Është promovuar dje në Tiranë, libri i Arben LLallës “Kolaboracioni dhe genocidi në Çamëri/ 1944-1945- E vërteta e bashkëpunimit të çamëve me gjermanët”. Nën logon e UETPress pjesë e serisë SCRIPTA MANENT, ai trajton disa problematika të ndara në kapituj: Greqia nazifashiste e Joani Metaksas (1936-1941); Qeveritë Kolaboriste greke (1941-1944); Bashkëpunimi i vllehve me nazifashistët; Bashkëpunimi i Napoleon Zervës me Gjermanët; Shqiptarët e Çamërisë gjatë viteve 1941-1945,Roli i klerikëve ortodoksë grekë në gjenocidin 1944-1945,kundër popullsisë shqiptare në Çamëri; Falsifikime të historisë me anë të tjetërsimit të fotografive; Kryeministrat e Greqisë së pas luftës bashkëpunëtorë të gjermanëve dhe Racizmi ndaj minoriteteve në Greqi, në veçanti atij shqiptar dhe sllavo-maqedonas.
Libri u kushtohet dëshmorëve të Batalionit “ÇAMËRIA”, të cilët luftuan krah përkrah me partizanët grekë të EAM-ELAS, kundër pushtuesit gjerman.
“E kam pasur tepër të vështirë për të gjetur fotografitë origjinale dhe disa gazeta në gjuhën greke për vitet që bëhet fjalë. Shteti grek me strukturat e saj shtetërore prej rreth 70 vjetësh e ushqejnë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm me libra dhe shkrime të gënjeshtrës rreth asaj që ka ndodhur në të vërtetë nga viti 1936-1945, në lidhje me minoritetin shqiptar në Çamëri-Epiri i Jugut. Ka shumë fotografi të keqinterpretuar qëllimisht nga historianët dhe publicistët grekë rreth akuzës të pa faktuar të bashkëpunimit të çamëve me gjermanët. Pas shumë vitesh punë munda të gjej të vërtetën e atyre fotografive që grekët pretendojnë se janë bashkëpunëtorët çamë me gjermanë”, shkruan Llalla në parathënie.
Ai shton se “nuk ka pasur asnjëherë bashkëpunim kolektiv të popullsisë çame me pushtuesit italianë dhe gjermanë, qëllimi i gjenocidit grek ishte për të spastruar Çamërinë-Epirin e Jugut nga shqiptarët myslimanë, grabitja e pasurisë si dhe vendosja e refugjatëve ortodoksë të ardhur ndër vite nga Azia e Vogël. Gjatë operacionit në shpërnguljen e hebrenjve të Janinës për në kampet e përqendrimit dhe shfarosjes, gjermanët, në bashkëpunim me xhandarmërinë greke, shpërngulën edhe dhjetëra çamë antifashistë. Kjo tregon qartë se shqiptarët e Çamërisë ishin në anën e partizanëve grekë”.
