Nga Enkel Demi
Ka një shprehje që qarkullon nëpër qytet në lidhje me raportet mes Berishës dhe Bashës. Dikush pyet nëse doktori i ka marrë leje Bashës që sulmon qeverinë. Në fakt, është i vetmi zë nga kandidatët për deputetë që mundohet ta mbajë ende lart flamurin e opozitarizmit. Në këtë rast ka dy rrugë; ose doktori nuk e di që kryetari i partisë së tij është bërë bashkëudhëtar me Edvinin, ose doktori nuk po i bindet disiplinës së partisë. Fjala vjen, në një intervistë Sali Berisha shkrehu pushkët e akuzave drejtuar ndaj Ilir Metës. Ai, madje u kujdes ta ridrejtojë thepin e pushkës tek Edi Rama dhe Saimir Tahiri.
Me këtë zhvillim disident brenda listës së qepur të Lulit duhet të presim masat ndëshkimore që e zënë doktorin, ose Luli ashtu si ka bërë këto katër vjet do të zbythet. Pra, nëse si me magji tërhiqet nga sulmet e bakllavasë dhe sheqerpares dhe i gafurret prapë shokut të jetës së natës, kuptojmë që doktori i ka ende çelësat e magazes në dorë. Por, nëse Lulzim Basha vazhdon t’i bjerë të njëjtës daulle duke sulmuar të tjerët, për hir të marrëdhënies së dashurisë që ka shtënë në orën e paçes dhe pilafit, atëherë doktori duhet shpallur armik. Ai nuk ka pse në këtë pikë të ketë tjetër fat prej Arben Imamit, Jozefina Topallit, Majlinda Bregut a ndonjë tjetër.
Madje, për hir të kronikës kjo do të ishte një nga gjërat më të jashtëzakonshme që ka për të ngjarë. Gazetarët si puna ime që kanë 27 vjet që raportojnë zhvillimet politike në vend, do të ishin në gjendje të raportonin linçimin e një politikani me të njëjtën metodologji që ai kishte për zemër, kur dikur ndëshkonte kundërshtarët e tij.
Gjithsesi, le t’i kthehemi thelbit. Çfarë do të bëjë Luli me këtë rebel që bërtet nga vendi i tetë i listës, thua se është në vend të parë?
Ka gjasë që të zgjedhë të heshtë, sepse ndoshta ka me shku me taku Donald Trump. Basha është një njeri që ka një talent të arrirë për t’ju shmangur brendisë. Asnjëherë nuk përballet me betejën, por vetë qëndron në një qoshe duke qeshur ëmbël, ndërsa ka sulur sharabajkat që t’i bëjnë luftën.
Në këtë rast duhet parë kujt do t’i bjerë për hise të telendisë doktorin si telendisën dikur listën e gjatë të zërave kundër për të përfunduar me Majlinda Bregun apo Jozefina Topallin.
Do na duhet të presim përroin psiqik që do e akuzojë vetë doktorin si të blerë nga komunistët, si njeri që po fle me mullixhiun, viktimë e tenderave dhe konçesioneve të Ilir Metës e kështu me radhë.
Por, edhe nëse nuk ndodh kështu, doktori, lideri historik po sheh si historia përsëritet mot a mot, kur je aq naiv sa mendon të kontrollosh pupacin. Para tij tentoi Berluskoni me Alfanon. Ky i fundit nga një djalë i ri i Siçilisë që u fut në politikë me kavalierin idhull, përfundoi që mori aq deputetë sa i donte ënda nga lista që vetë bëri dhe hyri në një qeveri të majtë për të bërë ministrin e brendshëm e tani të jashtmin. Miku i Berishës, Berluskoni, tani, në këtë moshë të rënduar është i detyruar t’i rifutet detit në këmbë, sepse mendoi që kryetari i emëruar prej tij do ishte marionetë. Në datë 26 qershor duhet me pas hall mos pupaci shkon e bëhet ministër me gjithë listë, meqë sipas doktorit çdo lider bën listën e vet.