të dhëna sinjalizon se sektori i ndërtimit do të vijojë rritjen edhe këtë vit.
Në tremujorin e parë 2017 janë miratuar gjithsej 101 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe rreth 91.864 m 2 .
Numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa rezidente (ku përfshihen ndërtesat për banim) zë 75,2 % të numrit gjithsej të lejeve, ndërkaq numri i lejeve miratuar për ndërtesa jo rezidente (ku përfshihen ndërtesat për hotele dhe të ngjashme, zyra, tregtare, industriale dhe të tjera) zë 24,8 %.
Gjatë tremujorit të parë 2017, në numrin e lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja, përqendrimin më të madh e kanë qarku i Tiranës me 42,6 % dhe i Vlorës me 15,8 %
Në Vlorë janë 16 leje në tremujorin e parë, ndërsa në Durrës 1u dhanë 12 leje, në Berat 5 leje, në Elbasan dhe në Fier nga 7 leje.
Në dy vitet e fundit, rekordin për lejet e ndërtimit të dhëna e mban tremujori i dytë 2015, me 99 të tilla, kohë që përkon me muajt e fundit përpara ndryshimit të pushtetit lokal (zgjedhjet për kryebashkiakët e rinj u zhvilluan në qershor 2015).
Tirana së fundmi po zgjerohet fort nga pjesa e veriore e saj. Në vijë të drejtë me ndërtimet e reja në zonën Siri Kodra, një bllok i madh pallatesh “ Fiori di Bosko” po ndërtohet në zonën e Don Boskos nga kompania EDIL-Al. Ndërsa më tej në fushën e aviacionit ka nisur të ndërtohet kompleksi “Turdiu” me investitor kompaninë Kastrati.
Në planet e hershme të zhvillimit të Tiranës, planifikohej që kryeqyteti të zgjerohej në anën veriore, nga Alliasi në drejtim të Laprakës, për shkak të lehtësive më të mëdha të furnizimit me ujë të qytetit të madh.
/Monitor/