Mblidhet sot paradite komisioni Ad-Hoc me 6 anëtarë për përzgjedhjen e emrave për krijimin e institucioneve të vettingu-t.
Mbledhja do të zhvillohet në orën 11:00 për të votuar kandidatët që konkurojnë për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit bashkë me Komisionin e Pavarur te Kualifikimit dhe komisionerët publikë, përbëjnë tre institucionet që do të realizojnë procesin e rivlerësimit, i njohur ndryshe si vetting-u, për anëtarët e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Sipas nenit 10 të këtij ligji, procedura e votimit në komisionin ad hoc bëhet përmes një sistemi elektronik që mundëson votimin e fshehtë, ku secili anëtar voton për një kandidat.
Secili nga 6 anëtarët e komisionit përzgjedh nga lista e kandidatëve për votim një kandidat për gjyqtar të Kolegjit të Apelimit, pa debat dhe përmes një votimi të fshehtë elektronik, ku secili anëtar i komisionit voton vetëm për një kandidat.
Anëtarët e komisionit ad hoc marrin pjesë në të gjitha raundet e votimit deri në zgjedhjen përfundimtare të gjashtë gjyqtarëve të Kolegjit të Apelimit, i cili ka një mandat 9-vjeçar.
Pas kësaj, Kuvendi brenda 10 ditëve miraton listën e kandidatëve në bllok, me 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve të tij.