Nga Ylli Demneri
Më kujtohen militantët e Partisë duke përgatitur qendrën e votimit deri vonë në darkë. Sillnin sixhade, qilima, vazo me lule, mbulesa tavolinash, pa harruar portretin e diktatorit. Të nesërmen, të gjithë, pa asnjë përjashtim, merrnim votën dhe e hidhnim direkt në kutinë e votimit pa kaluar nga kabina e izolimit. Nuk e mbaj mend fare se ç’pamje kishte vota. (Po ta shikoje me vëmendje krijoje dyshime).
Më kujtohet R., aktivistja e lagjes, që sa herë bëheshin votimet i binte portës sonë që pa gdhirë: “Shpejtoni se po shkon ora shtatë, e do të dalim të fundit në votime!”. Im atë, që nga krevati, s’i linte rob shtëpie pa i sharë. Në sfond dëgjoheshin tingujt e Bandës së Qytetit që kishte filluar të parakalonte rrugëve të Tiranës që në pesë të mëngjesit.
Më kujtohet se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve ishte 99,99 % për kandidatët e Frontit. (Kandidatë të tjerë nuk kishte). 0,1 % -shi shërbente për t’i treguar botës se në Shqipëri ekzistonte demokracia, ndërsa në politikën e brendshme shërbente për të treguar se armiku i brendshëm nuk është eliminuar plotësisht, prandaj duhej forcuar gjithmonë lufta e klasave. (Luftë klasash = burgosje, internime, varje, pushkatime).
Më kujtohet, kur RTSH-ja filloi të transmetojë emisione didaktike për t’i mësuar qytetarët sesi votohet në demokraci. Pas 45 vjetësh. Ishte viti 1991.
Comments 1