Imami i Shkodrës Muhamed Sytari, ka fajësuar dy liderët, kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës Lulzim Bashën që përcaktuan me marrëveshje datën 25 qershor si datë të zgjedhjeve.
Sytari ka reaguar lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme më 25 qershor, në festën e Fiter Bajramin, duke shprehur pakënaqësinë e thellë dhe shton se një gjë e tillë nuk ka ndodhur as në komunizëm.
“Jemi befasuar nga dy drejtuesit kryesorë, kur dëgjuam se caktuan zgjedhjet ditën e Bajramit. Një fenomen që as në kohën e komunizmit nuk ka ndodhur, edhe pse feja ishte e ndaluar. Natyrshëm ne presim reagimin e KMSH, por kjo është e pafalshme ndaj shenjtërisë së kësaj dite. Festat tona janë të shenjta e solide që prekja e tyre duhet të jetë kufi i ndaluar për të gjithë”, ka thënë Muhamed Sytari.