Nga Ilir Seci
…Për mendimit tem, kriteri i vetëm me vlerësue nji vend, asht dëshira me u kthye prapë aty mbas vizitës së parë. Kur njeriut i pëlqen nji vend, gjithmonë thotë: -“Due me u kthye prapë këtu!”. Nisun nga ky kriter, për mue, nji nga vendet që kisha dashte me e vizitue sa ma shpesh, asht Bostoni… Për shumë arsye…
…Bostoni asht nji qytet me banorë mjaft miqësorë, shumë të sjellshëm, të afrueshëm, që të flasin athue se të kanë njoftë hejsekur, athue se janë rritë me ty… Mbasi ke ba porosinë në kafenenë “Starbucks”, nësa je t’u pritë në radhë me marrë kafen, personi para teje nis e kuvendon me ty, krejt natyrshëm, të dvetë nga je e çka të ka qitë Boston. Për ne të mësuemit me ritmin marramendës të New Yorkut, qytetit gjigand që prodhon ngutje dhe imponon shpërfillje, eksperienca miqësore në Boston asht nji gja e veçantë, pse në New York nuk pyet kush ashtu, metropoli gjigand asht mësue me turlifarë kombësish e me turlifarë vizitorësh…njerëzit nuk kanë kohë! Në New York koha ka tjetër përmasë… Nji prej knaqësive që gjan njeriu në Boston asht vizita në Universitetin e Harvardit… Vetë Universiteti asht nji tempull që e emocionon vizitorin dije-dashës… Dija e Njerëzimit! Universiteti i Harvardit, mes tjerash, ka disa muzeume fenomenale… ato muzeume mbajnë objektet që janë sjellë aty për qindra vjet nga pedagogët e Harvardit, zbulues, arkeologë, antropologë, biologë, fizikantë, shkenctarë të çdo fushe… Artifakte të shumta gjinden të ekspozueme në stendat e këtyne muzeumeve në Harvard. Artifakte që bajne për veti kundruesin e tyne, që e grishin atë me mësue mbi përvojat e njerëzve që dikur kane përdorë ato objekte, me mësue mbi zotësitë e tyne kajherë mahnitëse… Muzeumet në Havard i kanë organizue në atë mënyrë që kundruesit me ia lanë luksin e vetë-eksplorimit, nga godina e parë e deri te e mbramja kridhesh në nji univers që ban të mujtun udhëtimin në kohë… Profesorët e këtij Universiteti kanë ba kërkime në çdo kand të globit dhe në fund të ekspeditave kanë sjellë me veti shumë shënime, gjetje, objekte të rralla… Në nji seksion mundesh me kalue ore të tana tue krahasue mjetet e peshkimit që janë përdorë në kultura të ndryshme, kultura që edhe pse kanë pasë oqeane ndërmjet, ia kanë arritë me përsosë mjete gjuetie aq të ngjashme me njani-tjetrin, anipse kurrë nuk kanë pasë kontakt bashkë… …Nji seksion i muzeut asht seksioni i quejtun, “Lulet e Qelqta”, (Glass Flowers), ka të ekspozuem nji koleksion të pasun që i kushtohet florës. Koleksioni asht përgatitun nga mjeshtrat gjermanë, babë e bir, Leopold dhe Rudolf Blaschka, të cilët e përgatiten atë koleksion unikal nga viti 1887 deri në vitin 1936, në studion e tyne, “Blaschka”, të vendosun në Hosterwitz, afër Dresden, në Gjermani. Koleksioni asht nji kombinim i mrekullueshëm i skulpturës dhe ilustrimit botanik, që ban të mujtun me mësue për florën shumë herë ma tepër sesa mund të mësohet nga natyra në kohë reale. Nji koleksion mahnitës, me imazhet e përftueme nga zmadhimi miliona herësh në mikroskop i luleve, gonxheve, petaleve, pistilave e sytheve, të tana të realizueme në qelq… Njeri e gjan shumë të vështirë me e besue se ato janë prej qelqi, kaq shumë ngjasojnë me lulet natyrale! Lulet e ekspozueme aty janë ilustrime botanike tridimensionale që grishin me pa dhe me krahasue llojet, gonxhet, rranjët, petalet, farat, frutat dhe gjethet e tyne…
…Në Seksionin e Mineralogjisë njeriu mund me kalue ditë të tana duke kalarue stendat e mbushuna me gurë të gjetun në secilin kontinent dhe jo vetëm aty… Në stenda kishte edhe copëza meteoritesh, copëza kometash, gurë nga Hana, dhurue muzeut nga ekspeditat “Apollo”…
…Seksioni i Faunës paraqet nji koleksion mahnitës të botës së gjallë, edhe në këtë seksion speciet e ekspozueme janë fryt i kombinimit së artit të skulpturës me saktësinë shkencore. Speciet e ekspozueme nuk janë gjallesa të balsamosuna, por janë statuja realizue mjeshtërisht nga skulptorë.
Në këtë seksion gjindet nji nga fosilet ma impresionuese në tanë botën, “Kronosaurus queenslandicus”, fosil i periudhës Kretake, i gjetun në Queensland, Australi. Kronosaurusi ka qenë një pliosaur me qafë të shkurtër. Skeleti në muze asht 12.8 metra i gjatë dhe njihet si fosili ma i plotë i njoftun deri më sot në botë, asht gjetë në blloqet masive të gurit gëlqeror të periudhës kretake, në Queensland, Australi dhe asht i vjetër 135 milionë vjet.
