Gazetarë të mediave të rëndësishme të Evropës janë në Kapshticë për t’u drejtuar në fshatrat e Korçës atje ku kanë nisur përgatitjet për të pritur refugjatët
Po vijnë refugjatët nga Lindja e Mesme. Pas sinjaleve të dhëna herë pas here nga organet qeveritare shqiptare tashmë sinjalet janë kthyer në realitet.
Një grup gazetarësh perëndimorë, kryesisht italianë dhe francezë janë nisur sot në mëngjes drejt Bilishtit dhe pikës kufitare të Kapshticës. Siç mësohet janë bërë edhe prenotimet në hotelet vendore.
Nuk janë vetëm reporterë gazetash, por edhe grupe televizionesh të mëdha botërore. Një ekip i BBC-së ka mbërritur nga ishujt grek dhe në qytetin e Kosturit.
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, deklaroi dy javë më parë se Shqipëria është gati që të pranojë një numër refugjatësh nga Lindja e Mesme.
Ministrja e Mbrojtjes tha se, në bazë të informacioneve të mbledhura, rezulton se refugjatët mund ta përdorin Shqipërinë si vend tranzit, vetëm për të kaluar, pasi nuk janë të interesuar të stacionohen këtu.
Sipas një plani paraprak, flitet se në Shqipëri mund të mbërrijnë nga 75 mijë deri në 90 mijë refugjatë.
Para pak kohësh qeveria shqiptare ka mbajtur një mbledhje të posaçme për planin e pritjes së refugjatëve. Zëvendëskryeministri Niko Peleshi deklaroi se mbledhja kishte për qëllim parapërgatitjen për çdo rast nëse edhe Shqipëria do të prekej nga fenomeni.
Mundësia e ardhjes së refugjatëve nga Siria në Shqipëri është artikuluar që në samitin e BE-së me liderët e Ballkanit të zhvilluar në tetorin e kaluar në Austri. Krerët e rajonit kanë pranuar një plan prej 17 pikash, përmes së cilit synohet të menaxhohet nga vendet e Ballkanit fluksi i refugjatëve.
Presidenti i KE-së, Jean-Claude Juncker, deklaroi në atë kohë se plani përfshin edhe krijimin e qendrave të strehimit, të cilat do të presin 100 mijë emigrantë e do të ngrihen përgjatë rrugës nga Greqia gjer në Gjermani. Juncker do të thoshte se Agjencia e OKB-së për Refugjatët, UNHCR-ja, do të ndihmonte në pritjen e 50 mijë emigrantëve në Greqi, dhe pjesa tjetër do të ndahet mes vendeve të tjera të Ballkanit.
Kryeministri Edi Rama do të shprehej po ashtu në tetor se edhe Shqipëria mund të prekej nga kriza gjatë stinës së dimrit, ndaj duhej bashkëpunimi rajonal për përballimin e situatës.
Më shumë se 650.000 emigrantë vlerësohet të kenë ardhur nga deti gjatë 2015-s, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), por numri i saktë ende nuk dihet. Konflikti në Siri vazhdon të jetë burimi më i madh i emigrantëve.
Hipotezën që Shqipëri-Itali mund të kthehet në një itinerar e konfirmojnë dhe zyrtarë të BE-së duke folur për Reuters-in. Gjithashtu, me kërcënimin që disa vende të Ballkanit mund të mbyllin kufijtë, Shqipëria mund të kthehet në një vend strehimi për refugjatët nga Siria.
Deri tani janë përgatitur dy kampe për strehimin e tyre. Bëhet fjalë për një Korçë dhe një tjetër në Gjirokastër, nga ky priten hyrja e tyre nga Greqia përmes Kapshticës dhe Kakavijës. Në Gjirokastër, fusha e aerodromit po bëhet gati të kthehet në kamp me çadra, e njëkohësisht edhe fushëpushimi që ndodhet brenda territorit të ish-Brigadës së Këmbësorisë të Forcave të Armatosura. Kapaciteti pritës i këtyre dy hapësirave është për 10 mijë persona. Ndërsa në Korçë, ish-reparti ushtarak në Kapshticë do të shërbejë si kamp për refugjatët që do të kalojnë kufirin për në Shqipëri nga Greqia. Kapaciteti pritet të jetë për rreth 500 persona.