Nga Skënder Minxhozi
Kjo ka qenë një ndër ato frazat absurde të sistemit komunist, të cilat janë kthyer ndër vite në subjekte humori e barcasletash në të katër cepat e Shqipërisë. Ky përcaktim naiv dhe qesharak duket i rikthyer “në modë” këto orë, kur opozita shqiptare ka vendosur t’i thotë jo edhe amerikanëve, edhe gjermanëve, edhe europianëve, edhe të majtëve, edhe të djathtëve. Shkurt, gjithkujt që i ka rënë rruga dhe i ka qëlluar fati jo edhe aq i mbarë, për t’u marrë me krizën shqiptare.
Mbledhja e fundit kilometrike e grupit parlamentar të PD ka përfunduar në fjalë të varfëra, me ripërsëritjen e aksiomës tashmë të njohur të Lulzim Bashës për qeverinë teknike dhe ikjen e Edi Ramës para zgjedhjeve. Një përcaktim që pengon qysh në krye të herës çdo konsensus, çdo kompromis, çdo spirale për negociata dhe vendimmarrje kontruktive. Në fund të një mbledhjeje, e cila u pa si një akti final drejt ndarjes së mendjes, demokratët kanë vendosur që të rikthehen edhe një herë në çadrën 72 ditore.
Lulzim Basha ka vendosur kësisoj qerren para kuajve, duke u ofruar këtej e tutje për kompromise me Edi Ramën, me vendimin e forumeve më të larta të partisë së tij për qeveri teknike, larg zgjidhjeve të ndërmjetme. Kjo do të thotë me fjalë të tjera, që çdo negociatë mes palëve tashmë quhet parimisht e kompromentuar, sepse njëra nga partitë në tryezë ka vendosur të shmangë me koshiencë dhe përkundër gjithë presionit të madh ndërkombëtar, të gjitha zgjidhjet që nuk përmbajnë brenda tyre qeverinë teknike para zgjedhjeve të 18 qershorit.
Nëse ka pasur dilema dhe hamendje rreth sinqeritetit të Lulzim Bashës për të hyrë në procesin elektoral të verës, ky moment sonte i përforcon akoma më shumë ato. Tashmë, kur e djathta europiane i ka thënë shkoqur opozitës në Shqipëri se “bojkoti është i papranueshëm për standartet e Bashkimit Europian”, duket qartë se brenda PD ka një rrymë të qartë kundërshtarësh të zgjedhjeve të përgjithshme. E kjo, jo për shkak të vjedhjes së votave, aq sa si pasojë e parandjenjës së përgjithshme brenda opozitës së sotme, se rezultatet e zgjedhjeve të 18 qershorit do të jenë gjithsesi negative dhe do ta lenë në pakicë PD-në edhe për katër vjetët e ardhshme. Pa folur për vetting-un, i cili vijon të mbahet peng nga Çadra, në të njëjtin format me zgjedhjet, megjithëse nuk ka asnjë lidhje me to. Për këto arsye, “bar do të hamë…”!
/javanews.al/