Të gjithë po flasin për një “Balenë Blu” që po bën kërdinë, është arratisur nga ujërat dhe mbijeton fushave e maleve, kudo ku ka internet. Në kohën kur fëmijët kryesisht luanin, ndodhte të vrisnin gjunjët apo të përfundonin me disa penj në ballë, por kaq. Nuk kishin celular ta fotografonin lëndimin, madje fshihnin lotët që prindërit të mos i qortonin.
Tani fëmijët nuk vriten më, tentojnë të vetëvriten. I vret “Balena Blu”, alarmante! Një lojë që duhet marrë me të vërtetë seriozisht. Po a është interneti që po zbeh fuqinë prindërore apo janë nënat dhe baballarët që ja delegojnë prindërimin pajisjeve elktronike?
Të shpeshta janë situatat kur fëmijët e vegjël me shumë “marifet” qajnë për një lojë në celular dhe nuk pushojnë deri sa nënat apo baballarët ja japin “pajisjen çudibërëse”. Ai pushon së qari dhe zhytet në botën virtuale me ngjyra. Prindi “shijon” pak çaste në qetësinë se mendon që meriton ta ketë pas një dite të lodhshme. Pastaj fëmijët vazhdojnë rritjen bashkë me celularin.
Ftohtësia mes marrëdhënieve njerëzore sidomos ndërmjet brezave të ndryshëm për hir të internetit nuk është më shqetësim, fatkeqësisht. Teknologjia ka krijuar një lloj të ri njeriu që tani po përdor mekanizamat e saj ta zhdukë.
Dhe si më mirë se nëpërmjet “Balenës Blu”. Kjo lojë që mund të shkarkohet në internet lehtësisht, detyron fëmijët që të dhunojnë veten duke i lënë shenja të dukshme dhe më pas ta fotografojnë e t’ia dërgojnë një personi anonim pas ekranit. Sa më shumë avancojnë nivelet aq më e dukshme bëhet dhuna. Pagjumësi, mosushqyerje, çarje e krahëve me brisk dhe shpim me gjilpëra janë efektet e lojës që një vogëlush përjeton ndërsa lundron në “botën celular” që i kanë dhuruar prindërit, edhe që ai të mos ndihet ndyshe nga shokët.
Në Shqipëri në ato raste të identifikuara në Shkodër dhe Gjirokastër loja ka mbetur në këto nivele. Fatmirësisht askush s’e ka fituar, sepse ta fitosh do të thotë të vetëvritesh. Më shumë se fëmijët janë prindërit ata që duhet të lexojnë më shumë për të dhe t’i ndërgjegjësojnë fëmijët se jeta është e bukur prandaj me të mund të luash, por vdekja s’mund të jetë kurrsesi një lojë, aq më pak ta fitosh.