PJESË NGA LIBRI I ARBEN LLALLËS
Kisha Autoqefale Ortodokse e Greqisë dhe Patriarkana e Stambollit, Fanari, gjithnjë janë përpjekur për mos ekzistimin e gjuhës shqipe, kombit shqiptarë dhe ortodoksisë tradicionale shqiptare. Shqiptarët ortodoksë dhe mysliman kanë qenë në presionin e Fanarit të Stambollit për asimilimin e tyre. Që në shekujt XVIII-XIX, misionarë me veshje klerike ortodokse predikonin për mos ekzistimin e gjuhës shqipe
Mitropolitët
Kur ushtria e Greqisë, pushtoi Shqipërinë gjatë luftës italo-greke, nëntor 1940- prill 1941, Mitropoliti i Janinës, Spiridon, vizitoi trupat ushtarake greke që ndodheshin në Gjirokastër dhe u bënte presion që të dorëzoheshin pa kushte te gjermanët. Ditën e Shtunë, 19 prill 1941, Mitropoliti i Janinës, Spiridonis, bisedoi me ushtarakët e lartë grekë, Çolakoglun, Dhemestihën, Bakon dhe vendosën që të kërkonin armëpushim direkt nga Adolf Hitleri. Gjithashtu, vendosën që të formonin një qeveri të përkohshme me kryeministër Mitropolitin Spiridonin si dhe bisedimet me përfaqësuesit gjerman t’i bënte gjenerali Çolakoglu, i cili do t’u dorëzonte më 20 prill letrën komandantit të trupave SS të Hitlerit, Josef Sepp Dietrich, duke kërkuar një armëpushim. Por, Gjeorgjio Çolakoglu, nuk ua dorëzoi tekstin e shkruar nga Mitropoliti Spiridonas ku do të ishte kryeministër i qeverisë së përkohshme, por një letër tjetër ku nuk parashtrohej çështja e qeverisë së përkohshme. Ndoshta gjeneral Çolakoglu mendonte se përfshirja e Mitropolitit Spiridon në bisedimet ushtarake midis ushtrisë së Epirit dhe gjermane ishte e tepërt ose ai vetë ka pasur pretendime për postin e kryeministrit të Greqisë. Disa ditë më vonë Gjeorgjio Çolakoglu u betua si kryeministër i Greqisë. Më 20 prill, 1941, e Diela e Pashkëve, gjenerali i Korpusit të Parë, Panajot Dhemestihas, gjenerali i Korpusit të Dytë, Gjeorgjio Bako, ish-Mitropoliti i Vellas dhe i Konicës, i zgjedhur në vitin 1916, Mitropolit i Janinës, Spiridon Vllehu, nënshkruan dorëzimin dhe bashkëpunimin e ushtrisë greke të Epirit me gjermanët. Sipas gazetarit Taso K. Kondojanidhi, gjeneralët ushtarakë e zgjodhën Mitropolitin e Janinës, Spiridon kryeministër i qeverisë së Meçovës. Meçova është qendra e vllehve të Epirit të Jugut.
Në 6 korrik 1941, zgjidhet kryepeshkop i Greqisë, Damaskinos. Në meshën e kurorëzimit në Katedralen e Athinës, morën pjesë Kryeministri Kuisling Çolakoglu, ministrat e qeverisë greke, përfaqësuesit e autoriteteve gjermane, italiane, si dhe kryerabini Korec. Në prill 1943, Dhorotheos Naskari zgjidhet Mitropolit i Paramithisë, Filatit, Gjiromeriu dhe Pargës. Mitropoliti Dhorotheos lindi në vitin 1905, në fshatin Lelova-Thesprotiko të Prevezës. Emri i tij ishte Dhimitër Naskari, prindërit i vdiqën kur ishte 4 vjeç dhe disa vite qëndroi tek tezja. Pasi mbaroi shkollën fillore nisi të punojë në punë të rëndomta. Në vitin 1929, ai u shugurua Dhjak nga Mitropoliti i Korinthit, Damaskinos, i cili më 1941 u zgjodh kryepeshkop i Greqisë. Pas vitit 1931 shërbeu si prift në një nga kishat greke në Stamboll. Në vitin 1942, punonte në sekretariatin i Sinodit të Kishës Autoqefale të Greqisë. Në verën e vitit 1943, Kryepeshkopi i Greqisë Damaskino dërgon punonjësin e sekretariatit të Sinodit të Athinës, priftin Serafeim për t’i dhënë një letër personale Napoleon Zervës. Pas kësaj Serafeimi 30 vjeçar vesh rrobat ushtarake të EDES nën komandën e Zervës12. Prifti Serafeim (Visarion Tika), ka lindur më 1913, në fshatin Artesiano të Kardhicës, nga ushtar i EDES të Napoleon Zervës që kryen masakra mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë do të bëhej Mitropolit i Artës më 1949, Mitropolit i Janinës më 1958. Nga viti 1974-1998, do të ishte Kryepeshkop i Greqisë.