Seksioni i arkeologjisë msheh disa thesare, që bajnë njerin me harrue kohën, teksa mundohet me krahasue moshat e fosileve të ekspozueme nëpër stenda. Fillimisht, lexon shënimin shpjegues poshtë një fosili gjetë në Itali, i vjetër 40 milionë vjet!
E ndërsa je tue u mundue me llogaritë me mend përmasën e asaj shifre 40 milionëshe, vëren që nji fosil tjetër aty; qenka 135 milionë vjeçar!
E për ty që fillimisht t’u duk e pakapërdishme ideja e vjetërsisë 40 milionëshe, mosha 135 milionëshe të vjen edhe ma e vështirë me ja rrokë përmasat… Por, ka prapë, muzeu ruen të tjera surpriza, pse pak stenda ma përtej gjen nji fosil 405 milionë vjetësh…
Seksionin i historisë së njerëzimit kishte shkepë nëpër stenda përvojat e shumta të arkeologëve, etnologëve, antropologëve, historianëve e zbuluesve, fakte dhe artifakte që stafi i këtij Universiteti kish mbledhë në tanë botën. Në nji stende ishte nji nagant i vjetër dhe në stendë thjesht shënohet se asht nga Mali i Zi. “Pistoletë e stolisur, vjen nga Mali i Zi” – shënohej te ky nagant në seksionin e armëve të rralla në Peabody Museum në Universitetin e Harvardit… tue ditë historinë e kombit tem, ndejta tue vra mendjen athue mos asht kjo arma e ndonji shqiptari të atyne anëve?!
Gjithsesi elementin shqiptar e gjaj ma përtej në nji tjetër stendë, ku janë ekspozue dy objekte të lashta ilire… “Figurinë Bronzi”, e periudhës mes viteve 750-600 para Krishtit, gjetun ne Hallstatt, Austri…(Bronze Figurine, ca. 750–600 BC, Hallstatt, Austria,), gjetë në vjetën 1907, në varrezën e Hallstattit, në Alpet Austriake. Asht gjetë nga Dukesha e Mecklenburg, një arkeologe amatore, entuziaste e madhe e arkeologjisë… Çka përfaqeson kjo figurinë mbetet një mister, por gjithsesi ajo mbetet nji shembull i shkëlqyer i artit të figurinave, artit që u shfaq në Europën qendrore gjatë Epokës së Hekurit të hershëm, 750-600 para Krishtit…
Dhe objekti i dytë ilir ishte, “Kovë, (pallaskë, vedër), Bronzi”, e periudhës mes viteve 400-300 para Krishtit… (Bronze Situla, ca. 400-300 BC, Slovenia.), e gjetun në vitin 1905, në varrin e nji njeriu të pasun, në Mecklenburg, Sllovaki. Kjo enë ka mbrenda tiparet e Epokës së Hershme të Hekurit në Europën Qendrore. Kombinimi tipareve vendase, me zbukurime të Epokës së Bronzit, si dhe me huazime nga ndikimet Mesdhetare, kjo kovë është përdorur fillimisht si një kovë vene nga njerëzit e zonës Juglindore Alpine, në Slloveninë e sotme…
Nji thesar më vedi ishte seksioni i antropologjisë, ku ishin ekspozue frytet e kërkimeve në ishujt e panjohur të Paqësorit, zonat e skajshme të Alaskës, apo xhunglat ende të pa eksplorueme të pellgut të Amazonës në Brazil. Jeta e aborigjenëve të pellgut të Amazonës paraqitej në një stendë të këtij muzeu në shënimet e antropologëve Robert dhe Yolanda Murphy. Mjaft interesante pse të dy studiuesit, Robert dhe Yolanda Murphy, kur kishin ba studime në vitin 1953 ata kishin jetue në mesin e tribusë Cabrua, në xhunglën braziliane… Dy antropologët kishin jetuar disa kohë në mesin e pjesëtarëve të tribusë Cabrua… Shumë domethanëse i gjeta fjalët e prijësit të tribusë Cabrua, fjalët e lamtumirës që Prijësi ua kish thanë antropologëve, kur ata ishin larguar:
-“Para se me ardhë ju e me jetue mes nesh, jeta jonë rridhte si gjithmonë dhe na ishim të lumtun. Përdite ne punonim, hanim dhe mbasandej flinim. Kur na erdhët ju ne u gëzuem, sepse na sollët shumë dhurata të bukura. Dhe çdo natë, në vend që me fjetë, ne uleshim me ju, pinim kafe, tymosnim duhanin tuej dhe dëgjonim radion tuej. Por, tash ju po shkoni dhe ne na vjen keq, por të tanë këto gjana shkojnë me ju. Ne, tash njohim kënaqësitë, me të cilat u mësuem, dhe ne kena me qenë të palumtun.”
…E këto fjalët e prijësit Cabrua nuk të shklasin prej mendje për shumë kohë… ato fjalë të ushtojnë në veshe edhe sa kohë mbas vizitës tue të ndjek mbrapa si nji hije dyshimi mbi tanë domethanien e jetës bashkëkohore, ate domethanien që ja kemi dhanë asaj, na njerëzit modernë si parapëlqejmë na me e quejtë veten…