Eurodeputeti Eduard Kukan u shpreh se pa respektimin e sundimit të ligjit nuk ka pranim në Bashkimin Europian.
Kukan e sheh shqetësuese situatën në Ballkan, me krizat politike në Maqedoni e Shqipëri dhe vendet e tjera në bojkot parlamentar.
“Po shohim një trend shqetësues në të gjithë rajonin, e dukshme në lidhje me funksionimin e rregullt të demokracisë parlamentare dhe institucioneve të caktuara shtetërore. Po përballemi me krizë politike serioze në Maqedoni dhe Shqipëri. Vendet e tjera në rajon, si për shembull, Mali i Zi dhe Kosova po përballen me bojkote parlamentare. Duket një trend rajonal, i cili është kundërproduktiv për zhvillimin e demokracisë në vendet që janë në pragun europian”, është shprehur Kukan.
Kukan ka shpjeguar dhe arsyet pse liderët e këtyre vendeve nuk u ftuan në festimet për traktatin e Romës, ku tha se festimet nuk ishin vetëm një mundësi për të parë pas në arritjet e procesit të integrimit dhe kuptimplotë për kontinentin tonë, por edhe një mënyrë për të parë përpara në dekadat e ardhshme.