Spiridon Vllehu
Në shtator 1943, pas bisedimesh me drejtuesit e ushtrisë gjermane në Epirin e Jugut-Çamëri, Mitropoliti i Janinës, Spiridon Vllehu u bëri thirrje publike të krishterëve për të mos përkrahur guerilasit (fjala është për grupet e rezistencës), por të qëndrojnë të urtë dhe të bashkëpunojnë me pushtuesit gjermanë, sepse ata kanë marrë përsipër të ruajnë popullsinë besnike dhe të urtë. Kjo thirrje e Mitropolitit të Janinës, Spiridon Vllehu, mban nënshkrimin e tij dhe vulën e Mitropolisë së Janinës, datë 10 shtator, 1943. Drejtuesi i EDES, Napoleon Zerva, në fillim të shtatorit 1943, ishte takuar me Komandantin e Përgjithshëm gjerman për Greqinë, Hubert Lanz, i cili kishte ardhur për operacionet kundër partizanëve grekë ELAS. Pas këtij takimi u ra dakord që gjermanët dhe EDES të kenë një armëpushim 10 ditorë. Më tej Zerva sulmoj forcat partizane ELAS dhe liroj robërit gjerman me qëllim që EDES të sigurojë një armëpushim dhe bisedime me gjermanët. Më 24 shtator në Shkallë të Paramithisë vriten 6 ushtarë gjermanë nga forcat e rezistencës. Në zyrat e gjermanëve në Paramithi, ishin arrestuar ditë më parë se të ndodhte vrasja e 6 ushtarëve gjermanë, urdhri i komandës gjermane ishte se për një gjerman duhet të pushkatohen dhjetë grekë. Gjermanët arrestuan 52 banorë të Paramithisë për t’i pushkatuar si hakmarrje dhe më 29 shtator ata pushkatuan 49 qytetarë grekë. Pas vrasjes së 49 grekëve të Paramithisë, të afërmit e tyre kanë ngritur pikëpyetjen se nëse Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos do të ishte ato ditë në Paramithi dhe jo në Janinë, ndoshta të arrestuarit do t’i kishin shpëtuar ekzekutimit. Si do që të ketë qenë e vërteta ka një pjesë të errët për rolin e Mitropolitit Dhorotheos në ngjarjen e pushkatimit të 49 grekëve në Paramithi. Dosja e shënimeve për lëvizjet e Mitropolitit Dhorotheos nuk ekziston për publikun. Mos prezenca e Mitropolitit Dhorotheos pranë besimtarëve në ditët e tyre të vështira na lënë të kuptojmë për rolin e tij të shumëfishtë. Në fillim të nëntorit 1943, Mitropoliti Dhorotheos ishte në zyrat e gjermanëve në Paramithi dhe më tej e braktisi Mitropolinë e Paramithisë dhe iu bashkua forcave guerilase të Napoleon Zervës, EDES duke veshur rrobat ushtarake të këtij grupacioni. Mitropoliti Dhorotheos, u bë krahu i djathtë i Zervës dhe u përfshi në bisedimet e EDES me gjermanët gjatë periudhës dhjetor 1943- tetor 1944. E premte, 27 qershor, 1944, rreth 2.500 forca të EDES, me në krye Zervën dhe të udhëhequr atë ditë nga Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, i veshur me rroba ushtarake kryen masakra kundër shqiptarëve, duke mos kursyer askënd. Pasi dogjën shtëpitë e shqiptarëve, vranë dhe përzunë ata që kishin shpëtuar, nëpër rrugët me kalldrëme të Paramithës, Mitropolitit Dhorotheos, tashmë krah i djathtë i Napoleon Zervës, marshonte me ushtrinë EDES nëpër Paramithi. Në tetor 1944, Mitropolitit Dhorotheos, përfaqësoj delegacionin e EDES në marrëveshjen me gjermanë për tërheqjen nga ishulli i Korfuzit.
Atë ditë Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos mbajti një fjalim në krah të Napoleon Zervës. Pasi përfundoi lufta dhe spastrimi i Çamërisë nga shqiptarët, dy Mitropolitët që kishin bashkëpunuar me gjermanët, tashmë kërkonin pjesën si shpëtimtar të grekëve në Epirin e Jugut-Çamëri nga çamët myslimanë. Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, mbeti në këtë detyrë deri në vitin 1952 dhe më tej u dërguan si Mitropolit i Trikit dhe Stagon deri sa vdiq në vitin 1959. Mitropoliti i Janinës, Spiridon Vllehu, në vitin 1949 u zgjodh Kryepeshkop i Athinës dhe i gjithë Greqisë, vdiq në vitin 1956.
