Sot në mbrëmje, në orën 19:00, përfaqësuesja e Shqipërisë do të përballet me Luksemburgun, në një ndeshje miqësore që do të shërbejë si test përpara sfidës zyrtare kundër Izraelit.
Sa i përket skemës, mbetet e njëjta me një rreshtim 4-3-2-1. Nga minuta e parë, në portë do të jetë Strakosha, pasi Berisha është sërish i pezulluar. Përpara tij në mbrojtje janë Mavraj e Gjimshiti në qendër, ndërsa në krah rikthehet Lenjani, pas mungesës së kapitenit Ansi Agolli për arsye kartonash, dhe Hysaj në krahun tjetër.
Përpara tyre, në mesfushë do të zbresin Kukeli, Abrashi dhe do të rikthehet në formacion Kaçe. Nga krahët, Roshi dhe Memushaj, për t’i lënë vendin Sokol Cikalleshit, të vetëm në sulm.
Ky është formacioni që Gianni De Biasi do të hedhë në fushën e lojës nga minuta e parë, në përballjen e mbrëmjes së sotme përballë Luksemburgut. Pas kësaj ndeshjeje, përfaqësuesja shqiptare do të udhëtojë drejt Stambollit, ku do të qëndrojë në ditët e mbetura përpara udhëtimit për në Haifa, ku do të luajë ndeshjen kualifikuese të Botërorit “Rusi 2018” ndaj Izraelit.