Kukësi ka mundur ndeshjen e sotme Laçin dhe i bashkangjitet Partizanit në krye të renditjes. Skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka fitoi me rezultatin 2-1, duke u ngjitur në kuotën e 65 pikëve, po aq sa edhe të kuqtë.
Skuadra verilindore priti 43 minuta për të gjetur avantazhin në këtë ndeshje dhe ai që shënoi ishte goleadori Pero Pejiç.
Skuadra laçjane u kundërpërgjigj në fillimin e pjesës së dytë me Januzin, që përfitoi edhe nga një gabim i mbrojtjes së Kukësit.
Por ekuilibri në rezultat nuk zgjati shumë, pasi Kukësi 7 minuta më vonë u rikthye në avantazh, sërish me anë të Pejiç, i cili arriti në kuotën e 20 golave sezonalë.