Pasi u zgjodh më 1949 Kryepeshkopi i Greqisë Spiridon Vllahu, vendosi Mitropolit të Artës, Serafeimin, i cili kishte marrë pjesë direkt në masakrat kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë. Nga gjaku i shqiptarëve të Çamërisë u shpërblyen për karrierë të lartë klerike projektuesit dhe pjesëmarrësit, të cilët lanë rrobën e klerit fetar dhe veshën uniformën ushtarake të EDES për të spastruar Çamërinë nga shqiptarët myslimanë më 1944-1945. Dy pjesëmarrësit në gjenocidin grek kundër çamëve të Mitropolitit të Paramithisë, Dhorotheos dhe prifti i thjeshtë Serafeim, i ngjitën shkallët e karrierës së tyre klerike pikërisht falë pjesëmarrjes në masakrat kundër shqiptarëve myslimanë të pambrojtur të Çamërisë. Duke lidhur ngjarjen historike, aktivitetet e dy Mitropolitëve të Epirit të Jugut-Çamërisë, atij të Janinës, Spiridon Vllehu dhe të Paramithisë, Filatit, Gjiromeriu dhe Pargës, Dhorotheos Naskara, letrën sekrete të Kryepeshkopit Damaskino me anë të korrierit, të cilin e kishte veshur ai Dhjak, Sarafeim që më tej do të bëhej Mitropolit dhe Kryepeshkop, nxjerrim përfundimin se projekti për spastrimin e Çamërisë nga shqiptarët mysliman është bërë pikërisht nga klerikët e lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Greqisë para se të ndodhte ekzekutimi i 49 grekëve në Paramithi nga gjermanët. Mitropolitët Dhorotheos dhe Spiridon Vllehu e dinin gjuhën shqipe, sepse ata kishin jetuar me shqiptarë ortodoksë dhe myslimanë në Çamëri. Ata kishin mbaruar të dy shkollën e Teologjisë Halki në Stamboll, dhe kishin një urrejtje ndaj myslimanëve. Kryepeshkopi i Greqisë Spiridon Vllahu ishte shfaqur si pararojë e ushtrive greke gjatë luftërave në Janinë, shkurt, 1913 dhe në Gjirokastër, shkurt, 1914.
Në Gjinokastër
Në prill të 1941, Mitropoliti Spiridon Vllehu ishte në Gjinokastër për t’ju bërë presion oficerëve grek për t’u dorëzuar pa luftë divizionet greke te gjermanët.
Kisha Autoqefale e Greqisë dhe Patriarkana e Stambollit gjithnjë kanë luftuar për asimilimin dhe zhdukjen e gjuhës dhe kombit shqiptar. Gjatë periudhës së Perandorisë Otomane, në Vilajetin e Janinës, shumica e drejtuesve të Mitropolitëve ishin me origjinë vllehe ose ortodoksë nga Azia e Vogël. Ashtu siç e kemi thënë në ushtrinë EDES që vepronte në Çamëri dhe që gjendeshin gjithnjë pranë Napoleon Zervës ishin klerikët ortodoks si: Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, prifti Serafeim që pas lufte do bëhej Mitropolit dhe Kryepeshkop, dhe Prifti Spiros Zafeiris që u vra në janar 1944 nga ELAS. Historia e ngjarjeve na çon në gjurmët antishqiptare të drejtuesve të lartë të Kishës Autoqefale të Greqisë. Udhërrëfyesi i masakrave kundër shqiptarëve në Çamëri është Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, sepse ishte njohës i mirë i territorit, njihte personalisht të gjithë parinë e Çamërisë dhe e fliste gjuhën shqipe. Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos ishte krahu i djathtë e Zervës dhe e udhëzonte për çdo veprim që duhej të merrte në Çamëri, pasi Napoleon Zerva nuk e njihte territorin, njerëzit. Prifti Serafeim i ardhur në ushtrinë EDES të Zervës me letër të Kryepeshkop Damaskinos mori pjesë direkt në masakrat kundër çamëve. Çfarë i lidhte këta katër emrat Damaskinos, Spiridonos, Dhorotheos, Serafeim që ndeshim në ngjarjet e vitit 1943-1945, në Çamëri?
Mitropoliti i Janinës, Spiridonos (Spiridon Sito-Vllehu), që më 1949 u zgjodh kryepeshkop i Greqisë, është njeriu që bëri trysni te gjeneralët grek në Prill 1941, për të nënshkruar aktin e kapitullimit. Mitropolitis Spiridonos ishte njeri i besueshëm i gjermanëve, ai kishte shfaqur pas nënshkrimit të kapitullimit ambicie për kryeministër të Greqisë. Kryepeshkop Damaskinos (Dhimitër Papandreu), ishte zgjedhur Kryepeshkop i Greqisë në 6 korrik 1941, me ndihmën e qeverisë kuislinge të Çolakoglu dhe gjermanëve nazistë. Ai kishte bekuar qeveritë kuislinge të Gjeorgjio Çolakoglu, Konstandinos Logothetopulos dhe Joani Ralli. Kryepeshkop Damaskinos ishte njeri në shërbim të gjermanëve. Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos (Dhimitër Naskari), është veshur Dhjak nga Kryepeshkop Damaskinos në Korinthi. Ata njiheshin që në vitin 1929 dhe kishin lidhje të ngushta, Dhimitër Naskarin, emrin Dhorotheos e ka pagëzuar Kryepeshkop Damaskinos. Priftin Serafeim (Visarion Tika) që më vonë do të bëhej Mitropolit i Artës, Janinës dhe Kryepeshkop më 1974, e ka veshur Dhjak, Kryepeshkopi Damaskinos më 1938 duke e pagëzuar me emrin Serafeim. Dhorotheos dhe Serafeim ishin shok të vjetër që nga vitet 1932.
Damaskinos, Spiridoni, Dhorotheos dhe Serafeimi e dinin gjuhën shqipe, dhe ishin luftëtarë për aneksimin e Jugut të Shqipërisë- Autonomia e Veriut të Epirit. Urrenin tej mase myslimanët. Këto janë vërejtur ndër vite gjatë aktiviteteve të tyre. Spiridonos dhe Dhorotheos ishin vlleh, pra ishin me origjinë nga vllehët e Pindit. Nga të gjitha këto sa parashtruam ne nxjerrim përfundimin se projektuesit e gjenocidit grek ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri është kisha greke, Kryepeshkopi Damaskinos, Mitropoliti i Paramithisë Dhorotheos dhe Mitropoliti i Janinës, Spiridon Vllehu i cili nga viti 1949-1956, ishte Kryepeshkop i Kishës Autoqefale të Greqisë. Pjesëmarrës në këto maskara është edhe kryepeshkopi i Greqisë Serafeim, i cili në atë periudhë ishte ushtar i EDES të Napoleon Zervës që vepronte në Çamëri. Në qershor të 1993, Kryepeshkopi i Greqisë Serafeim takoi në Athinë udhëheqësin serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe kur ky u përpoq t’i puthte dorën, kryepeshkopi e shtyu me butësi duke i thënë:- “Unë duhet të puth këmbët e tua”. Kjo dëshirë e shprehur në publik e kryepeshkopit Serafeim për t’i puthur këmbët Radovan Karaxhiç, njeriut që ka urdhëruar masakrat kundër myslimanëve në Bosnjë-Hercegovinë, dhe që gjendet i burgosur në Gjykatën e Hagës për gjenocid 1992-1995, na lenë të kuptojmë se kryepeshkopi Serafeim i urrente tej mase myslimanët, pavarësisht se kujt kombësie i përkisnin. Gjenocidin grek kundër popullsisë shqiptare myslimane në Çamëri e projektoi dhe e udhëhoqi Kisha Autoqefale e Greqisë.
/shqiptarja.com/
Comments 1